Rrugët, arnat si model mirëmbajtjeje

20/04/2018 10:07 PM 0 komente

Fokusi i qeverive për të ndërtuar rrugë të reja duke “harruar” mirëmbajtjen e atyre ekzistuese ka dëmtuar seriozisht asetin me vlerë 6 miliardë dollarë të rrjetit rrugor shqiptar. Sot, Shqipëria gjendet para dilemës së modelit që duhet të ndjekë për mirëmbajtjen. Dy alternativat e para, Partneriteti Publik-Privat dhe mirëmbajtja në bazë të performancës kanë treguar se situata nuk është aq e thjeshtë.
Rruga e Kombit u bë precedent që mund të kufizojë nismat e ardhshme të kësaj natyre, ndërkohë që kontratat për 1335 kilometra rrugë pas një viti nga nënshkrimi, nuk kanë kryer asnjë ndërhyrje domethënëse, duke bërë që Banka Botërore të përkeqësojë “notën” për programin 80 milionë dollarësh.
Sot për sot, modeli konkret i mirëmbajtjes është ai i arnave me kontrata deri në 2 vjet, që e gjen të pasqyruar në një pjesë të mirë të rrugëve në vend, fillon me Tiranë-Durrës, arterien kryesore

 

Nga Nertila Maho

 

Shqipëria sot ngjan me një kantier ndërtimi, ku një pjesë e mirë e rrugëve të nisura që në qeverisjen “Berisha”, kanë mbetur të papërfunduara, kurse nën nismën “1 miliard euro” po kalojnë projekte të reja. Vlera e asetit rrugor në vend llogaritet 6 miliardë dollarë, sipas burimeve zyrtare, por në një pjesë të mirë të tij, ky aset shfaqet në gjendje të mjerueshme, me nevojë emergjente për ndërhyrje. Në shumë raste, degradimi i rrugëve ka ardhur si rezultat i mungesës së standardit me të cilën është ndërtuar, në një pjesë tjetër si efekt i ndërhyrjeve të jashtëligjshme dhe në të tjera, si mungesë e mirëmbajtjes rutinë që duhet të ketë çdo rrugë, por që ka munguar ose ka qenë minimal.

Qeveria është para dilemës së modelit që do të ndjekë për mirëmbajtjen e rrjetit në të gjithë vendin, duke kërkuar që të shkëputet nga tradita e kontratave afatshkurtra deri në 2-vjeçare. Por dy zgjedhjet e saj të reja për menaxhimin kanë shfaqur probleme ende pa nisur mirë.
E para, është forma e Partneritetit Publik-Privat që sot e gjejmë të zbatuar te Rruga Kombit. Mirëmbajtja dhe operimi kanë kaluar për një periudhë 30-vjeçare te konsorciumi i përbërë nga dy kompani shqiptare Salillari dhe Kastrati. Por, kur u mendua se çështja e mirëmbajtjes së kësaj rruge u zgjidh, qeveria hasi në rezistencë të gjerë të banorëve të zonës së Kukësit, çka e detyroi atë të tërhiqet për të rishikuar mundësinë e favorizimit me tarifa më lehtësuese për frekuentuesit e shpeshtë. Modeli i koncesionit pësoi thyerjen e parë.

Modeli i dytë i mirëmbajtjes është ai që po asistohet nga konsulenca e Bankës Botërore. Bëhet fjalë për Mirëmbajtjen dhe Sigurinë Rrugore të Bazuar në Rezultate. Kontratat janë nënshkruar në muajt e parë të 2017-s dhe katër kompani do të mirëmbajnë 1335 kilometra rrugë për një afat 5-vjeçar. Por sot që flasim, asnjëra prej tyre nuk ka bërë ndonjë ndërhyrje domethënëse në akse. Kjo erdhi si rezultat i rishikimit të kontratave të nënshkruara, pasi situata faktike e rrugëve nuk përputhej me atë që ishte raportuar.

