Në zbatim të Udhëzimit të Ministrit të Financave nr.17, datë 13.05.2008 “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, i ndryshuar, pika 9.5.3.d, duhet të publikohen listat me çmimet maksimale te shitjes së cigareve, sipas deklarimeve që shoqëritë tregtare kanë dërguar në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.
Në media(shqiptarja.com) shoqëria British Amerikan Tobaco ka njoftuar çmimit e reja maksimale të shitjes me pakicë të cigareve duke filluar nga 30 tetori dhe nga krahasimi me publikimin e mëprashëm vihet re një rritje e çmimeve mesatarisht me 20 lekë aq sa pritet të rritet dhe akciza me fillimin e vitit 2014.
Por ky njoftim nuk është publikuar ende në faqen zyrtare të tatuimeve sipas parashikimeve të udhëzimit 17 të Ministrit të Financave. Në publikimet e shoqërive në faqen e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve rezulton se në muajt e fundit asnjëra nga shoqëritë nuk ka njoftuar për rritje çmimi. Ndryshimet e fundit janë në muajin korrik të këtij viti nga shoqëritë marketing&Distribution dhe Phipil Morris respektivisht në datat 21 dhe 7 korrik 2014. Por të dyja këto shoqëri nuk i kanë ndryshuar çmimet deri në raportimin e muajit korrik.
Ndërkohë shoqëritë e tjera nuk kanë njoftuar të paktën zyrtarisht tatimet për ndryshimet në çmime si për shembull Agna me njoftimin e fundit të datës 4.2.2014, Ballkan Monark Trade që me 23.4.2014 dhe JTI që me 5 maj 2014.
Atëherë si shpjegohen rritjet e çmimit të paketave? Në treg ka filluar një garë e ethshme për të krijuar stoqe të paketave përpara hyrjes në fuqi të akcizës së re për shkak se diferenca e rritur e akcizës do t’i kalonte tregtarëve që posedonin stoqe dhe jo shtetit.
Distributorët e mëdhenj që kanë detyrimin e përcaktimit të çmimit maksimal të shitjes po kufizojnë furnizimet për pikat e shumicës për të mos krijuar stoqe ndërkohë që në pikat e shitjes me pakicë nuk respektohet udhëzimi i Ministrit të Financave për çmimin maksimal të shitjes i cili duhet të jetë i pandryshueshëm nga një pikë te tjetra. Në gjithë këtë konfuzion nga Kuvendi dhe posaçërisht nga kreu i Komisionit të Ekonomisë z. Braçe i është kërkuar informacion i detajuar Ministrisë së Financave për lëvizjet e çmimit të paketave në treg.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.