Rritet numri i fermerëve kultivues

19/10/2007 00:00 1 koment
ferme kermillash

ferme kermillashVetëm para pak javësh, revista “Monitor” ka folur për një biznes të ri në vendin tonë me tre fermerë të vegjël dhe me një sipërfaqe totale prej 1.6 hektarësh. Atë të kultivimit të kërmillit. Por, ashtu si kërmilli pas shiut po shtohet numri i fermerëve që duan të rrisin këtë produkt të kërkuar nga elita europiane. Pas zhvillimit të një seminari gjatë muajit të kaluar dhe prezantimit të fermerëve aktualë në panairin e biznesit Agroushqimor, janë me
dhjetra fermerët e interesuar të merren me helikokulturën në vend. Mihal Ciko, përfaqësues i Institutit Ndërkombëtar të Helikokulturës në Chersaco (Torino) në vendin tonë tregon se, vetëm këto ditë janë nënshkruar nëntë kontrata bashkëpunimi mes fermerëve shqiptarë dhe këtij instituti. Kontratat konsistojnë në blerjen e pajisjeve të standardit europian për ngritjen e fermës dhe sigurimin e tregut të shitjes së kërmillit. Pjesa më e madhe e fermerëve kanë vendosur të ngrejnë ferma me një hektar tokë dhe shprehen se duan të shtojnë sipërfaqet në vitet në vazhdim. Ata kanë bërë këtë zgjedhje, pasi viti i parë i kultivimit kërkon investime relativisht të larta. Për një hektar tokë, llogaritet që kostoja e ngritjes së fermës të jetë rreth 22-25 mijë euro. Ndërsa të ardhurat që nga viti i dytë i fermës parashikohet të arrijnë në 50-60 mijë euro. Megjithëse, vitet e ardhshme kostot ulen deri në masën 80%, fermerët tregojnë se kanë nevojë për financime me interesa të ulta për të filluar këtë biznes. Në vendin tonë mungojnë politikat e zhvillimit të helikokulturës. Kjo fushë pritet të futet në programet bujqësore vetëm vitin e ardhshëm, pasi ekspertët e Ministrisë së Bujqësisë dhe drejtuesi i Këshillit tëAgrobiznesit shqiptar Enver Ferizaj, kanë premtuar mbështetjen e kultivimit të kërmillit.

KERKESA PARAPRIN PRODHIMIN

Edhe pse fermat nuk kanë nxjerrë ende në treg produktin e tyre, kërkesat nuk kanë munguar. Tregtarë të tre shteteve të rëndësishme konsumatore, Gjermanisë, Austrisë dhe Francës, kanë kërkuar në panairin e organizuar nga Këshilli i Agrobiznesit të blejnë  kërmillin shqiptar. Ndërkohë, në kontratat që fermerët kanë nënshkruar me Institutin Ndërkombëtar të Helikokulturës përcaktohet se nëse materialet e çertifikuara për krijimin e fermës blihen nga rrjeti tregtar i mbështetur nga ky Institut, atëherë kërmilli mund të blihet po nga ky grup. Ndryshe nga aktivitete të tjera bujqësore, bashkëpunimi mes fermerëve në këtë fushë ëshë më i theksuar, çka pritet të lehtësojë organizimin për eksporte. Edhe pse programet fillestare të kultivuesve kanë si qëllim nxjerrjen në tregun e huaj (kryesisht atë italian) të produktit të fresket, ekspertët e këtij tregu mendojnë se me zgjerimin e një biznesi të tillë në të gjithë Shqipërinë është e mundur ngritja e një fabrike të përpunimit të kërmillit. Përpunues grekë janë interesuar më parë për ndërtimin e një fabrike të tillë në vendin tonë. Megjithatë, nëse përpunimi i kërmillit në vend është një projekt më i largët në kohë, që në fillim të vitit të ardhshëm në zërin e eksporteve shqiptare pritet të futet edhe molusku i tokës. Ky është edhe qëllimi i një nga fermave më të mëdha në vend me 12 dynym, në Vilë-Boshtovë të Kavajës.

HELIX ASPERSA, I PERSHTATSHëM NE SHQIPëRI

Toka, klima dhe sasia e ujrave të mjaftueshme e bëjnë vendin tonë të përshtatshëm për rritjen e moluskut Helix Aspersa. Ai quhet ndryshe edhe kërmilli mesdhetar dhe kultivohet në zonat deri në 200 metra mbi nivelin e detit. Ky lloj është edhe kërmilli më I kushtueshëm në tregun botëror. çmimi për një kilogram vitin e kaluar u rrit nga 3.5 në 5 euro. Përveçse shtohet me lehtësi ai jeton më gjatë se Pumazia (kërmilli i natyrës), çka lejon shitjen e freskët të tij. Sipas Cikos, kultivimi i kërmillit është një biznes i cili mund të zhvillohet lehtë nga një familjar që ka një tokë afër shtëpisë. Për një hektar tokë, pas shpenzimeve të vitit të parë, kostoja e mirëmbajtjes së fermës reduktohet vetëm në një të punësuar. Rrjetat për rrethimin e fermës janë të mjaftueshme për zhvillimin e këtij aktiviteti për një periudhë 20-vjeçare, ndërkohë që sipërfaqet e tokës duhet të jenë vazhdimisht të mbjellura me bimët e preferuara nga kërmilli, si lakra, panxhari dhe luledielli.

Të Dhëna

- Për ngritjen e një ferme me sipërfaqe një hektar tokë nevojiten 22-25 mijë euro.
– Të ardhurat nga 1 ha arrijnë në 60 mijë euro
– Tregu botëror i kërmillit: 500 mijë ton ose mbi 10 miliard euro
– Helix-Aspersa, kërmilli më i kushtueshëm

1 Comment

  • frankli gjeleveshi

    ju falenderoj per informacionin,po desha te pyesja se cfar lloj kermilli mund te rritet ne rrethin e Korces dhe cilat jane mundesite per te krijuar nje ferme me kermille.cfare na sugjeroni ju si specialiste?jemi te interesuar seriozisht.pershendetje

Shkruaj një koment

Ju duhet të logoheni për të komentuar.