Banka Qendrore e Rumanisë mbajti të pandryshuara normat e interesit në nivelin më të ulët rekord prej 1.75%, duke vendosur një balancë midis ndikimit të inflacionit negativ dhe planeve të zgjerimit fiskal të qeverisë.
Guvernatori i BQ rumune, Mugur Isarescu, tha se inflacioni do të rikthehet në terrenet pozitive në tremujorin e parë, por do të jetë më i ulët se parashikimi fillestar.
Çmimet e konsumatorëve ranë më shumë se sa pritej në nëntor dhe qenë në terrene negative në të gjithë 2016-n për shkak se TVSH-ja u reduktua dhe çmimet e energjisë ranë. Banka Qendrore, e cila synon një inflacion që luhatet në normat 1.5-3.5%, e ka përllogaritur atë nga rreth -0.4 në fund të 2016-s në 2.1% në fund të 2017-s. Vlerësimet më të fundit rikonfimojnë se inflacioni do t’u kthehet ritmeve pozitive të rritjes në tremujorin e parë të 2017-s, tha për gazetarët Isarescu. Megjithatë, niveli i pritur vjetor i inflacionit, do të jetë i ulët.