Komisioni Europian tha se ka nisur një hetim të thelluar për të verifikuar nëse fshirjet e borxhit nga shteti rumun dhe furnizimet e vazhdueshme nga kompanitë shtetërore për ndërmarrjen petrokimike vendase Oltchim ishin në përputhje me rregullat e BE-së.
Hetimi vjen menjëherë pasi aksionerët e prodhuesve lokalë të produkteve kimike Chimcomplex Borzesti miratuan pjesëmarrjen e kompanisë në blerjen e uzinës problematike kimike Oltchim. Pavarësisht nga fakti se hetimi mund të zgjasë deri në një vit, Chimcomplex tha se ende synon të ofertojë për Oltchim.
Autoritetet rumune janë përpjekur në mënyrë të përsëritur të privatizojnë Oltchim, por pa sukses.
Oltchim, 54.8% në pronësi të shtetit rumun, ka shfaqur vështirësi financiare për vite me radhë. Ajo u shpall e paaftë të paguajë në vitin 2013. Që atëherë, ka qenë në proces riorganizimi, sipas një plani të përcaktuar nga administratori i falimentimit, me qëllim shlyerjen e borxheve të kaluara nga të ardhurat e privatizimit në të ardhmen.
Teksa çmimi i vlerësuar i shitjes në rast privatizimi nuk do të mbulojë të gjithë borxhin, kreditorët publikë të Oltchim kanë pranuar të heqin dorë totalisht apo në mënyrë të konsiderueshme nga borxhi.
“Pas vështirësive ekonomike të Oltchim dhe anulimit të borxheve publike nga kompania, ne kemi nevojë të verifikojmë nëse një kreditor privat do të pranonte të vepronte në të njëjtën mënyrë”, tha komisioneri Margrethe Vestager, në krye të politikës së konkurrencës.
“Në sajë të riorganizimit të saj të fundit, gjendja financiare e Oltchim është përmirësuar dhe Rumania shpreson të gjejë një investitor të ri. Qëllimi ynë është të lehtësojmë një të ardhme të qëndrueshme për aktivitetet ekonomike të kompanisë, pa pasur nevojë për mbështetjen e mëtejshme të qeverisë”, shtoi ajo.
Në mënyrë të veçantë, komisioni do të hetojë akumulimin e borxheve ndaj Autoritetit Rumun në Menaxhimin e Aktiveve Shtetërore (AAAS), anulimet e borxheve nga AAAS dhe ndërmarrjeve të ndryshme shtetërore në bazë të planit të riorganizimit të administratorit të falimentimit dhe mbështetjen e operacioneve të Oltchim nga dy kompanitë shtetërore (CET Govora dhe Salrom), të cilat, pavarësisht përkeqësimit të situatës financiare të Oltchim, vazhduan furnizimet e energjisë elektrike, kompozimeve me avull ndaj fabrikës kimike.
Chimcomplex tha se është ende i interesuar në Oltchim dhe shtoi se plani i riorganizimit të Oltchim parashikon që shitja të bëhet nëpërmjet Oltchim SPV, një kompani ndaj së cilës nuk është transferuar borxhi i uzinës kimike.
Aktivet bazë të Oltchim janë transferuar në Oltchim SPV, që do të dalë në ankand, dhe të ardhurat nga shitja e SPV do të përdoren për të paguar borxhet e Oltchim, nën strategjinë e menaxherëve.
“Chimcomplex është angazhuar seriozisht të ofertojë në periudhën e ardhshme për të blerë aktivet praktike të fabrikës në Ramnicu Valcea, të grupuara në Oltchim SPV, me qëllim që të krijojnë Kompaninë Kombëtare Kimike”, thuhet në një deklaratë të cituar nga economica.net.
Megjithatë, ai paralajmëroi nëse hetimet e KE-së tregojnë se Rumania ka ofruar ndihmë të paligjshme shtetërore dhe AAAS duhet të risigurojë fondet, kjo mund të çojë drejt falimentimit.
Ministria e Ekonomisë e Rumanisë tha në një deklaratë se hetimi i nisur nga komisioni është një hap i rëndësishëm në sqarimin e riorganizimit ekonomik dhe shitjes së Oltchim.
“Duke pasur parasysh perspektivat e favorshme për shitjen e kompanisë, qartësimi i këtyre aspekteve është i rëndësishëm në kuadër të ofrimit të sigurisë ligjore ndaj investitorit potencial”, tha ministri i Ekonomisë, Costin Borc.