Rritja e pagave duhet të ketë motive ekonomike
Zef Preçi, Drejtor i Qendrës për Kërkime Ekonomike, thotë se nëse rritet administrimi i taksave dhe luftohet evazioni, viti i ardhshëm do të sjellë një performancë më të mirë ekonomike. Ai është dakord për rritjen e pagave dhe pensioneve, por kjo sqaron ai duhet të ketë motive dhe metoda ekonomike, jo elektorale.
Z. Preçi, duke qenë se sa vjen dhe më shumë po përforcohet mesazhi për një rritje pagash dhe pensionesh vitin e ardhshëm dhe tashmë pritet vetëm dakordësia me Fondin Monetar Ndërkombëtar, si ju duket kjo nismë?
Unë jam i detyruar të flas mbi bazën e hamendësimeve, pasi qeveria nuk ka respektuar detyrimin ligjor për konsultim publik paraprak të draft – ligjit. Nga ana tjetër duhet kuptuar se rritja e pagave në sektorin publik, është një proces sa i dëshirueshëm aq edhe detyrim lidhur me përmirësimin e performancës, shpërblimin e më të zotëve. Por ky veprim mendoj se rrit dhe vëmendjen e institucioneve shtetërore ndaj shtresës më të varfër të popullsisë. Ajo çka është më e rëndësishme në këtë proces është fakti nëse qeveria do të rrisë apo jo pagën minimale. Kjo do të tregojë nëse ajo bën politika pro qytetarëve apo pro oligarkëve. Rritja e pagës minimale të punës, për ta sjellë atë të paktën në nivelin e minimumit jetik ishte dhe mbetet një element shumë i rëndësishëm që ka ndikime të konsiderueshme qoftë në sistemin e pensioneve, qoftë në sistemin e mbrojtjes sociale.
Mendoni se janë burimet e financimit të kësaj rritjeje?
Do të ishte e dëshirueshme që qeveria të përqendrohet në rritjen e performancës fiskale që është reduktimi i informalitetit, pa e dëmtuar, jo me aksion, jo me dhunë, por me metoda ekonomike. Po ashtu duhet të përmirësojë dhe klimën e biznesit dhe kjo do të gjeneronte vende të reja pune dhe për pasojë dhe kontribute në taksa dhe të përdorë sa më pak mekanizmin primitiv të shkurtimit të investimeve publike kryesisht në sferën kapitale, pasi rrogat vetëm shtohen dhe shpenzimet për rroga mbeten konstante dhe vetëm rriten. Por nuk duhet harruar që duhet bërë indeksimi i inflacionit në paga që është një detyrim ligjor.
Por sa mund të arrihet rritja e të ardhurave nga miradministrimi?
Gjithçka varet nga mënyra se si qeveriset. Për fatin tonë të keq, qeverisjet i ngjajnë si dy pika uji njëra-tjetrës dhe për fat të keq, i gjithë tehu i politikave fiskale të qeverisë është drejtuar ndaj klasës së mesme dhe të varfër. Po të shohim dhe firmat e vogla që dalin nga tregu janë kryesisht në pjesën më të madhe të tyre biznese të vogla.
A do të rritet konsumi nga rritja e pagave dhe pensioneve?
Si rregull, sektorët publikë dhe privatë komunikojnë ndërmjet tyre. Rritja e pagave në sektorin publik bën presion për rritjen edhe të bizneseve. Dhe kjo duhet të ndodhë. Por kjo nuk mund të jetë as si dhuratë e qeverisë apo partisë së radhës. Në rastin konkret, po vjen si një vokacion elektoral që ka ndodhur edhe në 1996, edhe në vitin 2001, edhe në 2009-ën dhe nuk përjashton interesat elektorale mbi ato se si zhvillohet më shumë ekonomia.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.