Oltion Rrumbullaku, Profesor i Çështjeve Fiskale ne Universitetin e Tiranës
Turizmi shqiptar ka një problem themelor që duhet kohë që ta tejkalojmë. Në Shqipëri mungojnë strukturat hoteliere masive që mund të akomodojnë grupe të mëdha të organizuara turistike.
Gjeografikisht jemi pranë shteteve që përdorin në mënyrë të gjerë këtë lloj turizmi, por që nuk mund të përfitojmë qoftë edhe në mënyrë sporadike apo anësore. Një grup i madh me 200-300 turistë aziatikë mund të qëndrojë disa ditë në Kroaci apo Mal të Zi dhe më pas në Greqi, duke kaluar tangjent në Shqipëri pa përdorur hotelet tona, për shkak të mungesës së grupeve hoteliere gjigante pranë pikave kryesore turistike. Ligji për Investimet Strategjike duhet të përdorej në mënyrë më të drejtpërdrejtë për këtë qëllim, por me sa duket është ende e vështirë për investimet e tilla që të interesohen për Shqipërinë dhe që të tejkalojnë të gjithë pengesat burokratike që krijohen këtu tek ne. Nga ana tjetër, qasja e biznesmenëve vendas për të përdorur bregdetin për investime rezidenciale është një tjetër pengesë në këtë drejtim, sepse sidoqoftë investimet nuk mund të jenë të panumërta. Aktualisht në zonat bregdetare po vazhdon në mënyrë të ethshme ndërtimi i rezidencave përkundrejt hoteleve.
Trajtimi fiskal i bizneseve të vogla në Shqipëri ka një favorizim të jashtëzakonshëm, i pangjarë në asnjë shtet tjetër në zonën e Europës Lindore, Ballkan e më gjerë. Më në fund po merret një vendim që e ndryshon paksa këtë qasje. Në këtë situatë nuk ndryshon tatimi mbi fitimin apo mbi të ardhurat personale, por vetëm pragu i TVSH-së. Deri në vitin 2015, pjesa dërrmuese e bizneseve të vogla e të mesme që shesin me pakicë mallra apo shërbime drejt konsumatorit ishin jashtë TVSH-së duke deklaruar xhiro shumë më të ulëta. Pas fushatës së informalitetit, kjo sjellje filloi të ndryshojë dhe administrata tatimore realizoi transferimin e mijëra bizneseve në pragjet më të sipërme, mbi 5 milionë dhe mbi 8 milionë. Gjithsesi, për shkak se pragjet tatimore janë pranë njëri-tjetrit, përsëri ishte e vështirë që pragu 5 milionë të kishte një zbatim të përpiktë të deklarimit të xhirove. Në këto kushte, përgjithësisht shtetet përdorin uljen e mëtejshme të pragut, për të qenë më të drejtë në shënjestrimin e subjekteve që në të vërtetë realizojnë xhiro më të lartë. Për pasojë, ulja e TVSH-së në pragun 2 milionë, besoj se mund të konsiderohet një zgjidhje optimale. Personalisht, që në krye të herës kisha shfaqur opinionin që është e domosdoshme një ulje deri në 2 milionë lekë, në mënyrë që bizneset që strehohen poshtë pragut 5 milionë duke pasur një xhiro shumë më të lartë, të kenë të pamundur shmangien e TVSH-së. Njëkohësisht ky nivel i pragut është në përmasa të ngjashme me shtetet fqinjë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.