Sektorët kryesorë të ekonomisë kanë shënuar rritje të volumit të shifrës së afarizmit, në tremujorin e dytë 2014, të udhëhequra nga industria dhe shërbimet.
Sipas INSTAT, Indeksi i volumit të shifrës së afarizmit, vlerësuar me çmime fikse (2010=100) arriti 115,7 % në tremujorin e dytë 2014.
Ndryshimi vjetor i indeksit të volumit të shifrës së afarizmit pasqyron rritje prej 2,8 % në aktivitetet ekonomike, krahasuar me tremujorin e dytë 2013. Ky ndryshim në të njëjtin tremujor të vitit 2013 ishte 5,3 %. Në këtë rritje ndikojnë aktivitetet që kryhen në sektorët “Industri” dhe “Shërbime”, me 8,5 % dhe 7,4 %.
Në aktivitetin “Industri”, kontributin kryesor në shifrën e afarizmit në volum, e jep Industria Nxjerrëse me 20,4 %. Ky tregues në aktivitetet “ Grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë” paraqitet me rritje 9,8 %, ndërsa “Energji elektrike, gaz, avull dhe furnizim me ajër të kondicionuar” paraqitet me rënie 9,7 %.
Aktiviteti i ndërtimit në këtë tremujor pasqyron rënie të këtij treguesi me 15,6 %, krahasuar me të njetën periudhë të një viti më parë.
Në rritjen prej 7,4 % të shifrës së afarizmit në volum, në “Shërbime”, në tremujorin e dytë 2014 krahasuar me tremujorin e dytë 2013, kanë ndikuar kryesisht aktivitetet: “Agjenci e udhëtimit” me 37,0 %, “Informacioni dhe Komunikacioni” me 25,1 %, “Hotele” me 20,5 %, dhe “Tregti” me rritje prej 7,2 %.
Ndryshimi tremujor i treguesit të shifrës së afarizmit në volum, në tremujorin e dytë 2014, paraqitet me rritje prej 12,8 %, krahasuar me tremujorin e parë 2014. Rritja vjen kryesisht nga aktivitetet: “Ndërtim” me 20,5 %,“Industri nxjerrëse” me 16,6 %, “Industri Përpunuese” me 16,3 %.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.