 

Kush i mirëmban 18 mijë kilometra rrugë, efekti i reformës territoriale

Të dhënat zyrtare tregojnë se Shqipëria ka në total 18,300 kilometra rrugë të ndara në rrugë kombëtare, lokale, urbane apo të bashkive dhe rrugët e aksesit privat. Rrugë primare konsiderohen të paktën 1184 kilometra, kurse kryesore dytësore 359 kilometra. Dytësore 2058 kilometra. Të gjitha këto janë nën administrimin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, kurse bashkitë, nga ana tjetër, kanë nën menaxhim pjesën e rrugëve urbane dhe lokale.

Reforma e re Territoriale që përfshiu 372 komuna dhe bashki në një ndarje të re me vetëm 61 bashki rriti edhe përgjegjësinë që këto të fundit kanë në menaxhimin e asetit të tyre rrugor, por sfidë reale duket se mbetet ekzekutimi dhe financimi për të menaxhuar siç duhet këto asete, që duhet thënë se paraqesin një situatë problematike. Ngërç për këtë pjesë përbën edhe fuqia ende e dobët financiare e bashkive, të cilat mund të financojnë ndërhyrjet taksat lokale dhe nga grantet e pakushtëzuara që transferohen nga qeveria qendrore.

“Gjysma e rrugëve rajonale dhe lokale kategorizohet në një gjendje të keqe ose shumë të keqe. Disa seksione janë të pakalueshme në periudha të ndryshme të vitit, duke u bërë kështu pengesë për aksesin në shërbime shëndetësore apo arsimim, si dhe ndaj qendrave ekonomike. Kushtet ekzistuese të rrugëve rajonale dhe lokale nuk janë në gjendje që t’i shërbejnë industrisë së turizmit në zhvillim dhe pengon zhvillimin e sektorit bujqësor. Përmirësimi i cilësisë së dobët të infrastrukturës ndër kufizimet e tjera është identifikuar si prioritet në dokumente të rëndësishme, përfshirë Planin Kombëtar të Zhvillimit të Territorit dhe Strategjinë e Menaxhimit të Bregdetit 2015-2030, si dhe Strategjinë për Zhvillimin Rural dhe Bujqësor.

Këto dokumente nënvizojnë nevojën për investime në kapacitetet e bashkive për të përmirësuar menaxhimin e destinacioneve turistike.
Mungesa e aksesit në treg është një çështje kryesore dhe duke pasur parasysh se në Shqipëri, industria agroushqimore është përgjegjëse (në mënyrë direkte dhe indirekte) për të paktën gjysmën e vendeve të punës në ekonomi, përmirësimi i aksesit në tregje, përmes ndërlidhjes më të mirë, është kritike për zhvillimin e vendit”, – vlerëson Banka Botërore në një raport të fundit të saj që mban datën 30 mars 2018.

 

Mirëmbajtja e rrugëve në bazë të rezultateve mbetet “pezull”, përkeqësohet vlerësimi

Janë të paktën 1335 kilometra rrugë që duke nisur nga marsi 2017 kanë hyrë në një model të ri mirëmbajtjeje. Kjo lidhet me projektin që ka në bazë performancën dhe që po asistohet nga Banka Botërore, jo vetëm me pjesën e konsulencës, por edhe me një kredi prej 80 milionë dollarësh.

Në total, vlera e projektit është mbi 156 milionë dollarë, ku pjesës së bankës i shtohet edhe kontributi i qeverisë. Por ndërsa në fazat e para të projektit që lidheshin me përgatitjen e dokumentacionit, tenderimin dhe zgjidhjen e fituesve ecuria, konsiderohej nga Banka Botërore si e kënaqshme, në vlerësimin e fundit ka një përkeqësim.

