BERZH-i së bashku me Mid Europa Partners, po përpiqen që të forcojnë sa më shumë rritjen e shpejtë të rrjetit të supermarketeve “Profi Rom Food S.R.L.”, duke i siguruar një fond investimi prej 25 milionë eurosh. Profi ka rreth 523 dyqane në të gjithë Rumaninë. Financimi i BERZH-it do të mbështesë zgjerimin e mëtejshëm të këtij rrjeti, veçanërisht në qytetet më të vogla të vendit.
Mid Europa Partners, një firmë private kapitali e fokusuar në vendet e Europës Qendrore dhe asaj Juglindore, përvetësoi 100% të aksioneve të Profi Room Food nga Fondi VI i Sipërmarrjes Polake në nëntor të vitit të kaluar. Mid Europa Partners është investitori kryesor blerës, me mbi 4.6 miliardë euro fonde të ngritura dhe të menaxhuara që nga fillimi dhe është një nga partnerët afatgjatë të BERZH-it.
Matteo Patrone, drejtor për Rajonin e Rumanisë dhe Bullgarisë të BERZH-it, tha se “Me mbështetjen tonë, Profi do të hapë qindra dyqane të reja në të dyja këto shtete, duke u ofruar klientëve mundësinë për të blerë produkte me çmime të përballueshme, gjë kjo që do të ndikojë në rritjen e ekonomisë së vendit dhe në krijimin e vendeve të reja të punës.
Nga zgjerimi i shtrirjes së këtij rrjeti nuk do të përfitojnë vetëm konsumatorët, por edhe prodhuesit vendorë, të cilët do të kenë më shumë mundësi për të shitur prodhimet e tyre.
Miljan Zdrale, drejtor në sektorin e Agrobiznesit të BERZH-it, në Europën Qendrore, Jugore dhe atë Lindore, tha se “zhvillimi modern i shitjeve me pakicë është një element kyç në rritjen e performancës ekonomike dhe standardeve të jetesës”.