Treguesi i Ndjesisë Ekonomike (TNE) vazhdoi të ndjekë trajektoren rritëse edhe gjatë tremujorit të katërt të vitit 2016, sipas raportit më të fundit të Bankës së Shqipërisë. Niveli i TNE-së qëndron në vlerën 118.6, duke rezultuar 9.4 pikë më lart nivelit të shënuar në tremujorin e tretë dhe rreth 18.6 pikë mbi mesataren afatgjatë (grafik 1). Forcimi i ecurisë rritëse të TNE-së reflektoi përmirësimin e besimit në sektorët e shërbimeve e të ndërtimit, si dhe përmirësimin e besimit të konsumatorit. Ndërkohë, treguesit e besimit në sektorët e industrisë dhe të tregtisë shënuan rënie të lehtë krahasuar me tremujorin e tretë.
Treguesi i Besimit në sektorin e Industrisë (TBI) shënoi rënie me 3.3 pikë përqindje gjatë tremujorit të katërt. Megjithatë, niveli i treguesit vazhdon të qëndrojë 8.4 pikë përqindje mbi mesataren historike. Balancat e prodhimit dhe të kontratave porositëse ranë me përkatësisht 6.3 dhe 4.5 pikë përqindje, duke përcaktuar kështu edhe kahun e TBI-së. Ndërkohë, rënia me 0.9 pikë përqindje e balancës tjetër formuese, gjendja e inventarëve, ndikoi lehtësisht në kahun përmirësues TBI-në.
Ndër balancat e tjera që nuk përfshihen në llogaritjen e treguesit të besimit, porositë nga eksportet, pritjet për prodhimin dhe punësimin gjatë tremujorit të ardhshëm, rezultojnë me rënie gjatë tremujorit të katërt.
Bizneset e sektorit të industrisë kanë shfrytëzuar kapacitetet mesatarisht në masën 73.4%, ose 3.6 pikë përqindje më poshtë se sa në tremujorin e mëparshëm, por duke mbetur mbi mesataren historike 72.4%.
Ndërkohë, balanca e gjendjes financiare së bizneseve rezulton në përmirësim.
Treguesi i Besimit në sektorin e Ndërtimit (TBN) vijoi ecurinë rritëse gjatë tremujorit të katërt, duke rezultuar rreth 2.5 pikë përqindje më lart nivelit të shënuar në tremujorin e mëparshëm dhe 7.2 pikë përqindje mbi mesataren historike (grafik 3). Balancat formuese të treguesit – ecuria e aktivitetit ndërtues dhe kontratat porositëse – u rritën me përkatësisht 4.3 dhe 0.6 pikë përqindje dhe kontribuuan në përmirësimin e besimit në sektorin e ndërtimit.
Balanca të tjera si ato për punësimin dhe gjendjen financiare vazhduan të shënojnë rritje, ndërsa balanca e pritjeve për punësimin gjatë tremujorit të ardhshëm rezultoi me rënie. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në sektorin e ndërtimit vlerësohet mesatarisht rreth 65.6%, ose 3.7 pikë përqindje më e ulët krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Megjithatë, kjo normë qëndron 5.6 pikë përqindje mbi nivelin e një viti më parë dhe 1.0 pikë përqindje mbi mesataren historike.
Treguesi i Besimit në Sektorin e Shërbimeve (TBSh) rezultoi me përmirësim të mëtejshëm të dinamikës rritëse gjatë tremujorit të katërt (+13.2 pikë përqindje). TBSh-ja qëndron ndjeshëm mbi mesataren e tij historike me rreth 22.5 pikë përqindje (grafik 4). Forcimi i besimit në sektorin e shërbimeve reflektoi rritjen e të dy komponentëve të tij formues, balancës për ecurinë e biznesit (+16.7 pikë përqindje) dhe balancës së kërkesës (+ 9.6 pikë përqindje).
Gjithashtu, bizneset e sektorit të shërbimeve vlerësojnë me rritje balancat e lidhura me gjendjen financiare dhe punësimin. Ndërkohë, pritjet për ecurinë e kërkesës dhe të punësimit në tremujorin e ardhshëm shënuan rënie gjatë tremujorit të katërt. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve vlerësohet në mesatarisht 80.6% – 2.0 pikë përqindje më e lartë se norma e shënuar në tremujorin e mëparshëm dhe 4.1 pikë përqindje mbi mesataren historike.
Treguesi i Besimit në Sektorin e Tregtisë (TBT) ra me 1.6 pikë përqindje gjatë tremujorit të katërt, por vazhdon të mbetet mbi mesataren e tij historike me rreth 6.3 pikë përqindje (grafik 5). Kjo ecuri e TBT-së u përcaktua kryesisht nga rënia e njërës prej balancave të tij formuese, pritjet për ecurinë e punësimit në tremujorin e ardhshëm, me 3.4 pikë përqindje. Ndërkohë, balanca tjetër formuese, ecuria e biznesit, rezultoi lehtësisht më e lartë (+0.1 pikë përqindje) kundrejt tremujorit të mëparshëm.
Për sa i takon balancës së punësimit, ajo rezulton e përmirësuar gjatë tremujorit të katërt, ndërsa balancat e tjera të lidhura me gjendjen financiare dhe pritjet për ecurinë e biznesit në tremujorin e ardhshëm shënuan rënie. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve qëndron në 74.6% në terma mesatarë, në të njëjtin nivel të shënuar në tremujorin e tretë, duke vijuar të jetë 3.6 pikë përqindje më poshtë mesatares historike të saj.
Rritet dhe besimi konsumator
Treguesi i Besimit Konsumator (TBK) shënoi përmirësim të dinamikës gjatë tremujorit të katërt, duke u rritur me 4.8 pikë përqindje. Si rezultat, niveli i TBK-së qëndron 3.0 pikë përqindje mbi mesataren historike të tij. Të katër komponentët formues të treguesit kontribuuan në kahun rritës për vlerën e TBK-së gjatë tremujorit të katërt: balanca e blerjeve të mëdha (+7.4 pikë përqindje); balanca e situatës së përgjithshme ekonomike të pritur në vend (+5.5 pikë përqindje); balanca e situatës financiare të pritur të familjes (+4.5 pikë përqindje); balanca e situatës së të ardhurave dhe shpenzimeve (+1.7 pikë përqindje).
Edhe balancat e tjera – blerjet e mëdha në të ardhmen, situata aktuale dhe e pritur e kursimeve – rezultuan me rritje gjatë tremujorit të katërt të vitit 2016.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.