Rrjetet sociale pasurojnë hacker-at

05/03/2019 5:20 PM 0 komente

Rrjetet sociale janë si një bankomat, që mbush xhepat e hacker-ave në të gjithë botën. Ky është përfundimi i një studimi të Mike McGuire, profesor i Universitetit Surrey në Mbretërinë e Bashkuar, në bashkëpunim me kompaninë për sigurinë informatike, Bromium.

Rrjetet sociale më të famshme në botë si Facebook, Instagram apo LinkedIn, përdoren çdo ditë për të rritur efektin e viruseve apo malware-ve, duke qenë më efektive krahasuar me email-et apo kanale të tjera. Platformat sociale mbledhin një sasi të madhe informacioni që mund të vidhet nga hacker-at.

Ndër të tjera, mashtrime të këtij lloji rezultojnë më efikase pasi shfrytëzojnë lidhjet e përdoruesve (ose ndryshe taktika social engineering). Mashtrimi mbështetet në besimin reciprok midis njerëzve dhe në autoritetin e platformave. Ky është skenari ku hyjnë në lojë phishing, fake news, trojan madje edhe malvertising, – virusi përhapet nëpërmjet reklamave.

Sa fitojnë hacker-at nga rrjetet sociale?

Sipas studimit, industria e viruseve online fiton mesatarisht 3,25 miliardë dollarë në vit. ZDnet zbuloi se 40% e sulmeve në rrjetet sociale janë shkaktuar nga malvertising, ndërsa 30% nga software dhe aplikacione të tjera të dëmshme. Studime nxjerr në pah një të vërtetë alarmuese, që vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aktivitetet kriminale në rrjetet sociale janë rritur me 30.000% mes viteve 2015-2017. Raporti shton se 1,3 miliardë persona kanë rënë pre e këtyre sulmeve dashakeqëse në pesë vitet e fundit, dhe nga këta, shumë nuk janë në dijeni.

Hacker-at e rinj rekrutohen në rrjetet sociale

Në studim shfaqet edhe një e dhënë shqetësuese. Rrjetet sociale, përfaqësojnë jo vetëm mjedisin ideal për sulmet kriminale, por shërbejnë për të rekrutuar edhe hacker-a të rinj. Shumë platforma kanë regjistruar lëvizje të parasë së paligjshme, edhe te përdorues që janë larg ambientit kriminal, dhe veçanërisht te të rinjtë që i përkasin gjeneratës Z dhe Millennials. Sipas studimit të McGuire, në bankat angleze ekzistojnë më shumë se 8500 llogari që u përkasin personave nën 21 vjeç, që shërbejnë për të mbuluar aktivitete të paligjshme nëpërmjet rrjeteve sociale.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of