Rritja e teknologjisë së avancuar po mbizotëron në skenën e startup-eve në Paris

18/03/2017 8:05 AM 0 komente

Kryeqyteti francez drejton Europën për numrin e sipërmarrjeve të kapitalit.

Janë të shumtë ekspertët që bien dakord me faktin se Europa nuk do të krijojë kurrë një qendër, e cila do të konkurrojë Silicon Valley. Tregjet e saj janë ende të fragmentuara përgjatë kufijve kombëtarë, flukset e kapitalit në rajon janë të kufizuara dhe për shkak të qëndrimeve të vazhdueshme konservatore ndaj rrezikut, janë të pakta ato startup-e, të cilat mund të konkurrojnë kampionin amerikan.
“Europa është toksike”, argumenton Oussama Ammar, një themelues i një startup-i në Paris.
Ajo që duhet të ndodhë në jetë, nuk ndodh, shprehet ai. Por jeta dixhitale do të lulëzojë dhe do të përhapet në mesin e shumë qyteteve në vend, ajo nuk mund të përqendrohet vetëm në një vend të vetëm.
Firmat FINTECH janë përqendruar në Londër. Faqet e ndryshme muzikore dhe ato të lojërave funksionojnë më së miri në vendet nordike. Berlini njihet për kulturën e kompanive të konsumit. Në Milano, një prej qendrave me universitetet më të suksesshme mjekësore, po lulëzojnë startup-et e bioteknologjisë.
Por, rasti më i spikatur i rritjes së startup-eve është Parisi dhe përmendja e Francës ka shkaktuar me kohë pëshpëritje nga sipërmarrje të ndryshme të kapitalit.
Përpjekjet e qeverisë për të ndihmuar startup-et me lehtësim të taksave për kërkime i kanë mësuar themeluesit që t’i çojnë në fund të gjitha procedurat e nevojshme, pra të mos ndalen vetëm në gjetjen e klientëve, thonë vëzhguesit.
Suksese të tilla si BlaBlaCar, një shërbim transporti dhe Criteo, i cili ofron një shërbim për reklamimin online, duken më shumë si përjashtime dhe jo dëshmi të këtij suksesi të madh.
Nicolas Brusson, një bashkëthemelues i BlaBlaCar, shprehet se ambicia në fushën e sipërmarrjes franceze është rritur me hapa të shpejtë. Një investitor tjetër në sipërmarrjet e kapitalit shprehet se ka pasur “një ndryshim të madh në mënyrën e të menduarit”, sepse ata nuk janë vetëm investitorë, por edhe hartues të planeve të biznesit.
Sipërmarrjet kapitale po lulëzojnë fuqishëm. Vitin e kaluar, Franca përjetoi rritjen më të madhe të sipërmarrjeve të kapitalit në Europë, sipas Dealroom, që mat tendencat e industrisë së teknologjisë. Edhe pse një sasi më e madhe kapitali shkoi për startup-et në Britani (3.2 miliardë dollarë) në krahasim me Francën (2.7 miliardë dollarë) shkalla e rritjes në Francë ishte shumë më e lartë.
Një ndër arsyet e kësaj rritjeje është se investimet e hershme në infrastrukturën e startup-eve kanë nisur të paguhen. Firma të njohura kanë filluar të bëjnë trajnime dhe kanë ngritur laboratorë, të cilët janë duke nxjerrë sipërmarrës të rinj. Këtu mund të përmendim z. Xavier Neil, bashkëthemelues i një prej markave më të njohura, Free, i cili themeloi një shkollë për programimin e kompjuterëve, me një kapacitet prej 2,500 nxënësish, ku asnjëri prej tyre nuk do të paguante tarifën e shkollimit.
Lëvizja e radhës e z. Neil pritet të jetë në prill dhe ajo do të jetë krijimi i startup-it më të madh në botë, Stacionit F, në qendër të Parisit.
Muajin e kaluar, Sheryl Sandberg, drejtuese ekzekutive operative, tha se firma e saj do të marrë hapësira në Stacionin F, duke përgëzuar talentin francez. Ajo u shpreh se vendi ka tashmë disa nga kompanitë më inovative të teknologjisë në të gjithë botën.
Faktori kryesor që fshihet prapa gjithë kësaj veprimtarie të re është ndryshimi i aspiratave të të diplomuarve.
Një anëtar i bordit të një shkolle inxhinierie, që ndodhet pranë kryeqytetit, shprehet se në mesin e studentëve po rritet ambicia që aspirojnë të bëhen sipërmarrës të rinj, veçanërisht ata që bëjnë stazhin e tyre në kompanitë jashtë vendit.
Të diplomuarit janë veçanërisht të interesuar për startup-et e teknologjisë së avancuar, që përfshin, ndër të tjera, inteligjencën artificiale (IA).
Botteri i Accel-it, një fond për sipërmarrjet e kapitalit, i cili mbikëqyr investimet në Europë, thotë se 80% e aktivitetit të firmës së tij në ditët e sotme bazohet te teknologjia e avancuar, një fushë të cilën europianët e zotërojnë mjaft mirë, si pasojë e përparësisë që i japin kualifikimet në inxhinieri dhe në matematikë. Franca ka përparuar në këtë drejtim, pasi një numër i madh studentësh po diplomohen në këto fusha.
Julien Lemoine, për shembull, bashkëthemelues i Algolia-s, një startup i financuar nga Accel, që ofron shërbime kërkimi të specializuara duke përdorur IA. Nga një zyrë, me mure xhami në qendër të Parisit (dhe nga një zyrë tjetër që u hap në San Francisko në vitin 2015), firma e tij, sot u shërben 2300 klientëve në të gjithë botën, dy të tretat e të ardhurave që vijnë nga Amerika. Algolia do të punësojë 200 persona deri në fund të vitit, plus 60 që i ka punësuar tashmë. Stafi i saj flet vetëm anglisht.
Kjo është një histori e ngjashme me atë të Shift Technology, një firmë me bazë në Paris, e themeluar nga tre matematicienë. Ajo përdor IA për të zbuluar mashtrimet në fushën e sigurimeve, në emër të siguruesve më të mëdhenj. Jeremy Jawish, një nga bashkëthemeluesit e firmës, thotë se Parisi është hapësirë e përshtatshme për t’u rritur, sepse ai do të jetë “Qendra e IA”.
Por, gjithsesi, problemet e vjetra nuk janë zhdukur. Ligjet e ashpra të tregut të punës po ua vështirësojnë jetën të rinjve, gjë kjo që pritet që të ndryshojë shumë shpejt.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz