Guvernatori i Bankës Qendrore të Rumanisë ka shprehur vërejtjet mbi ekonominë në dukje të lulëzuar të vendit, duke përfshirë këtu edhe rrezikun e një defekti të mundshëm tregtar.
Shefi i Bankës Qendrore të Rumanisë, Mugur Isaresku, bëri të ditur shqetësimin në lidhje me deficitin e lartë tregtar, duke lënë pas edhe parashikimet optimiste të rritjes që vijnë nga Komisioni Europian.
Rumania do të përballet me riskun e një deficiti të lartë tregtar në 2017, vetëm nëse qeveria shtyn investimet dhe shkurtimet e taksave, tha ai.
Z. Isaresku shtoi se inflacioni do të rritet nga 1.9% që ka qenë në fillim të këtij viti në 2.7% në fund të tij, për shkak të rritjes së importeve, kostove të prodhimit dhe eksporteve të ulëta.
Monedha rumune humbi shumë pikë ndaj euros të mërkurën e kaluar, duke shënuar nivelin më të ulët në pesë vitet e fundit, dhe e gjithë kjo për shkak të deficitit të lartë tregtar.
“Ne ende kemi një politikë prociklike fiskale dhe një politikë të të ardhurave”.
Të dhënat tregojnë se tani ne ndoshta mund të përmbushim kërkesat e BE-së, për deficitin prej 3%. Megjithatë, ka edhe pika të tjera të cilat duhet të përmbushen, si ulja e taksave dhe shtyrja e investimeve, tha më tej z. Isarescu.
Një problem tjetër që krijon tension në ekonomi është mungesa e korrelacionit midis rritjes së pagave dhe produktivitetit, shtoi ai. Në Rumani ka mungesë të punonjësve të kualifikuar ndaj atyre të pakualifikuar. Z. Isaresku shpjegoi se ndërsa produktiviteti në Rumani ishte përmirësuar, pagat ishin rritur më shpejt dhe nuk ishin gjithmonë të justifikuara nga produktiviteti i përmirësuar.
Rumania ka nevojë për reforma strukturore serioze, në rast se qeveria dëshiron të arrijë një rritje të qëndrueshme ekonomike në të ardhmen, paralajmëroi Guvernatori i Bankës Qendrore. Ekonomia e Rumanisë është vendi që ka shënuar rritjen më të shpejtë në 2017, në Bashkimin Europian, gjë për të cilën është edhe vlerësuar.
Javën e kaluar, Komisioni Europian njoftoi se pret që ekonomia e Rumanisë të rritet me 5.7% në 2017 dhe me 4.4% në 2018, shumë më shumë se ekonomitë e tjera të rajonit dhe mesatarja e vendosur nga BE-ja.
Rritja e PBB-së në 2017 u përshpejtua kryesisht nga konsumi privat. Në të ardhmen e afërt, rritja pritet që të ngadalësohet por gjithsesi do të jetë mbi potencialin, thuhej në parashikimin e Komisionit për Rumaninë.
“Megjithatë, deficiti buxhetor parashikohet të rritet për shkak të rritjes së pagave publike të parashikuara në ligjin e pagave të unifikuara”, thuhej më tej në raport.
Komisioni vuri në dukje disa nga rreziqet që mund ta pengojnë Rumaninë që të arrijë parashikimin e pritshëm të rritjes. Ato përfshijnë shtrëngim të mundshëm të politikës monetare të Bankës Qendrore në përgjigje të inflacionit në zhvillim, uljes së investimeve publike dhe rritjes së vazhdueshme të kostove të punës, për shkak të rritjes së pagave që tejkalon rritjen e produktivitetit.