Qeveria ka dhënë qartë sinjalet e saj se ku synon të orientojë investimet që vijnë nga jashtë dhe cilat janë projektet më kryesore. Ministri për Infrastrukturën dhe Energjinë Damian Gjiknuri gjatë forumit Shqipëri-Itali ku ishin të pranishëm 200 sipërmarrës italianë u ndal në disa aspekte. Së pari sipas tij është investimi në infrastrukturën rrugore. Aktualisht investimi në këtë sektor po bëhet nga buxheti i shtetit por ministri zbardhi edhe dy skemat ku privati luan një rol të rëndësishëm dhe që do të zbatohen në vijim.
Duke u ndalur tek partneriteti publik privat, Gjiknuri theksoi se qeveria shqiptare ka filluar një projekt ambicioz për të thithur kapital privat në ndërtimin e veprave infrastrukturore.
“Shteti do të marrë përsipër riskun e një financimi me atë që quhet pagesë e vlefshme për një periudhë afatgjatë. Ose varianti i dytë, në ato rrugë në të cilat ne jemi duke bërë studimet e fizibilitetit, që janë me pagesë. Edhe këtu parashikojmë të përfshijmë kapitalin privat dhe është e natyrshme që kompanitë italiane kanë një eksperiencë të mirë në vendet e tyre. Është normale që të bëhen pjesë e këtyre procedurave në Shqipëri”, vazhdoi Gjiknuri.
Ai solli në vëmendje disa nga rrugët me sistemin e pagesës. “Është krijimi i një aksi të ri rrugor nga Kashari në Rrogozhinë, për të shmangur një pjesë të trafikut në Durrës. Kjo do të jetë një rrugë me pagesë, e financuar e gjitha me kapital privat ku shteti do të marrë në një minimum garancie të trafikut, kuptohet me një vlerë që nuk na rëndon shumë. Njëkohësisht, i jep për momentet e para siguri investimit privat, por riskun kryesisht duhet të marrë edhe investitori privat”, nënvizoi ai.
Thellimi i Portit të Durrësit dhe gazifikimi
Qeveria pritet që shumë shpejt të hapë procedurat e nevojshme që do të çojnë drejt konkretizimit projektin e thellimit të Portit të Durrësit. Kjo masë ka kohë që këkrohet nga biznesi sidomos ai eksportues i çimentos i cili nënvizon se anijet e tonazhit të lartë kanë problem dhe thellimi do ta zgjidhte këtë situatë.
Një investim i pritshëm, tha Ministri, është në portin e Durrësit, thellimi i portit të Durrësit, ku kompanitë italiane edhe aty do të kenë interes. Sipas tij, është një vlerë afërsisht 10 mln euro për thellimin e portit në mënyrë që porti të rrisë kapacitetet e tij përpunuese.
Ministri u shpreh se po bashkëpunohet edhe me disa kompani shtetërore italiane, ku përmendi kompaninë SNAM, ndër kompanitë më të mëdha të gazit në Europë.
“Kemi një partneritet të avancuar përsa i përket gazifikimit të vendit në të ardhmen. Dhe këtu jemi duke përfunduar një proces për krijimin e një kompanie të përbashkët që do të ofrojë shërbime për TAP-in, por më vonë do të shpërbejë edhe si një ngrehinë ku mund të bazohemi për zhvillimin e sektorit të gazit,’- u shpreh Gjiknuri.
Më tej, ministri Gjiknuri tha se edhe në sektorin e infrastrukturës energjitike, sidomos në linjat e transmetimit, shumë shpejt do të nisë një projekt madhor, i cili do të tenderohet këtë vit, lidhja e Shqipërisë me Maqedoninë.
“Kjo do të thotë se të gjitha ato investime edhe në fushën e burimeve të energjisë së rinovueshme por edhe tendencën që ne kemi për të krijuar një platformë të trajtimit të energjisë, me interkonjeksionet rajonale bëhet e mundur dhe lehtësohet eksporti apo importi I energjisë në të gjitha rrethanat. – u shpreh Ministri Gjiknuri.
Hekurudhat dhe portet për krocera
Duke u ndalur në investimet e pritshme në sektorin hekurudhor, Ministri Gjiknuri theksoi se brenda këtij viti do të fillojnë procedurat për ndërtimin dhe rehabilitimin e hekurudhës Tiranë-Durrës, si edhe ndërtimin e linjës së re që lidh aeroportin e Tiranës me qendrën e Tiranës.
“Ne po zhvillojmë dhe një bashkëpunim me hekurudhat shtetërore italiane për të marrë njohuri, edhe për aspekte të zhvillimit të tregut dhe të të gjithë sektorit hekurudhor. Është një sektor që ka mbetur prapa, por duhet thënë se interesi do të jetë gjithmonë në rritje sidomos përsa i përket mallrave.’ – u shpreh Gjiknuri, ndërsa theksoi se po merren financime nga disa institucione të BE për të përfunduar studimet përkatëse për lidhjen me rrjet hekurudhor, kryesisht për mallrat, të Shqipërisë edhe me Greqinë edhe me Maqedoninë.
“Qeveria shqiptare nuk është e ngurtë në këtë drejtim, pavarësisht se Partneriteti Publik Privat, gjithmonë ngjall sensibilitet politik, por për ne nuk ka rrugë tjetër sepse shteti i ka mundësitë të kufizuara. Shqipëria ende nuk është anëtare e BE, që të mund të përfitonte në mënyrë masive nga fondet e integruara të BE, dhe PPP dhe interesi i kompanive private shihet si zgjidhja e vetme.” – tha Gjiknuri.
Duke u ndalur te portet Gjiknuri theksoi se ka patur një interes të shtuar edhe nga kompanitë e krocierave, të cilëve i interesojnë zgjerimet e porteve shqiptare, ndaj u shpreh se po shihet mundësia që disa porte shqiptare të kthehen në stacione të përhershme për këto ture që sa vjen e shtohen në Mesdhe. Në përfundim Gjiknuri ftoi kompanitë italiane të investojnë në Shqipëri duke garantuar, procedura transparente të konkurrimit në tendera.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.