Kanë kaluar thuajse tre dekada që nga fillimi tranzicionit në Europën Qendrore dhe Lindore në 1989. Progresi në konvergjencën e nivelit të të ardhurave me vendet më të zhvilluara të Europës ka qenë modest, veçanërisht që prej krizës financiare globale në 2008-n. Në përgjithësi, vendet e Ballkanit Perëndimore kanë bërë hapa pas që nga 1989. Diferenca midis nivelit mesatar të të ardhurave të tyre dhe BE 15 ishte më e thellë në 2017-n se sa në 1989.
Raporti veçon tre faza të këtij tranzicioni. Faza e parë, gjatë viteve ’90, veçanërisht në gjysmën e parë të dekadës, u shënjua nga një recesion i thellë dhe nën ndikimin e konflikteve. Pas vitit 2000, pati një rimëkëmbje të shpejtë dhe përshpejtim të arritjes së nivelit të BE 15. Por kjo zgjati deri në krizën globale financiare të 2008-s. Pas kësaj, ritmi i konvergjencës u ngadalësua.
Shpjegimi i rritjes ekonomike gjatë tranzicionit
“Economist Inteligence Unit” ka hartuar një regresion statistikor ku disa variabla shpjegojnë më shumë se 90% të variacionit të PBB në 2017-n krahasuar me 1989-n për të gjitha ekonomitë në tranzicion në Europën Lindore. Për pjesën më të madhe në rajon, parashikimi i PBB-së reale në 2017-n në krahasim me 1989 ishte shumë pranë nivelit aktual. Një indeks i kushteve fillestare në fillim të tranzcionit dhe një tregues se sa i prekur është vendi prej luftërave në 1989-2017 shpjegon rreth 50% të variacionit në rritjen ekonomike të shteteve.
Indeksi i kushteve fillestare është shuma e pikëve në një shkallë nga 1-4 për secilin nga këta tregues: Varësia në tregtinë me shtetet që i përkasin Këshillit për Asistencë Ekonomikë të Përbashkët (Comeon) në 1990; pesha e shërbimeve në PBB në 1989-n; pjesën që zinin shpenzimet qeveritare në PBB në 1989-n; një vlerësim të masës së eksperimentimit paraprak me reformën e tregjeve; dhe një vlerësim të masës së kohezionit politik të secilës shoqëri.
Të tjerë variabla, të gjitha statistikisht të rëndësishme, përfshijnë të ardhurat për frymë në fillim të tranzicionit, një tregues mbi pasuritë e burimeve natyrore; nivelin e borxhit përkundrejt PBB-së në 2016; indeksin e korrupsionit, të mesatarizuar për periudhën 1990-2017 (matësi i cilësisë së institucioneve); dhe një indeks i reformave ekonomike, i mesatarizuar për periudhën 1990-2014 për gjashtë tregues.
Ky indeks final është bazuar në një vlerësim nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) të progresit të shkallës së lartë të privatizimit, shkallës së ulët të privatizimit, ristrukturimit dhe qeverisjen e ndërmarrjeve, tregtimin dhe sistemet e këmbimit dhe politikat e konkurrueshmërisë. Flukset e borxhit kanë pasur ndikim domethënës negativ, në linjë me rezultatet e tregjeve në zhvillim në përgjithësi.
Perspektiva e konvergjencës
Performanca ekonomike në Ballkanin Perëndimor ka qenë e dobët që nga kriza e 2008-s, me rritje reale të PBB-së mesatarisht vetëm me 0.4% në vit në 2009-2014. Megjithëse mesatarja rajonale e rritjes u përshpejtua në 2% në 2015-n dhe 2.9% në 2016-n, ajo ishte sërish zhgënjyese në 2017, pjesërisht për shkak të kushteve dhe destabilitetit politik në disa vende (veçanërisht Maqedonia).
Gjithsesi pritet përshpejtimi në rritjen ekonomike në 2018 dhe 2019, i parashikuar njësoj me atë të vendeve të Europës Lindore. Përshpejtimi, në pjesën më të madhe, do të mbështetet në faktorë të jashtëm të favorshëm, kryesisht nga rritja në tregjet kryesore të rajonit në Europën Perëndimore. Rritja në Ballkanin Perëndimor në 2018-‘19 do të nxitet kryesisht nga eksportet e të mirave, rritja e remitancave dhe turizmit. Shtimi i kërkesës së brendshme për shkak të konsumit dhe të investimeve do të jetë më i fortë në disa vende. Konsolidimi fiskal në Shqipëri, Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Malin e Zi do të reduktojë rreziqet fiskale dhe do të përmirësojë besimin.
Ekonomitë në vendet e Ballkanit Perëndimor parashikohet se do të rriten me një mesatare vjetore prej 3.2% në 2018-‘19. Kjo është larg normave të rritjes para krizës së 2008-s dhe nuk do të mundësojë që të arrijë mesataren e Europës. Gjithsesi, do të jetë një përmirësim, krahasuar me vitet e fundit. Për më tepër, përshpejtimi do të kthejë shpresën se Ballkani Perëndimor mund të përshpejtojë konvergjencën me vendet e zhvilluara të Europës.
Arritja e nivelit të vendeve të Europës dhe perspektivës së rritjes në afatgjatë janë gjithsesi të errëta. Ka shumë arsye për këtë, duke përfshirë problemet e vazhdueshme institucionale, demografinë e dobët, rreziqet e shtuara politike, pozicionin e brishtë fiskal, performancën e dobët në inovacion dhe ndikimin e papunësisë së lartë në konsum dhe cilësinë e punës.