Në raportin e publikuar më 11 prill 2018 nga ky institucion, ecuria e përgjithshme e projektit ka kaluar në “lehtësisht jo i kënaqshëm” nga “lehtësisht i kënaqshëm”, kurse renditja e riskut ka kaluar nga “i moderuar” në “i konsiderueshëm”.
“Përgatitja e projektit dhe punët rehabilituese janë vonuar. Kontratat aktuale zbatojnë aktivitetet që lidhen me mirëmbajtjen për të siguruar një nivel minimal shërbimi për sigurinë dhe mirëmbajtjen e rrugëve” – thuhet në raportin e Bankës.
Në vlerësimin e mëparshëm, banka nënvizonte se kontratat e nënshkruara me katër fituesit kishin shfaqur probleme dhe ishin në fazë rishikimi. “Kontratat e rrugëve po kalojnë në një fazë modifikimi dhe duhet të miratohen sa më shpejt të jetë e mundur, për të garantuar zbatim të suksesshëm dhe në mënyrë që përdoruesit e rrugëve shqiptare të përfitojnë.

Këto çështje lidhen në pjesën më të madhe me volumin e punëve rehabilituese (asfalt dhe të tjera) që janë të nevojshme për të sjellë rrugët në nivele specifike të shërbimit. Volumi i këtyre punëve u keqvlerësua gjatë periudhës së përgatitjes së projektit dhe kushtet e këtyre rrugëve kanë ndryshuar. Po kështu, ka edhe disa çështje të tjera që kanë nevojë të adresohen përmes rishikimit të specifikimeve dhe pjesëve të tjera të kontratës, që ndonjëherë nuk janë të qarta dhe ku ka kontradikta dhe mospërputhje”, – do të shprehej Banka Botërore.
Katër kompanitë që aktualisht kanë një kontratë me ARRSH për mirëmbajtjen në bazë të performancës kanë vijuar të përfitojnë nga fondet. BB raportoi se janë disbursuar deri më tani 9.18 milionë dollarë, nga 80 milionë dollarë që ajo ka financuar për këtë projekt. Mirëmbajtja duhet të kryhet gjatë pesë viteve, ndërkohë që tashmë, viti i parë ka kaluar. Por cilat janë zonat që përfshihen në këtë regjim mirëmbajtjeje dhe kontratat respektive.

E para, është zona A që përfshin Rajonin Verior Shkodër-Kukës, me gjatësi në kilometra 278,9 dhe me vlerë 21.2 milionë euro që është marrë nën menaxhim nga (JV) BIOLIAP A.T.E.V.E. & GECI LTD.

E dyta, është zona B që përfshin Rajonin Veri /Qendër/Lindje – Tiranë – Dibër, me gjatësi 286 kilometra dhe me vlerë 19.6 milionë euro, e fituar edhe kjo nga (JV) BIOLIAP A.T.E.V.E. & GECI LTD.

E treta, zona C, përfshin rajonin Qendër/Jugor Lindje Fier-Elbasan – Korçë, me gjatësi 419 kilometra, me vlerë 11.6 milionë euro dhe e lidhur me kompaninë Rawafed Al-torok Contracting Establishment.

E katërta zona D, rajoni jugor-Vlorë-Gjirokastër, me gjatësi 350 kilometra, vlerë 13.7 milionë euro dhe operator fitues Elicatechnical Commerce Societa & Salillari sh.p.k.

 

Mirëmbajtja përmes PPP, një model që synohet përtej Rrugës së Kombit

Rruga Milot-Morinë, apo e njohur si Rruga e Kombit, është e para që qeveria zgjodhi ta kalonte te privati menaxhimin dhe mirëmbajtjen përmes procedurës së njohur të Partneritetit Publik-Privat.

Rruga që u ka kushtuar më shtrenjtë shqiptarëve nuk ka përfunduar ende, të paktën sipas deklaratave të qeverisë, koncesionarit i duhet të investojë edhe 200 milionë euro në vepra arti dhe ndërhyrje të nevojshme. Sakaq, vetëm kostoja e mirëmbajtjes është vlerësuar si e kripur, pasi rruga kalon në terrene të vështira, duke kërkuar shpenzime të konsiderueshme.

