Dhjetëra mijë studentë rumunë janë drejtuar jashtë vendit për të studiuar dhe nuk kanë në plan të kthehen në shtëpi – Edhe pse një numër në rritje i të huajve po vjen gjithashtu në Rumani për të studiuar.
Rreth 5,000 studentë rumunë shkojnë jashtë vendit për të studiuar çdo vit, kryesisht në Europën Perëndimore, të joshur nga standarde më të mira arsimore, si dhe shpresën për të gjetur punë dhe për të siguruar paga më të mira pas përfundimit të studimeve, sipas të dhënave.
Një studim nga Liga e Studentëve Rumunë që Studiojnë Jashtë Vendit, LSRs, thonë se destinacionet kryesore janë Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Danimarka dhe Holanda.
Numri i rumunëve që shkojnë jashtë vendit për të studiuar është rritur në vitet e fundit, kryesisht pasi Rumania u bashkua me BE-në.
Një shifër mes 22,000 dhe 50,000 studentëve rumunë vijojnë studimet jashtë vendit. Numri i tyre varion sipas vlerësimeve të ndryshme, ndërsa nuk ekziston asnjë organizatë që e studion këtë grup.
“Unë kam zgjedhur të studioj shkenca kompjuterike në Kolegjin Imperial në Londër, kryesisht nisur nga programi i tyre më i mirë, i cili është shumë më i përqendruar në praktikë krahasuar me programin në Rumani”, – thotë 20-vjeçari Mihai Barbu.
Ai mund t’i përballojë studimet në Angli pasi është përfitues i Kredisë së Arsimimit Britanik, me vlerë 9,000 paund në vit.
“Jeta në Londër nuk është e lirë, më duhet të paguaj rreth 600 paund në muaj për shpenzimet e jetesës, të tilla si qira, ushqim dhe transport”, – shtoi Barbu.
Për nxënësit nga familje të pasura dhe të arsimuara, studimi jashtë vendit është zgjidhja më popullore.
Të diplomuarit e konsiderojnë një diplomë të mirë universitare si një recetë përkundër papunësisë. Ata gjithashtu shpresojnë për një pagë mujore prej të paktën 1,500 eurosh në kthimin e tyre në Rumani.
Megjithatë kjo dëshmon vështirësitë për shumë njerëz, duke qenë edhe arsyeja se pse shumë prej tyre nuk kthehen.
Frika e ‘humbjes intelektuale’ rumune ekziston prej vitesh, duke shtuar shqetësimin se shumë nga studentët që studiojnë jashtë vendit si përfundim do të qëndrojnë atje.
Ekspertët thonë se një nga problemet qëndron tek ‘tepria’ e të diplomuarve në profesione të caktuara. Rumania nuk ka nevojë për kaq shumë studentë si mësues, juristë, ekonomistë dhe menaxherë, ndërsa ndihet mungesa e punëtorëve të kualifikuar në zanate, thonë ata.
Edhe pse janë ndërmarrë një numër i madh reformash vitet e fundit, sistemi arsimor i Rumanisë vijon të shfaqë një performancë të dobët, me trajnim të ‘vakët’ profesional dhe koordinim të dobët me tregun e punës.
Një numër në rritje i studentëve të huaj, veçanërisht nga Izraeli, Franca dhe Greqia, tërhiqen të studiojnë në Rumani, të joshur nga kostot e ulëta e jetesës dhe tarifa të përballueshme të shkollimit.
Shumica e 12,000 studentëve të huaj të regjistruar në Rumani, studiojnë për mjekësi.