Qeveria e Kryeministrit Sorin Grindeanu nga Partia Social Demokrate fitoi votëbesimin në Parlamentin rumun nga një shumicë e gjerë, duke i dhënë fund një krize të gjatë politike. Kryeministri i ri kërkon që të rrisë pensionin minimumi me 30% (115 euro), të rrisë shpenzimet për mirëqenien sociale dhe të heqë disa nga taksat. Koalicioni pritet që të forcojë një rritje prej 16% të pagës minimale (321 euro) më 1 shkurt.
Fondi Monetar Ndërkombëtar pret që Rumania, një vend me 20 milionë banorë nga të cilët 5.3 milionë janë pensionistë, të kenë arritur një rritje ekonomike prej 5% vitin e shkuar, të cilat do të jenë më të lartat në Bashkimin Europian.
Por, disa prej ekonomistëve janë të shqetësuar se masat fiskale mund të çojnë në shkeljen e tavanit të deficitit me 3% të PBB-së këtë vit, duke rritur rrezikun për sanksione nga Brukseli. Rumania është vendi i dytë më i varfër në BE, pas Bullgarisë. Sipas një raporti më të fundit, thuajse gjysma e bullgarëve (48%) dhe më shumë se 40% e rumunëve janë aktualisht në rrezik varfërie.
Më herët, Sorin Grindeanu, u shpall kryeministri i ri i Rumanisë, pasi mori mbështetjen e shumicës në Parlament.
Grindeanu, kandidati i Partisë Social Demokrate, mori 295 vota në favorin e tij nga ligjvënësit e partisë së tij dhe nga Aleanca e Liberal Demokratëve.
Unë pres një Rumani, ku rritja ekonomike do të influencojë mirëqenien e qytetarëve, tha ai gjatë fjalimit në Parlament, duke shtuar se do të donte më shumë investime të huaja, që do të ofrojnë punë të mirëpaguara për rumunët.
Ai tha se po shpreson se disa prej 3 milionë qytetarëve rumunë që janë larguar nga vendi në dhjetë vitet e fundit të kenë një shans për t’u rikthyer në vendin ballkanik.
Partia Social Demokrate mori shumicën e votave në zgjedhjet e 11 dhjetorit, por kryetari i partisë nuk mund të shpallej president për shkak të një dënimi për mashtrim. Alternativa e parë e propozuar ishte Sevil Shhaideh, i cili do të kishte qenë dhe lideri i parë mysliman i një shteti të Bashkimit Europian.
Gjithsesi, kandidatura e saj u refuzua prej presidentit Laus Iohannis pa asnjë shpjegim. Partia Social Demokrate është goditur prej një serie skandalesh korrupsioni dhe disa prej liderëve të saj kanë akuzuar prokurorët për çështjet antikorrupsion se po hapin çështje kundër partisë për arsye politike.
Kryeministri i ri do të zëvendësojë Dacian Ciolos, i cili erdhi në fuqi në nëntor të 2015-s, pasi kryeministri i PSD u detyrua të jepte dorëheqjen si pasojë e një serie protestash mbi vdekjen e 64 personave gjatë zjarrit në një lokal nate në Bukuresht.