Rruga e Arbrit, edhe 4 milionë USD të tjera për mbikëqyrjen e pavarur të kontratës

14/08/2018 9:55 AM 0 komente

Në qershor të këtij viti, Gjoka Konstuksion nisi zyrtarisht punimet për ndërtimin e Rrugës së Arbrit, pasi fitoi garën me një vlerë 33.6 miliardë lekë. Ky do të ishte projekti i parë i paketës “1 miliard” i shpallur nga qeveria.

Kostoja e rrugës gjithsesi pritet të rritet edhe më tej me të paktën 446 milionë lekë apo pak më shumë se 4 milionë dollarë, pasi së fundmi Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka hapur një procedurë prokurimi ku kërkon një mbikëqyrës të pavarur të zbatimit të kontratës koncesionare.

Referuar objektit të tenderit, ministria kërkon “Shërbime inxhinierike të pavarura për zbatimin e kontratës koncesionare/PPP për përmirësimin, ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës së Arbrit”.  Kontrata do të ketë një afat ekzekutimi 42 muaj plus 12 muaj garanci. Fondi limit është 446 milionë lekë por për vitin 2018 fondi i dispozicion është 833 mijë lekë pa TVSH.

Rruga e Arbrit, detajet  e projektit

Referuar projektit, gjatësia e aksit që nis në Tiranë dhe përfundon në Bllatë, sipas studimit të fizibilitetit do të jetë afërsisht 73.5 km. Ndërtimi pritet që të shkurtojë distancën mes Tiranës dhe Dibrës, me të paktën 40 minuta.

Duke pasur parasysh terrenin dhe mënyrën sesi është konceptuar projekti, rruga kategorizohet si C2 dhe është projektuar me shpejtësi minimale 60 km/orë dhe maksimale 100 km/orë. Rruga ka si pjesë përbërëse Tunelin e Murrizit, me gjatësi 3.2 kilometra, por edhe pesë tunele të tjera të vogla do të ndërtohen për të shmangur kthesat, si dhe katër ura.

Kontrata parashikon që punimet të përfundojnë për 44 muaj, çka përkon me fundin e vitit 2021. Edhe pas përfundimit të punimeve, kompania nuk do ta dorëzojë rrugën, por do të vijojë të kryejë operimin dhe mirëmbajtjen gjatë viteve të koncesionit, ndërkohë që qeveria është angazhuar që të paguajë kompaninë për një afat 13-vjeçar.

 

 

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz