Ulja e interesave të depozitave në lekë, po bën që individët të mos jenë më të interesuar të mbajnë paratë në banka, por rezulton t’i kenë tërhequr, për t’i mbajtur “nën jastëk”…
Muaji maj ka sjellë një rritje të parasë që qarkullon jashtë sistemit bankar në muajin maj, një dukuri që po konstatohet për herë të parë gjatë këtij viti.
Sipas buletinit statistikor mujor të Bankës së Shqipërisë, paraja jashtë bankave në maj 2014 arriti në 194.5 miliardë lekë, duke u rritur me 0.5% në raport me muajin e mëparshëm.
Që prej dhjetorin 2013, paraja që qarkullon jashtë kanaleve bankare ishte ulur vazhdimisht.
Në 2013, u konstatua një zgjerim i pazakontë i parasë jashtë bankave, sidomos në periudhën para zgjedhore, por situata iu kthye trendit normal në gjashtëmujorin e dytë.
Nga ana tjetër, muajt e parë të këtij viti po shoqërohen me një dukuri tjetër, atë të uljes së depozitave me afat në lekë, të cilat janë tkurrur vazhdimisht që nga dhjetori 2013. Në maj 2014 ato arritën në 386.7 miliardë lekë, duke rënë me 2.7%, në raport me dhjetorin 2013.
Rënia e interesave të depozitave në lekë, reflektim i politikës monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë, që ka reduktuar normën bazë për dy vjet rresht në 2.5% aktualisht, ka bërë që depozituesit, përgjithësisht individët, të mos kenë shuam interes t’i mbajnë kursimet në banka. Në maj, interesi i depozitave 12 mujore ishte rreth 2%. Një pjesë e kursimeve po kanalizohen tek fondi investimeve Raiffeisen Invest, por teksa dhe ky i fundit ka ulur ritmet e tërheqjes së kursimeve, kursimet e individëve duket se po rikthehen sërish “nën jastëk”, çka po sjell dhe rritjen e parasë jashtë bankave.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.