Si u nda torta e fitimeve në ekonominë shqiptare në vitin 2017. Mbizotërojnë koncesionet, bankat dhe kompanitë e lojërave të fatit. Ndërsa për bankat, fitimet e larta lidhen më së shumti me rimarrjen e provigjoneve, për lojërat e fatit ky është viti i katërt radhazi që ky biznes njeh rritje dyshifrore dhe norma kthimi në rreth 50%. Sa janë normat e fitimit sipas sektorëve kryesorë dhe cilat janë 10 subjektet me përfitueshmërinë më të lartë, që marrin mbrapsht si fitim, më shumë se gjysmën e të ardhurave të realizuara gjatë vitit?
Nga Ornela Liperi
Panorama është sa zhgënjyese, aq edhe ironike, për një investitor që do të donte të derdhte kapital në Shqipëri, në kërkim të një norme kthimi sa më të lartë. Sipërmarrjet që kanë normë më të lartë përfitueshmërie në vend janë lojërat e fatit, me kthim deri në 70%, apo dhe koncesionet. Për të dyja, nuhatja në biznes, aftësitë organizative dhe studimet e tregut nuk hyjnë shumë në punë.
Lojërat e fatit kanë shënuar rritje dyshifrore të të ardhurave, paradoksalisht që pas aksionit të qeverisë “Fundi i Marrëzisë” në gjysmën e dytë të 2013-s, teksa normat e fitimit mbeten më të lartat në ekonomi, duke i kaluar edhe 50%.
Koncesionet kanë qenë historikisht biznese “të dhuruara”, me treg të sigurt, mungesë konkurrence e fitime të larta. Edhe për këto biznese mungon një analizë e qartë kosto-përfitime, llogaridhënia është e ulët dhe kontratat vetëm ndryshojnë formë, por nuk prishen asnjëherë dhe rrallë arrihet që publiku të përfitojë më shumë nga ky rinegocim, përkundrazi në disa raste, termat e koncesionit janë ndryshuar në favor të koncesionarit.
Edhe bankat kryesojnë në renditjen e sipërmarrjeve me fitime më të larta në vlerë absolute, kryesisht si rrjedhojë e rimarrjes së provigjoneve pas uljes së kredive të këqija, teksa të ardhurat prej disa vitesh nuk po rriten, në një mjedis me norma të ulëta interesi dhe me një total kredie ndaj biznesit që nuk po njeh zgjerim në vitin e fundit.
Ndërtimi është në një periudhë të mirë ciklike dhe po gjeneron fitime të larta, ndaj nuk është çudi që i gjithë kapitali i lirë po shkon drejt këtij sektori, duke krijuar me shumë gjasa një tepri në ofertë. Qiradhënia, sidomos ajo e praktikuar në qendra tregtare të pozicionuara mirë dhe me infrastrukturën e nevojshme për të përballuar flukse të mëdha njerëzish, po rezulton një tjetër sektor që mund të sjellë fitime të larta, por, jo për të gjithë.
Sipas të dhënave nga bilancet e kompanive, të përpunuara nga “Monitor”, 100 subjektet me fitim më të lartë në vend, fituan në total rreth 70 miliardë lekë, ose rreth 540 milionë euro, me një rritje prej 13% në krahasim me 100 sipërmarrjet me fitime më të larta në 2016-n.
Kjo shumë përbën 33% të të gjitha fitimeve të deklaruara në Shqipëri në 2017-n. (bazuar në tatimfitimin e paguar në 2017-n, fitimet totale të biznesit arrijnë në 210 miliardë lekë). Fitimet e 100 subjekteve janë sa 4.8% e asaj që prodhon ekonomia në një vit (Prodhimi i Brendshëm Bruto).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.