Deutsche Fußball Liga publikoi raportin “The 2019 economic report”, që tregon gjendjen e ekonomisë së futbollit gjerman. Futbolli profesionist në Gjermani konfirmoi zhvillimin e tij pozitiv në sezonin 2017/2018. Fitimet e Bundesligës dhe Bundesligës 2 janë rritur për vitin e 14 me radhë, me një qarkullim total 4,42 mld euro.
Në dhjetë vitit e fundit, futbolli profesionist gjerman ka regjistruar një rritje vjetore mesatare 8,6%.
Rritja e fundit, pak më shumë se 10%, ka ardhur kryesisht nga kontratat për shitjen e të drejtave televizive. Të ardhurat totale të Bundesligës në sezonin 2017/2018 ishin 3,81 mld euro, duke shënuar rritje 13% krahasuar me sezonin 2016/2017 (3,37 mld euro) dhe thuajse dyfishi krahasuar me sezonin 2010/2011 (1,94 mld euro). 17 nga 18 klube të Bundesligës kanë gjeneruar më shumë se 100 milionë euro të ardhura.
Fuqia ekonomike e futbollit profesionist gjerman ka ndikim edhe nga pikëpamja fiskale dhe ekonomike – 36 klubet e Bundesligës dhe Bundesligës 2 kanë vendosur një rekord në taksat që i kanë paguar shtetit – 1,28 mld euro.
Ndër të tjera, Bundesliga dhe Bundesliga 2 luajnë një rol të rëndësishëm në punësim – ku janë të punësuar më shumë se 55 mijë persona nga klubet dhe filialet e tyre. Numri i personave të punësuar direkt ose indirekt në futbollin profesionist gjerman ka arritur në 55.142 persona.
Christian Seifert, CEO i DFL, i komentoi kështu rezultatet: “Futbolli profesionist gjerman vijon zhvillimin e tij pozitiv. Kjo ka ardhur kryesisht për shkak të të ardhurave nga kontratat për të drejtat televizive. Dixhitalizimi dhe globalizimi do të sjellin mundësi të reja për futbollin profesionist gjerman në vitet e ardhshme”.