Transaksionet bankare nga shtëpia nëpërmjet internetit kanë vijuar ritmet të larta të rritjes në vitin 2017 si në vlerë ashtu edhe në numër.
Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë numri i transaksioneve shënoi rritje me 26 për qind vitin e kaluar. Nëpërmjet “Home Baking” në vitin 2017 u bënë 2,263,607 transaksione të cilat qenë kryesisht pagesa të faturave utilitare dhe transferta të ndryshme.
Rritja e më të madhe e pësoi volumi i transaksioneve nga interneti me rreth 60 për qind më 2017. Vlera e pagesave arriti në 550 miliardë lekë nga 343 miliardë më 2016. Gjithësi vlera pagesave nga interneti vijon të jetë e ulët në raport me totalin e pagesave duke zënë vetëm 6% të totalit.
Kohët e fundit, shërbimet “Home Banking” po marrin shtrirje gjithnjë e më të gjerë në tregun shqiptar. Në fillim të vitit kaluar 14 nga 16 banka ofrojnë produkte të ndryshme “home banking”. Këto produkte mundësojnë aksesimin e llogarisë bankare në distancë, nëpërmjet një linje interneti, linje telefoni apo një software-i që banka i vë në dispozicion klientit të saj.
Banka e Shqipërisë vlerëson se prirja gjithnjë e në rritje e përdorimit të “home banking”, lidhet ngushtë me ekzistencën e infrastrukturës, si edhe me përhapjen e mundësive për të aksesuar internetin edhe përmes disponimit të një “smart phone”.
Banka e Shqipërisë ka vijuar bashkëpunimin me Bankën Botërore në kuadër të implementimit të projektit “Për matjen e kostove të instrumenteve të pagesave”. Projekti në fjalë, i cili bazohet në metodologjinë e krijuar nga Banka Botërore synon të identifikojë dhe të masë të gjitha llojet e kostove, të cilat mbartin instrumentet e ndryshme të pagesave të përdorura në ekonomi, me qëllim krijimin e një strategjie për reformimin dhe zhvillimin efikas të tregut të pagesave.
Rezultatet paraprake, në mënyrë të përmbledhur, identifikojnë paranë fizike si mjetin më të kushtueshëm të pagesave, dhe si mjetin më të lirë, transfertat e kreditit në formë elektronike. Projekti parashikohet të përfundojë brenda vitit 2017.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.