Sipas kontratës së nënshkruar me koncesionarin, në rrugë do të aplikohen tarifa të diferencuara sipas llojit të mjetit, duke nisur nga 2.5 euro për motorët, në 5 euro për veturat në 11.2 euro për autobusët dhe kamionçinat në 16.2 euro kamion i mesëm dhe 22.5 euro për kamionët e rëndë. Të gjitha këto llogaritet që t’i mundësojnë koncesionarit operimin, mirëmbajtjen, investimet e tjera të nevojshme dhe marzh fitimi. Por koncesioni u kundërshtua në masë nga banorët e zonës, të cilët u përplasën në një protestë me policinë dhe u vunë flakën stacioneve të pagesës.

Nga ajo ditë, qeveria nuk është më e qartë për atë se çfarë do të ndodhë. Ka bërë të qartë se nuk është tërhequr nga koncesioni, rruga do të vazhdojë të operohet nga konsorciumi privat, por është vënë në diskutim gjetja e një zgjidhje për banorët e zonave përreth. Ministria për Transportin dhe Infrastrukturën bëri të ditur se do të ketë një studim të veçantë për të identifikuar ata që do të quhen frekuentues të shpeshtë dhe që do të përfitojnë tarifa të reduktuara. Kompania nuk po aplikon me tarifat për kalimin në rrugë, duke lënë në fuqi një fazë tranzicioni të deklaruar nga qeveria deri në saktësimin e disa detajeve.

Praktikisht, modeli i parë i mirëmbajtjes dhe operimit me PPP po rezulton problematik, një situatë që paralajmëron se nuk do të jetë aspak e lehtë të zbatohet si skemë në rrugë të tjera. BERZH, në vitin 2011 do të propozonte për herë të parë mundësitë e tarifimit të rrugëve, duke vënë theksin te dy projekte ku ajo do të ishte aktive Bypass-i i Vlorës dhe Fierit. Për të shlyer kredinë që po financohej në këto akse, BERZH do të shprehej në atë kohë se vendosja e një stacioni pagese do të ishte një alternativë për qeverinë, duke qenë se opsioni i dytë i qarkullimit ishte i pranishëm. Por vetëm në vitin 2015, konsulenti Egnatia Odos do të ndërmerre një studim të plotë për rrugët me mbështetjen e BERZH dhe do të dilte me propozimin e një liste që mund të kalonin si rrugë me pagesë.

E para ishte ajo Tiranë-Durrës, më pas Tiranë-Elbasan, Rruga e Arbrit, Levan-Vlorë, Durrës-Fier, Levan-Tepelenë, Elbasan-Kapshticë dhe Tiranë-Hani i Hotit. Deri më tani, qeveria nuk ka komentuar me zë të plotë mundësinë për të kaluar këto rrugë te privati, për shërbimin e mirëmbajtjes dhe operimit, por gjasat janë që nëse jo të gjitha, një pjesë e mirë e tyre të kalojë te privati.

Rruga e Arbrit tashmë është në proces ndërtimi nga Gjoka Konstruksion dhe kontrata e kësaj të fundit kaloi në qeveri në fund të muajit mars. Vlera e projektit llogaritet në 240 milionë euro. Ashtu si Rruga e Kombit, ekspertët vlerësojnë se trafiku, që pritet të qarkullojë në këtë rrugë, nuk do të mbulojë dot kostot e mirëmbajtjes dhe dhënia e saj me koncesion do të rezultojë me tarifa të kripura.

Nga ana tjetër, rruga Tiranë-Durrës, në gjendjen e degraduar në të cilën ndodhet, nuk pritet që të kalojë edhe për disa vite te privati. Qeveria ka deklaruar se do të bëhet një investim prej 11 milionë eurosh për të hedhur disa shtresa asfalt që do t’i zgjasin jetëgjatësinë edhe për disa vite, ndërkohë që një investim tërësor kërkon 30 milionë euro. Kalimi te privati i mirëmbajtjes dhe operimit përmes skemës së PPP i rrugëve të tjera nuk është surprizë, por përpara kësaj nisme, qeveria e sotme apo e nesërme duhet të ketë parasysh precedentin e Kukësit dhe koston politike të rritjes së grupit të atyre që preken nga këto masa. Në letër, rrugët dhe tarifat opsionale janë gati, në praktikë modeli mund të dështojë.

