Imazhi i shumë kamionëve që mund të mbeten në kufi në rast se nuk arrihet të nënshkruhet asnjë marrëveshje Brexit, duhet t’u kujtojë gjithashtu njerëzve përgjegjës, për vonesat me të cilat do të përballen kompanitë rumune që eksportojnë në zonën e Schengen, shkruan ministri rumun për Mjedisin e Biznesit, Tregtinë dhe Sipërmarrjen, Stefan Radu Oprea.
“Të gjithë ne kemi qenë të vëmendshëm ndaj lajmeve të fundit në lidhje me çështjen e Brexit dhe me votimin e Parlamentit britanik. Ajo çka më bëri përshtypje dhe më tërhoqi vëmendjen ishte një artikull i publikuar së fundmi, i cili shoqërohej edhe me një foto të një radhe të gjatë kamionësh në doganë. Fatkeqësisht, ky është skenari i padëshiruar në rast të mosnënshkrimit të një marrëveshjeje mbi Brexit.
E pranoj dhe bie dakord me shqetësimin që ekziston në nivel europian për mundësinë e përballjes me këto kontrolle doganore. Ndikimi që ato mund të kenë në ekonominë europiane vështirë të vlerësohet, sidomos në bizneset e vogla që janë përgjegjëse për 85% të vendeve të punës në Europë.
Megjithatë, imazhi i atij artikulli më kujtoi për një tjetër realitet europian, i cili duhet të ngrejë shqetësime për shkak të ekzistencës së tij, por edhe të efekteve të përditshme që mund të ketë. Këtu jam duke iu referuar zonës Schengen. Një person kureshtar do të përqendrohej në imazhet e sotme të kufijve rumunë me zonën e Schengen. Ky imazh nuk është pjesë e fenomenit të rrjeteve sociale të njohur si #10yearschallenge, por pjesë e një ndryshimi që ndodh ditë pas dite”.
Investitorët kryesorë në Rumani janë Holanda, me një vlerë investimesh prej 19.6 miliardë eurosh deri në fund të vitit 2017, ndjekur nga Gjermania me 9.7 miliardë euro dhe Austria me 9.5 miliardë euro. Eksportuesit kryesorë nga Rumania janë kompani si Dacia-Renault, Ford, Daimler, Rompetrol ose Continental dhe kategoritë kryesore të produkteve të eksportuara janë makineritë dhe pajisjet për transport, mallra, ushqime dhe lëndë djegëse, ku destinacioni final i të gjithave janë tregjet europiane.
“Si ministër i Mjedisit të Biznesit, zhvilloj shpesh takime me investitorë dhe sipërmarrës të huaj në Rumani, me të cilët diskutoj edhe mbi humbjet dhe problemet me të cilat ata janë përballur gjatë eksportimit në Tregun e Përbashkët, tha Stefan Radu Oprea”.
Më shumë se 75% e eksporteve rumune, afërsisht rreth 67.7 miliardë euro, kanë destinacion tregun e përbashkët. Radhët në doganë mund të zgjasin për një kohë të gjatë. Kjo periudhë varion nga gjysmë dite në dy ditë.
Humbjet me të cilat përballen eksportuesit, kompanitë shumëkombëshe ose NVM-të, pavarësisht nga origjina e kapitalit të tyre, janë shumë të mëdha. Trafiku i kamionëve të regjistruar në pikën e kalimit kufitar në vitin 2018 ishte si më poshtë: numri i kamionëve që hynë në Hungari në 2018 ishte 1,037,113 kamionë kurse i atyre që dolën nga Hungaria, 1,245,418 kamionë, në një total prej 2,282,531 kamionësh. Numri i kamionëve që hynë në Bullgari gjatë 2018 ishte 698,192 kamionë, ndërsa numri i atyre që dolën nga Bullgaria ishte 698,192, në një total prej 1,388,894 kamionësh.
Nëse do të llogarisim një kosto mesatare prej 10 eurosh në orë për një kamion që qëndron në pikën kufitare të doganës së Hungarisë për rreth 6 orë, humbjet do të shkonin në rreth 137 milionë euro. Konkurrenca e ekonomisë rumune është gjithashtu një prej elementeve që ndikohet negativisht. Koha e humbur në dogana nënkupton shpenzime të drejtpërdrejta si për kompanitë eksportuese, edhe për transportuesit.
Është shumë frustuese për eksportuesit rumunë të dëgjojnë gjithmonë se nga pikëpamja teknike, Rumania është e gatshme të bashkohet me zonën e Schengen. Janë bërë përpjekje të rëndësishme për modernizimin e infrastrukturës doganore të Rumanisë, si në kufijtë e saj tokësorë, detarë, ashtu edhe ata ajrorë. Të dhënat statistikore doganore tregojnë se Rumania është një vend i sigurt, por ajo çka mungon është konsensusi politik i Shteteve Anëtare.
Kur flasim për “Kohezionin, një vlerë e përbashkët europiane” dhe të ardhmen e Bashkimit Europian, ne duhet të marrim parasysh edhe nevojat e qytetarëve dhe kompanive të tjera jashtë zonës së Schengen, si Rumania dhe Bullgaria. Ndjenja pro-europiane në këtë pjesë të Europës mund të zvogëlohet nëse keqpërdoret nga politikanët e Shteteve të tjera Anëtare. Besoj se zëri i mjedisit të biznesit duhet të dëgjohet më mirë nga politikanët në momentin kur produktiviteti dhe fitimi i kompanive të tyre preken nga barrierat artificiale. Çmimi përfundimtar i një produkti gjithmonë reflekton kostot. Dhe kjo kosto është në kurriz të qytetarëve europianë.