Rajoni gjithashtu vuan prej raportit të ulët të eksporteve ndaj PBB-së, dhe nuk është i mirë-integruar në zinxhirin e furnizimit të BE-së dhe global. Për më tepër, nuk ka tërhequr një nivel të mjaftueshëm të eksporteve të orientuar nga Investimet e Huaja Direkte, në krahasim me IHD-të jo të tregtueshme. Investimet e Huaja Direkte janë çelësi i rritjes, veçanërisht kur investimet e brendshme dhe kursimet janë të ulëta. IHD në Ballkanin Perëndimor kanë qenë të ulëta që nga piku në 2006-’07, kur flukset përllogariteshin 7 miliardë dollarë në vit.
Kapaciteti institucional dhe administrativ në rajon është i ulët, veçanërisht jashtë Serbisë (i cili është i formësuar më mirë në këtë fushë se sa vendet e tjera të Ballkanit, të cilët kanë përvojë relativisht më të ulët në shtetin e pavarur). Cilësia më e ulët e burokracisë dhe kapaciteti i ulët i elitave politikëbërëse ka qenë trashëgimia më e zgjatur e sundimit Otoman. Pavarësisht të një shekulli të zhvillimit të mëvonshëm, kjo mangësi ka pasur tendencën të riprodhohet nëpërmjet sistemit arsimor dhe transferimittë praktikave burokratike dhe të njohurive(knoë-hoë). Kjo është reflektuar në eficiencë më të ulët politike dhe institucionale (efektiviteti i qeverive për të zbatuar vendimet) se kudo tjetër në Europë.
Infrastruktura dhe rritja në Ballkanin Perëndimor
Infrastruktura e dobët publike e rajonit është një pengesë e madhe për të përshpejtuar rritjen ekonomike. Transporti më i mirë, rrjeti energjetik dhe i telekomunikacionit do të ndihmonin vendet e Ballkanit Perëndimor të rrisnin produktivitetin, të zgjeronin integrimin e tyre tregtar dhe të bëheshin atraktive për Investimet e Huaja Direkte. Rrjeti i papërshtatshëm i transportit, si për sa i përket mbulimit ashtu edhe cilësisë, kufizon lidhjen midis prodhuesve dhe konsumatorëve globalë, si dhe tregjet rajonale. Shërbimet e pasigurta dhe të pamjaftueshme (si p.sh. ujë dhe drita) dëmtojnë tërheqjen e investitorëve të huaj dhe vendas. Rrjeti i pazhvilluar i komunikimit mund të ngadalësojë përhapjen e informacionit dhe njohurive.
Cenimi i destabilitetit shoqëror dhe politik
Një tipar kyç që cenon rritjen në afatgjatë është se pjesa më e madhe e vendeve në Ballkanin Perëndimor kanë tipare të lidhura ngushtë me cenueshmërinë ndaj trazirave sociale dhe politike. Këtu përfshihen: shtetet e reja dhe pa përvojë; histori trazirash; mosmarrëveshje etnike dhe kufitare; papunësi e lartë; demokraci të pakonsoliduara; nivel shumë i lartë i pakënaqësisë politike në popull; korrupsion i përhapur; dhe nivel i ulët i besimit në institucione politike.
Duke marrë shkas nga këto probleme të vazhdueshme, “Economist Inteligence Unit” nuk pret që performanca ekonomike e përmirësuar në rajon në 2018-‘19 të përkthehet në rritje të qëndrueshme ekonomike.
PBB për frymë në Ballkanin Perëndimor, matur me paritetin e fuqisë blerëse, është më pak se 30% e mesatares së shteteve të zhvilluara të BE 15 dhe gati sa gjysma e nivelit të vendeve të Europës Lindore që iu bashkuan BE-së në vitet 2004-‘07. Që Ballkani Perëndimor të kapë ritmin e BE 15, le të themi për 20 vite, rritja e tyre mesatare vjetore e normës së PBB-së për frymë duhet të tejkalojë atë të vendeve të BE-së me 7%, një objektiv thuajse i pamundur. Rritja në vendet e Ballkanit Perëndimor është parashikuar që të jetë 3-4% çdo vit, në rastin më të mirë. Ndërkohë që vendet e zhvilluara të Bashkimit Europian do t’i rikthehen trendit të rritjes me rreth 2% në vit, që, edhe pse është një diferencë me vetëm 2 pikë përqindje në rastin më optimist do të thotë se në 20 vite, Ballkani Perëndimor do të jetë sërish poshtë 40% e mesatares së vendeve të zhvilluara.
Madje edhe parashikimi modest i rritjes prej 3-4% në vit për vendet e Ballkanit Perëndimor është i bazuar në disa supozime të favorshme si: në rritjen e qëndrueshme të vendeve të zhvilluara të BE; një skenar optimist demografik; ekziston një tendencë e vazhdueshme e de-rregullimit dhe ka progres institucional, si dhe parime fiskale. Skenari më optimist është një rritje e parashikuar vjetore prej 4% në afatgjatë. Skenari më pesimist është rikthimi i kaosit dhe konflikteve të 1990. Kjo duket më pak e mundur, megjithëse jo e pamundur, duke marrë shkas nga tensionet e shumta brenda dhe ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.