Administrimi tatimor, korrupsioni dhe mungesa e madhe stabilitetit politik janë pengesat më të mëdha për të bërë biznes në Rumani, sipas analizës së re nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
BERZH dhe Banka Botërore kryen raundin e pestë të anketës së tyre mbi Mjedisin e Biznesit dhe Performancës së Ndërmarrjeve (BEEPS) në 2013 dhe 2014, në 29 vende të Europës Qendrore dhe Lindore dhe Azisë Qendrore.
Administrimi tatimor u shfaq si pengesa kryesore në Rumani.
Rreth 18% e kohës së menaxhimit të lartë shpenzohej me rregulloret e taksave, një rritje prej 6 pikë përqindje në krahasim me edicionin e mëparshëm të anketës, dhe mbi mesataren prej 14.3% të Europës Juglindore.
Aktivitetet e pataksuara, të padeklaruara, arrijnë në më shumë se 28% të prodhimit kombëtar, shifër kjo që e pozicionon Rumaninë të dytën vetëm pas Bullgarisë në BE për nga madhësia e ekonomisë informale si përqindje e PBB-së. Megjithatë, menaxherët pranuan se Rumania ka bërë disa përparime me reduktimin e frekuencës së pagesave të taksave nga tre muaj deri dy herë në vit dhe futjen e sistemit elektronik për klasifikimin dhe pagesën e taksave.
Korrupsioni mbetet një problem serioz në Rumani, përkundër përmirësimeve të rëndësishme në të gjithë treguesit e lidhur me korrupsionin, tregon anketa. Përqindja e firmave rumune që thanë se janë pyetur në lidhje me pagesat informale për të marrë leje ndërtimi ose në takime me zyrtarët e taksave ishte më e ulët se mesatarja e EJL, por mbi mesataren e anëtarëve të tjerë të BE-së në Europën Qendrore dhe shtetet baltike.
Stabiliteti politik është rritur pas vitit 2012, kur Partia Social Demokratike (PSD) fitoi si zgjedhjet lokale, ashtu dhe ato të përgjithshme, duke marrë një shumicë të fortë të vendeve në Parlament, por u prek negativisht nga divergjencat mes kryeministrit dhe presidentit të atëhershëm, që ‘kulmuan’ në 2013, me përpjekjen e dështuar për të paditur këtë të fundit, sipas raportit.