Të dhënat mbi TVSh-në e brendshme, e mbledhur nga Tatimet, tregojnë se në krahasim me shtatë muaj më parë, Tatimet kanë mbledhur rreth 324 milionë lekë më pak të ardhura se një vit më parë. Për tre muaj, nga prilli në qershor, TVSH-ja e brendshme ishte në rënie, ndërsa në korrik, të ardhurat që kanë grumbulluar Tatimet nga TVSh-ja janë 206 milionë lekë.
Edhe pse ka qenë me një diferencë pozitive në krahasim me një muaj më parë, të dhënat tregojnë se në 7 muajt e vitit janë mbledhur rreth 1.6% më pak të ardhura nga TVSH-ja e brendshme. Rënia mund të jetë tregues se informaliteti po rritet, ose konsumi po bie. Kjo e fundit bie ndesh me rritjen ekonomike.
Që në tetor të vitit të kaluar, kur qeveria prezantoi planin e saj për të ulur pragun e TVSH-së, FMN-ja e shprehu hapur skepticizmin e saj. Më herët, ish përfaqësuesi i përhershëm i FMN-së, në Shqipëri, Jens Reinke, është shprehur se “Pas vlerësimeve të shumta nga ekspertët tanë të taksave, ne e kemi këshilluar qeverinë fuqimisht kundër uljes së kufirit të TVSH-së nga niveli aktual.
Ndërmarrjet e vogla përbëjnë gjysmën e të gjithë bizneseve, por sjellin vetëm 2% të transaksioneve të taksueshme. Zgjerimi i sistemit të TVSH-së do të jetë një barrë shumë e rëndë për burimet e Departamentit të Taksave. Informaliteti dhe evazioni i taksave mund të rritet dhe eficenca e administratës së taksave ka të ngjarë të bjerë.
Sipërmarrjet e vogla do të mund të përballen me një barrë të shtuar të kërkesave për raportime”.
Edhe përfaqësuesja e Misionit të FMN në Tiranë, Anita Tuludhar tha se përfshirja e këtyre bizneseve në skemë do të krijojë më shumë ngarkesë për administratën dhe do ta shpërqendrojë, në vend të fokusohet te ndërmarrjet e mëdha. Kjo mund të ndikojë në uljen e të ardhurave.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.