 

Qindra milionë dollarë nëpër rrugë, por turizmi e tregtia mbeten peng i infrastrukturës

Rrugët kombëtare nuk janë të vetmet që kanë marrë qindra milionë euro. Por në këtë lumë borxhesh që na janë mundësuar nga institucionet financiare ndërkombëtare kanë përfituar edhe rrugët e dorës së dytë. Fillimisht do të ishte projekti që Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të zbatonte nga vitit 2008-2016, me rrugët dytësore. Në total u investuan 386 milionë dollarë dhe u përmirësuan 1200 kilometra rrugë rurale në 12 rajone dhe 61 bashki, duke ndikuar në përmirësimin e lëvizshmërisë për mbi 2 milionë banorë.

Por ndërsa investimet e para janë bërë për të përmirësuar cilësinë e jetesës në zonat rurale, politikat që po propozohen sot janë ato të planifikimit më të saktë dhe prioritarizimit. Pra investimet në infrastrukturë duhet të bëhen sipas logjikës së ndikimit më të madh ekonomik. Në vijim të kësaj, Banka Botërore sapo ka miratuar një kredi prej 50 milionë dollarësh që do të shkojë për disa projekte në rrugë lokale dhe rajonale. Në të njëjtën shumë, prej 50 milionë dollarësh, ka gjasa që këtij projekti t’i bashkohet edhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, por me një profil pak më të ndryshëm.

“Nën një projekt të ndërlidhjes së rrugëve lokale dhe rajonale, ka një qasje më rigoroze drejt prioritarizimit, i konceptuar për zgjedhjen e projekteve të rrugëve që kanë edhe ndikimin më të madh në bujqësi dhe turizëm. Ky proces mundëson një shembull për investimet, prioritarizmin, transparencën dhe qeverisjen në një nivel lokal. Po kështu, është në një linjë me prioritetet e qeverisë për zhvillimin rural.

Mirëmbajtja e rrjetit rrugor ka qenë në mënyrë sistematike e nënfinancuar, duke minuar në këtë mënyrë qëndrueshmërinë e sektorit. Në vitin 2016, shpenzimet për mirëmbajtjen në rrugët rajonale dhe lokale ishin afërsisht 300 euro kilometri në vit, që është vlerë e ulët dhe e mjaftueshme vetëm për të mbuluar një mirëmbajtje rutinë, duke mos përfshirë pagesë për mirëmbajtje apo përmirësime periodike. Mungesa e mirëmbajtjes, sipas standardeve të duhura, ka çuar në dëmtimin e asetit rrugor, shpeshherë në nevojë për rehabilitim”, – vlerëson Banka Botërore në raportin e saj të fundit.

I njëjti nënvizon se programi i ri për rrugët lokale dhe rajonale do të fokusohet në ndërtimin e kapaciteteve me bashkitë e reja të fuqizuara për të menaxhuar dhe për të zhvilluar, rehabilitimin dhe mirëmbajtjen e rrjetit të tyre rrugor. Në shtesë të kësaj për të prioritarizuar seksionet më të rëndësishme program do të mbështesë në prezantimin e sistemeve të thjeshta të menaxhimit për të përmirësuar planifikimin e mirëmbajtjes, si dhe zhvillimin e marrëveshjeve të ofrimit të shërbimit të mirëmbajtës përmes ekzekutimit efektiv dhe në fund, mbështetjen dhe zhvillimin e mundësive të qëndrueshme të financimit për rrjetin rrugor. Projekti do të jetë i harmonizuar edhe me nismën e qeverisë të njohur si “100 fshatrat”. Duke vënë në funksion prioritarizimin tre rrugët e para, ku do të ndërhyhet janë Fier-Seman me gjatësi 18.2 kilometra, me një trafik ditor prej 3562 mjetesh, Pogradec-Tushemisht, me gjatësi 4 kilometra dhe me trafik ditor prej 955 mjetesh në ditë dhe Qafë Thore-Theth me gjatësi 16 kilometra dhe me një trafik ditor mesatar prej 1091 mjetesh.

