Rrugët e Jugut, gati ndërhyrja në Qeparo-Kuç, hapet faza e parakulifikimit

09/03/2018 11:14 AM 0 komente

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur fazën e parakualifikimit të kompanive për ndërtimin e 23.7 kilometrave rrugë në Jug të vendit dhe konkretisht bëhet fjalë për segmentin Ura e Laskos-Qeparo dhe Ura e Laskos-Kuç. Projekti është pjesë e financimit të dhënë nga Fondi Kuvajtian për Rrugën e Lumit të Vlorës, një projekt i lakuar shpesh nga qeveria gjatë këtyre viteve.

Fondi bëri me dije se tashmë është hapur faza e parë e parakualifikimit që do të thotë që kompanitë e interesuara për zbatimin e projektit të mund të dorëzojnë dokumentet e nevojshme për këtë fazë. Procedura është e hapur si për firmat shqiptare ashtu edhe ato të huaja të vetme apo joint-venture.

Rruga Ura e Laskos-Qeparo dhe Ura e Laskos-Kuç në zonën e Himarës ndodhet në një terren relativisht malor dhe vlerësohet se punimet për përfundimin  e saj të jenë të paktën 24 muaj.

Projekti i rrugës së Lumit të Vlorës konsiderohet i rëndësishëm pasi prek disa nga arteritet kryesore infrastrukturore të Jugut dhe i jep zgjidhje problematikës së vazhdueshme që ka pasur ky rajon me infrastrukturën, një situatë që bëhet më evidente në sezonin turistik veror.

Projekti krijon lidhje mes Vlorës dhe zonës së Bregut të Jugut duke e bërë më të lehtë qarkullimin por edhe më të preferuar zonën periferike të Jonit në raport me Dhërmiun apo fshatrat e tjerë të vendosura poshtë Llogarasë.  Në total për gjithë projektin janë llogaritur ndërhyrje në 94 kilometra e ndarë në disa lote.

Financues të këtij projekti janë Fondi Kuvajtian me 40 milionë USD, Fondi Saudit me 30 milionë USD dhe Qeveria Shqiptare me 11 milionë USD.

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz