Banka Kombëtare e Rumanisë do të përmbushë 2 objektivat e saj për këtë vit, stabilitetin e çmimeve dhe stabilitetin financiar, tha javën e kaluar, Guvernatori i Bankës Qendrore, Mugur Isaresku, kur ai paraqiti një Raport mbi Stabilitetin Financiar. Ai shpjegoi se indeksi i çmimeve të konsumit do të arrinte brenda intervalit të parashikuar prej 2.5% nga Banka Kombëtare.
Nga ana tjetër, Mugur Isaresku tha se kalimi në euro është një objektiv madhor, i cili mund të veprojë si një katalizator i ndryshimeve pozitive në vend. Guvernatori i Bankës Kombëtare shtoi se hendeku i PBB-së midis Rumanisë dhe shteteve të tjera anëtare të BE-së është ngushtuar ndjeshëm.
PBB-ja e barazisë së fuqisë blerëse për frymë është rritur nga 40% e mesatares së BE-së në vitin 2007 në mbi 60%. Por, sipas Mugur Isareskut, edhe pse Rumania ka bërë njëfarë progresi, ajo ende ka një rrugë të gjatë për të bërë në këtë drejtim. Në 12 vitet e fundit që Rumania ka qenë pjesë e BE-së, progresi i bërë nga shoqëria rumune ka qenë mjaft i dukshëm. Ajo ka shënuar njëkohësisht edhe ritmin më të shpejtë të konvergjencës midis shteteve më të reja anëtare të BE-së.
Kjo është një ecuri e jashtëzakonshme, por duhet të vazhdojë me të njëjtin ritëm të lartë, që kërkon njëkohësisht edhe më shumë saktësi dhe mbi të gjitha me një cilësi superiore në administratën publike në përgjithësi. Ne kemi nevojë për shumë gjëra, investime të konsiderueshme në infrastrukturë, dhe miratimin e standardeve të larta të praktikës administrative të vendeve të tjera të BE-së, tha më tej z. Isaresku.
Nga ana tjetër, zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore, Liviu Voinea, tha se një prej arritjeve më të mëdha dhe më pozitive është ekzistenca e një rreziku shumë të ulët për të mbinxehur ekonominë. Ai shtoi se norma e inflacionit po kthehet në objektivin e synuar dhe vlerësoi se do të arrijë në 3.5% në fund të këtij viti dhe në 2.9% në 2019.
Në të njëjtën kohë, borxhi qeveritar ka rënë me 1% krahasuar me fundin e vitit 2017, duke shkuar në 34.1% të PBB-së në fund të qershorit të këtij viti, përkundër sfondit të rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe mbetet nën pragun kritik të procedurës së monitorimit të Komisionit Europian, e cila është 60% e PBB-së.
Sipas të njëjtit raport, norma e papunësisë ka shënuar rënie, duke shkuar në 4.2% në tremujorin e tretë të këtij viti, ndërkohë që shkalla e punësimit ka ndjekur të njëjtin trend pozitiv të periudhës së mëparshme, duke shkuar deri në 70% në tremujorin e dytë të vitit 2018. Sektori bankar mbetet i shëndetshëm. Në raport përmenden edhe disa mangësi të ekonomisë rumune, si për shembull rënia demografike.