Ministri i Financave të Rumanisë, Eugen Teodoroviç, është kritikuar ashpër në lidhje me deklaratën e fundit se e drejta e lëvizjes së lirë brenda BE-së duhet të jetë më e kufizuar. Së fundmi, numri i të rinjve rumunë që kanë emigruar në vende të tjera për të kërkuar një mundësi më të mirë punësimi dhe jetese është rritur, duke ndikuar drejtpërdrejt në rënien e popullsisë në vend.
Sipas z. Teodorovic, rumunët duhet të pajiseshin vetëm me një leje 5-vjeçare, periudhë pas së cilës ata do të detyroheshin të largoheshin nga vendi ku kishin emigruar, me shpresën se do të ktheheshin në Rumani. Megjithatë, ai ka thënë në deklarata të shumta për shtyp që mesazhi që ka dhënë është keqkuptuar.
Në Parlament, z. Teodoroviç tha se “ne duhet të mësojmë në nivel europian që, ndërsa një zonë bëhet më e varfër, një tjetër bëhet më e pasur”.
Të gjithë atyre që emigrojnë duhet t’u jepet vetëm një leje 5-vjeçare, pa të drejtë rinovimi, sepse nëse ndodh e kundërta askush prej atyre që kanë emigruar në shtete të ndryshme, nuk do të kthehen kurrë më në vendin e tyre të origjinës. Sipas tij, leja e qëndrimit për të gjithë emigrantët rumunë në vende të tjera duhet të jetë maksimumi pesë vjet, duke shtuar se idenë në fjalë ai e kishte diskutuar edhe me homologë të shteteve të tjera të BE-së.
E drejta e lëvizjes së lirë është një nga katër “shtyllat” e Bashkimit Europian, pjesë e të cilit Rumania u bë në vitin 2007.
Që nga bashkimi me BE-në, popullsia e Rumanisë ka shënuar rënie me 1-1,5 milionë banorë, duke e konsideruar atë më tej si ikja e trurit në industri të ndryshme.
Në të njëjtën kohë, një popullsi e plakur, me rritjen e kujdesit shëndetësor dhe nevojat e pensionit, do të ketë rrjedhimisht më pak tatimpagues të rinj që do të punojnë për ta mbështetur atë. Por komentet e z. Teodoroviç, të publikuara së fundmi në një prej agjencive të lajmeve rumune dhe të raportuara gjerësisht, kanë shkaktuar pakënaqësi të shumta te rumunët. Disa nga kundërshtarët e tij politikë kërkuan që ai të jepte dorëheqjen.
Në një postim në Facebook, ministri i Financave u përpoq të qartësonte kritikat dhe vërejtjet e ashpra në drejtim të zëvendësministrit të tij, duke theksuar se ato ishin bërë në kuadër të një debati që zhvillohet prej kohësh në Rumani, largimi i një numri të madh të rinjsh rumunë nga atdheu i tyre.
“Unë nuk do të vija kurrë në diskutim një prej katër shtyllave mbi të cilat bazohet BE-ja, por mua si ministër i Rumanisë më duhet të theksoj edhe problemet me të cilat po përballet vendi im, që janë zhvillimi i ulët ekonomik për shkak të emigrimit. Ky problem duhet të ishte parë me përparësi edhe nga vendet e tjera europiane, duke përfshirë mbështetjen financiare për skemat ‘për të inkurajuar kthimin e fuqisë punëtore në vendet e tyre të origjinës’”, shkruhej në fund të postimit të tij në Facebook.
*SeeNews