Përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimit Europian ishin në Bukuresht për të diskutuar buxhetin e Rumanisë për vitin e ardhshëm.
Një delegacion i përbashkët i Komisionit Europian dhe FMN-së zhvilloi diskutime me zyrtarët rumunë mbi projektbuxhetin e vendit ballkanik për vitin e ardhshëm.
Qeveria e qendrës së majtë e Kryeministrit Viktor Ponta pritet të propozojë një deficit prej 2-2.1% të PBB-së, 0.6-0.7% më shumë se niveli i parashikuar më parë.
Suficiti, vlerësuar në rreth 10 miliardë lei (2.3 milionë euro) do të përdoret për ushtrinë dhe bashkëfinancimin.
Qeveria po parashikon lehtësim të masave fiskale, sikundër është një TVSH më e ulët dhe një fokus më i fortë mbi investimet europiane.
Rumania është e angazhuar të rrisë shpenzimet ushtarake në funksion të krizës aktuale në Ukrainën fqinje.
“Është shumë e rëndësishme të rrisim shpenzimet ushtarake dhe një nga pikat e diskutimit me FMN-në dhe BE-në do t’i kushtohet rritjes prej 0.3% të PBB-së për ushtrinë”, – tha ministri i Financave, Ioana Petresku.
Rumania nuk e ka fshehur shqetësimin e saj të thellë rreth zhvillimeve në Ukrainë.
Në maj, qeveria vendosi të rrisë buxhetin e mbrojtjes me 700 milionë lei, nga niveli aktual prej 6.4 miliardë lei, për të përmirësuar aftësitë ushtarake.
Bukureshti ka vendosur të rrisë buxhetin e mbrojtjes në 2% të PBB-së në 2017, nga rritja aktuale e saj prej 1.5%, pasi NATO u bëri thirrje anëtarëve të saj të rrisin kapacitetet e tyre ushtarake.
Ekspertët po tregohen të kujdesshëm nëse qeveria e majtë do të jetë në gjendje për të lehtësuar masat shtrënguese ose të reduktojë taksat.
Komisioni Europian tashmë ka paralajmëruar Rumaninë se ajo duhet të rrisë taksat apo të shkurtojë shpenzimet në mënyrë që të mbulojë masat e fundit të lehtësimit fiskal.
Në fillim të këtij muaji, KE referoi në një raport se ai pret që deficiti buxhetor i Rumanisë të rritet në 2.8% të PBB-së vitin e ardhshëm, ose rreth 2.26 miliardë euro, krahasuar me deficitin e vlerësuar prej 2.1% këtë vit.
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka shprehur shqetësime lidhur me vendimin e qeverisë për të reduktuar taksat, duke thënë se kjo lëvizje do të rrisë deficitin publik.
Vitin e kaluar, Rumania arriti një marrëveshje me FMN-në dhe BE-në mbi linjën parandaluese të kreditit prej 4 miliardë eurosh, të cilën qeveria synon ta shfrytëzojë vetëm në rast krize.
Rishikimi i marrëveshjes së kredisë u shty në pritje të rezultatit të zgjedhjeve presidenciale, që përfundoi më 16 nëntor me fitoren e papritur të liderit të opozitës Klaus Iohannis. Ishte marrëveshja e tretë e nënshkruar me huadhënësit ndërkombëtarë që nga 2009, kur Rumania siguroi një paketë shpëtimi prej 20 miliardë eurosh në këmbim të masave shtrënguese.