Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2015 parashikohet të jetë 1 miliard e 670 milionë euro, buxhet ky i bazuar në rritjen ekonomike prej 4.6 për qind.
Sipas Hashim Thaçit, buxheti është në fazën finale të përpilimit dhe është i vetmi në rajon që vazhdon të rritet në bazë të zhvillimit ekonomik dhe rritjes të të hyrave.
Por, ekspertë për çështje ekonomike, konsiderojnë se rritja ekonomike në Kosovë edhe gjatë vitit të ardhshëm nuk mund të arrijë mbi 4 për qind.
Parashikimeve për rritje ekonomike prej 4.6 për qind nuk e beson as ish ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, duke shtuar se rritja ekonomike gjatë këtij viti nuk ka kaluar as 2.5 për qind dhe nuk ka ndonjë parametër që siguron rritje ekonomike për vitin 2015 mbi tre përqindëshin.
Shatri madje thekson se për çdo projeksion duhet të ketë fakte dhe dokumente bazë, siç është Korniza Afat Mesme e Shpenzimeve, e cila për çdo vit duhet të përgatitet nga institucionet përgjegjëse.
“Institucionet tona të vendit që merren me analiza ekonomike, tregojnë se maksimalisht rritja ekonomike këtë vit do të jetë nga 2 deri në 2.5 për qind. Nuk ka asnjë parametër tjetër që flet për një mundësi të rritjes me një dinamike më të madhe as në vitin e ardhshëm. Rritjet bazohen në ecuritë e deritashme, si investimet që janë realizuar gjatë këtij viti, investimet në ekonomi, në trendin e eksportit, në punësim”, thekson Shatri për Radion Evropa e Lirë.
Sidoqoftë, në bazë të Kornizës Afat Mesme të Shpenzimeve për vitin 2015-2017, thuhet se rritja ekonomike për 2014-n pritet të arrijë në 4.1 për qind, përderisa gjatë periudhës 2014-2017 kjo rritje parashihet të jetë 4.5 për qind.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.