Dërgesat e qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit për 2014 kanë shënuar rritje në krahasim me një vit më parë.
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, për nëntë muajit e vitit 2014 shuma e remitancave ka arritur mbi 505 milionë euro, apo 11 për qind më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Paratë e gatshme të diasporës që hyjnë në Kosovë, vazhdimisht janë konsideruar ndihmë për ekonominë e vendit dhe sigurim i të ardhurave shtesë për familjet që kanë paga të vogla.
Ndërkaq, që nga viti 2004 e deri në fund të shtatorit të vitit të kaluar, shuma e dërgesave nga emigrantët, ka arritur mbi gjashtë miliardë euro.
Ekspertët e çështjeve ekonomike, japin vlerësime të ndryshme sa i përket rritjes se nivelit të remitancave.
Profesori në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, Berim Ramosaj, thotë se nuk është rritur vlera e dërgesave nga diaspora, por është rritur dërgesa e tyre përmes institucioneve financiare në vend.
“Kjo rritje është rritje nominale – jo rritje reale. Pasi shumica e dërgesave kanë ardhur në mënyrë legale për ndryshim nga herët tjera, që remitancat kanë ardhur në mënyrë joinstitucionale. Kështu që unë them se në mënyrë institucionale duket si rritje sepse për ndryshe nuk ka mundësi të ketë rritje. Duke marrë parasysh këtu edhe zvogëlimin e lidhjeve farefisnore që është gjithnjë në zvogëlim e sipër, pastaj unë mund të them se pas 10 vitesh ne nuk do të kemi remitanca të nivelit të tillë”, ka thënë Ramosaj.
Sidoqoftë, remitancat luajnë një rol të rëndësishëm në mirëqenien e shumë qytetarëve të Kosovës, pasi shuma më e madhe e tyre shpenzohet për konsum ditor.
Profesori tjetër në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, Naim Gashi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, remitancat i konsideron si “infuzion” financiar shumë të dobishëm që përfiton ekonomia dhe qytetarët e Kosovës.
Por, megjithatë Gashi konsideron se duhet të ndërrohet fokusi i shpenzimeve të parave të dërguara nga vendet e ndryshme të Evropës dhe Botës.
“Tani Kosova duhet të kalojë nga dërgesat e diasporës për familjet e tyre, si ndihma për konsum, duhet dalëngadalë të kalohet në investime të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në sektorin e bujqësisë dhe prodhimtarisë përpunuese. Dhe në këtë mënyrë që diaspora për veçse kalon vende të reja të punës për familjarët e tyre që i kanë në Kosovë, ata gjenerojnë edhe një lloj fitimi nga investimet që ata bëjnë në Kosovë”, shprehet Gashi.
Sipas disa hulumtimeve të realizuara nga organizata vendore, thuhet se mbi 40 për qind e qytetarëve të Kosovës kanë anëtarë që jetojnë jashtë vendit, kurse mbi 22 për qind pranojnë remitanca.
Konsumi i ushqimit merr afër 40 për qind të buxhetit të ekonomive kosovare pranuese të remitancave.
Ndërkaq, shuma më e lartë e remitancave vijnë nga shtetet e Gjermanisë, Zvicrës dhe Italisë. /REL
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.