Ndikimi që pritet të japë ndërhyrja fillimisht në këto tre projekte është pozitiv për 80 mijë banorë të zonës. Në qershor 2017, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe bashkitë në të gjithë vendin nxorën një listë me rrugët që kishin nevojën më emergjente për ndërhyrje. Nga ky grup u bë rivlerësimi edhe një herë në muajin gusht 2017, duke e harmonizuar këtë më pas edhe me nismat e qeverisë për “100 fshatrat”. Në total rezultoi që janë të paktën 200 kilometra rrugë që sipas analizave ekonomike të tyre, por edhe kushteve kanë nevojë për ndërhyrje.

Pjesa më e madhe e tyre kanë një trafik mesatar mbi 1 mijë mjete në ditë. Kostoja për ndërhyrjen tek të gjitha këto akse është 109 milionë dollar dhe përfitues direktë janë mbi 251 mijë banorë.

 

ARRSH raportoi 22 milionë euro ndërhyrje në 17 akse në gjithë vendin

Mandati i dytë i qeverisë ‘Rama 2’ nisi me një vrull deklaratash për reformat në vijim ku, mes të tjerave, zuri vend antikanabizmi, reforma në sektorin e ujit dhe ajo në administratë. Për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, aksioni në rrugë nisi nga tabelat. Për më shumë se një muaj, Autoriteti Rrugor Shqiptar u fokusua në këtë aksion. Vëmendja në këtë pikë nuk erdhi rastësisht, pasi lidhet direkt me angazhimet që rrjedhin nga Memorandumi i Mirëkuptimit për zhvillimin e Rrjetit kryesor rrugor rajonal.

Në vitin 2014, të paktën 19 akse rrugore u futën në sitë për t’u inspektuar me fokus sigurinë rrugore nën detyrimin që vinte nga SEETO. Inspektimi do të dilte në përfundimin se problemet kryesore të hasura lidheshin me: gjeometrinë e rrugëve, trotuaret dhe asfaltin, sinjalizimi, aksesi në rrugë, ndriçimi, aksesi për këmbësorët dhe përdoruesit vulnerabël të rrugës apo transporti publik, Për këtë u rekomandua që të gjithë rrugët e aksesit duhet të ishin në përputhje me kategorinë dhe standardet e ndërtimit. Po kështu, duhet të rregulloheshin të gjithë dëmtimet në shtresat e asfaltit.

Së treti, të hiqeshin nga rrugët të gjithë tabelat apo strukturat në kundërshtim me Kodin Rrugor.
Së katërti, të bëhej një rifreskim i të gjithë shënjimeve në rrugë.

Së pesti, shembja e ndërtimeve në kundërshtim me ligjin të ngritur në akset kombëtare.

Së gjashti, të gjendeshin zgjidhje gjeometrike që përmirësojnë aksesin në rrugë si rreth-rrotullime apo elemente të tjera. Së fundmi, efektivitet më të lartë në fazën e mbikëqyrjes kur kryhen ndërtime, përmirësime apo rehabilitime. Bazuar në këto rekomandime, ARRSH raportoi se në harkun 2014-2017, kreu ndërhyrje me vlerë 22 milionë euro në të paktën 17 akse në vend. Përgjithësisht ndërhyrjet karakterizohen nga përmirësimi në funksion të rritjes së sigurisë dhe akse të tilla janë Kashar-Durrës, me vlerë 1.8 milionë euro apo Kashar-Rinas, me vlerë mbi 1.5 milionë euro apo ndërhyrje nga rreth-rrotullimi Doganës në Kashar, me vlerë 1.5 milionë euro.

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz