Në fillim të qershorit, në një fjalim në parlamentin shqiptar, ministri i ekonomisë, Arben Ahmetaj, do të paralajmëronte për një rritje spektakolare të eksporteve prej 11.9%, për pesë mujorin e parë të vitit. ( Lexo: http://www.top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=301575)
Kjo rritje në fakt dukej tepër e vështirë për t’u arritur, duke pasur parasysh se për katër mujorin, eksportet në total kishin shënuar një rënie më bazë vjetore prej 4%.
Në fakt edhe në dhënat e pesëmujorit, publikuar sot nga INSTAT flasin për vazhdimin e rënies së eksporteve, larg rritjes spektakolare të pretenduar nga institucionet qeveritare. Edhe maji vijoi me tendencën rënëse, me eksportet që u tkurrën me 4.8%.
Sipas INSTAT, për periudhën janar-maj, totali i eksporteve arriti në 103.2 miliardë lekë, duke shënuar një rënie prej 4.1% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndikimin kryesor në këtë rënie e ka dhënë grupi “minerale, lëndë djegëse, energji”, ndërkohë që me rënie të lehtë kanë vijuar të kenë dhe “tekstilet e këpucët”, “prodhime druri dhe letre” dhe “lëkurë e artikujt prej tyre”. Tre grupet e vetme që po vijojnë të mbahen janë ” material ndërtimi dhe metale” dhe “makineri dhe pjesë këmbimi” dhe “ushqime, pije e duhan”.
Eksportet e mineraleve e lëndëve djegëse ranë me 24% për tremujorin në 29.3 miliardë lekë. Bankers Petroleum, eksportuesi më i madh në vend, pohon se eksportet në sasi kanë qenë në rritje, por në vlerë janë më të ulëta për shkak të çmimit të ulët. Ritmet e rënies së këtij grupi janë ngadalësuar, ndërsa pritet të përmirësohen më tej në muajt në vijim, për shkak se Bankers do të shtojë eksportet përballë problemeve financiare të kompanisë ARMO (në muajt e parë të vitit, gati 40% të prodhimit Bankers e ka shitur në tregun e brendshëm tek kompania përpunuese ARMO). Edhe energjia ka dhënë ndikimin e vet, për shkak të eksporteve më të ulëta si rrjedhojë e motit të pafavorshëm, ndërkohë që prodhimi vendas ka qenë i lartë. E vetmja që raporton ecuri të mirë është kompania prodhuese dhe përpunuese e kromit AlbChrome, që po i gëzohet rritjes së dollarit, monedhë me të cilën i kryen eksportet.
Eksportet e tekstileve e këpucëve kanë ngadalësuar tendencën rënëse, duke u reduktuar 0.6% për pesë mujorin nga 2% që ishte tkurrja për 4 mujorin, pas rikuperimit të lehtë në maj. Vitin e kaluar, kjo industri u zgjerua me rreth 25%, duke dhënë ndikimin kryesor në rritje në 2014-n. Asipas aktorëve të tregut, industria, që ka si avantazh kryesor koston e lirë të fuqisë punëtore, po bëhet më pak konkurruese për shkak të rritjes së kostos së punës (energjia, shtimi i taksave etj), që po largojnë partnerët italianë.
Grupi i materialeve të ndërtimit dhe metaleve, vijon performancën positive, duke u rritur me që është zgjeruar me 11%, në gati17 miliardë lekë, kryesisht si rrjedhojë e performancës së mirë të gizës dhe çelikut. Megjithatë ky grup ka rënë me gati 18% në maj, si rrjedhojë e mbylljes së aktivitetit të Kurum nga autoritetet mjedisore.
Një tjetër grup që po shënon revolucion këtë vit është ai i makinerive, pajisjeve dhe pjesëve të këmbimit, që është rritur me 60% në 5.6 miliardë lekë, si rrjedhojë e gjallërimit të kompanive të fasonit industrial (pjesëvë elektrike), duke shënuar rritjen më të lartë në vlerë absolute nga të gjitha grupet. Megjithatë edhe ky grup ka ngadalësuar ritmet e rritjes për pesëmujorin (për katërmujorin zgjerimi ishte 74%).
Performancë të mirë kanë shënuar dhe eksportet e ushqimeve pijeve dhe duhan, që u rritën me 21.4% për pesëmujorin, duke përshpejtuar ritmet në maj, pasi bujqësia e mori veten nga përmbytjet e shkurtit.
Sipas grupmallrave, tekstilet dhe këpucët janë grupi më i eksportuar me 35%, minerale lëndë djegëse dhe energji me 28%, material ndërtimi dhe metale me 16% dhe grupet e tjera luhaten në 3-7% (shiko grafikun).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.