Shumica e qytetarëve në Kosovë që kanë nevojë për mjete financiare, në pamundësi të tyre për pagesa, iu drejtohen bankave komerciale për kredi.
Sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, vlera e kredisë në 10 bankat komerciale që operojnë në Kosovë, ka arritur në mbi 1.9 miliardë euro.
Ekspertë për çështje financiare thonë se vlera e rritur e kredive në sistemin bankar, tregon më së miri se në tregun e Kosovës mungojnë paratë e gatshme, se pagat janë të vogla dhe se kosovarët nuk sigurojnë kursime për çfarëdo lloji investimi, shkruan REL.
Drejtori ekzekutiv i Institutit për Hulumtime të Avancuara, Agron Demi, thotë se një ndër arsyet që është rritur vlera e kredive, është se bankat kanë lehtësuar procedurat për marrjen e kredive, por edhe rritja e pagave viteve të fundit në sektorin publik ka reflektuar në kredimarrje.
Edhe udhëheqësi i Institutit për Banka dhe Financa, Flamur Keqa, tregon se vetë shifra prej afër dy miliardë eurosh tregon rritjen e kreditimit nga sistemi bankar. Por, ai thotë se numri i kredimarrësve është rritur pikërisht tek kreditë familjare apo kreditë konsumuese, e jo te kreditë për biznes.
Rritja vjetore e kredive për ekonomitë familjare është rritur për 10.8 për qind, kurse kreditë për ndërmarrje janë rritur për 2.9 për qind.
“Kjo, në një mënyrë, reflekton se fuqia blerëse e konsumatorit kosovar me pagat që ata i fitojnë e me punën e tyre të përditshme, nuk mjaftojnë për të krijuar një jetë më të mirë. Kështu që janë të obliguar t’u drejtohen bankave komerciale për të marrë fonde shtesë për plotësimin e nevojave të tyre”, vlerëson Keqa, per REL.
Por, ajo që mbetet shqetësuese, sipas Agron Demit, është se nuk është rritur numri i qytetarëve që kanë marrë kredi, por është rritur vetëm vlera e kredive. Kjo, sipas tij, nënkupton që disa nga klientët që kanë marrë kredi, qoftë individuale apo për biznese, në pamundësi kthimin e kredisë kanë hyrë në kredi të reja për t’i mbuluar kreditë e vjetra.
“Kjo është shqetësuese… Kjo mund të sjellë një krizë, edhe pse sistemi bankar në Kosovë është treguar mjaft i qëndrueshëm në krahasim me vendet tjera”, shpjegon Demi.
Norma e interesit në kredi, si për ndërmarrje, po ashtu edhe për ekonomitë familjare, arrin në 8.9 për qind. Këto kamata bankat komerciale i kanë ulur viteve të fundit, por, sipas ekspertëve, pavarësisht uljes ky nivel i kamatave ende mbetet i lartë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.