Autoriteti i Konkurrencës, me një vendim të fundit të datës 23 maj, ka vendosur “Hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun me pakicë të shërbimeve celulare”.
Hetimi u hap, nisur nga ankesat e depozituara pranë Autoritetit të Konkurrencës nga Qendra “Konsumatori Shqiptar”, si dhe 3 ankimues me objekt “Hetimi i tregut të telefonisë celulare në lidhje me shfaqjen e praktikave të koordinuara dhe abuzimin me pozitën dominuese” për planet tarifore që ofrojnë për publikun e telefonisë celulare. Sekretariati, në zbatim të nenit 28 të ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, i ndryshuar, ka monitoruar tregun e shërbimit të telefonisë celulare. Nga monitorimi ka rezultuar se disa nga ndërmarrjet që ofrojnë shërbimet në këtë treg kanë ndryshuar paketat për klientët me parapagim.
Sipas statistikave të rregullatorit AKEP, klientët me parapagim përbëjnë rreth 90% të numrit të klientëve të ndërmarrjeve celulare.
Referuar informacionit të mbledhur gjatë monitorimit, rezulton se tre shoqëri kanë ndryshuar paketat standarde në periudhën 27 mars 2017 ‐ 4 prill 2017 në një sjellje të mundshme të koordinuar sipas parashikimeve të nenit 3, pika 4 të Ligjit Nr.9121, datë 28.07.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, (i ndryshuar), dhe që në kuptim të nenit 4, pika 1, germa (a) e Ligjit Nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, i ndryshuar, mund të përbëjë një marrëveshje të ndaluar.
Gjithashtu, bazuar në të dhënat e rregullatorit AKEP, rezulton se tregu i telefonisë celulare ka strukturën e një tregu oligopolistik me një operator me pozitë dominuese në tregun përkatës të shërbimeve celulare me pakicë, si dhe dy ndërmarrje të tjera me qëndrueshmëri të pjesëve të tregut. Të tre ndërmarrjet zotërojnë bashkërisht rreth 95% në tregun me pakicë të shërbimeve celulare dhe sipas parashikimeve të nenit 9 të Ligji nr.9121/2003, ekziston mundësia edhe për të abuzuar me pozitën dominuese në treg.
Për këto arsye, Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur hapjen e Procedurës së Hetimit Paraprak në Tregun me Pakicë të Shërbimeve Celulare për të hetuar nëse ka, apo jo, shenja të kufizimit të konkurrencës.
Periudha e Hetimit Paraprak do të jetë 1 janari 2016 deri më 23 maj 2017, përfundon njoftimi i Autoritetit të Konkurrencës.
Rritja e tarifave
Dy muaj më parë, tre operatorët më të mëdhenj të telefonisë celulare, Vodafone, Telekom Albania dhe Albtelecom rritën çmimet e paketave standarde (në varësi të llojit të paketës) në 1100 lekë, 1400 lekë dhe 2000 lekë, nga përkatësisht 1000 lekë, 1200 lekë dhe 1600 lekë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Më e çuditshmja ësht që njerzit vazhdojn i qëndrojnë besnik ktyre kompanive kur përveç rritjes së çmimeve për kta dhe muajin ta faturoj 28 ditë.Fakt tjetër është që kto ndryshime ndodhin në të njëjtën kohë në 3 kompanitë duke mos patur mundsinë e informimit por thjesht përballesh me faktin e kryer.
Tjetër gjë e pathënë dhe fakt i kryer po nga kjo 3-she ësht kur shkon dhe ndrron kompanin deri dje përfitimi i klientit ka qënë 50% ndërkohë tani është 30%.
Duhet thënë që e vetmja kompani që nuk ësht infektu nga kto ndryshime ësht Plus.