Norma vjetore e inflacionit të Rumanisë ka shënuar një rritje konstante duke arritur pikun e saj në këto pesë vitet e fundit.
Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave, në Rumani, norma vjetore e inflacionit në mars të këtij viti u rrit me 5%, njëkohësisht edhe niveli i saj më i lartë i këtyre pesë viteve të fundit. Referuar të dhënave të statistikave, kjo rritje erdhi si pasojë e rritjes së çmimeve të produkteve jo ushqimore me gati 7%, të produkteve ushqimore me 4% dhe të shërbimeve me rreth 3%.
Në rastin e produkteve ushqimore, çmimi i agrumeve shënoi edhe rritjen më të lartë, i ndjekur pas nga perimet e freskëta.
Gjithashtu, gjatë muajit mars, rumunët paguan më shumë për naftë dhe gaz natyror. Një normë më e lartë vjetore e inflacionit se kjo e tanishme është arritur në vitin 2013 kur çmimet e konsumit u rritën me 5.3%. Në shkurt të vitit 2018, Banka Kombëtare e Rumanisë rishikoi parashikimin e inflacionit për fundin e vitit nga 3.2% në 3.5%
Eurostat gjithashtu ka konfirmuar se në shkurt të këtij viti, Rumania shënoi nivelin më të lartë të inflacionit vjetor në BE, përkatësisht 3.8%. Norma vjetore e inflacionit në Rumani është rritur ndjeshëm që nga fillimi i vitit 2018. Në janar, ajo arriti në 4.32% nga 3.32% që ishte në dhjetor të 2017-s, ndërsa në shkurt 2018 arriti në 4.72%.
Pasi publikoi Raportin e saj mbi inflacionin, Banka Qendrore e Rumanisë, deklaroi se shkaku kryesor i një situate të tillë lidhet me efektet e zvogëlimit dhe eliminimit të disa taksave indirekte gjatë periudhës korresponduese të vitit të kaluar, si dhe nga rritja e fundit e çmimeve të energjisë elektrike, gazit natyror, energjisë termike dhe naftës.