Rritja ekonomike e Rumanisë pritet të ngadalësohet deri në 3.5% gjatë këtij viti, si pasojë e shtrëngimit të kushteve financiare globale dhe paqëndrueshmërisë së lartë në tregjet financiare, deklaroi OTP Asset Management.
Eurozona u përball me një ngadalësim të papritur, kryesisht si pasojë e frikës ndaj ecurisë së ngjarjeve të fundit në lidhje me Brexit, vështirësive të prodhimit në industrinë e makinave dhe protestave masive të jelekëverdhëve në Francë, u shpreh OTP Asset Management në analizën e saj mbi zhvillimin e tregut financiar në pranverë-vjeshtë 2019.
Sipas OTP Asset Management, rritja ekonomike në 2019 do të vazhdojë të bjerë në të gjitha ekonomitë botërore më të rëndësishme, por pa hyrë në një recesion të vërtetë. “Për më tepër, ne besojmë se edhe në rast të një recesioni të mundshëm në të ardhmen, ai do të jetë më pak i rëndë se ai që ndodhi në vitin 2008.
Sipas analistëve, ashtu si edhe në vitet e mëparshme, edhe gjatë këtij viti, konsumi familjar do të jetë nxitësi kryesor i rritjes ekonomike të Rumanisë.
Ekonomia e Rumanisë u rrit me 4.1% në 2018, krahasuar me një rritje prej 7% në 2017, referuar të dhënave e fundit të Institutit të Statistikave në vend.
“Ne presim që investimet të rriten në mënyrë të moderuar në vitin 2019, pasi efektet pozitive të absorbimit të fondeve europiane dhe presioni mbi kompanitë për të përmirësuar produktivitetin mund të kompensohen pjesërisht nga investimet më të ulëta në sektori energjik, ai i telekomunikacionit dhe ai financiar”, u shprehën analistët e OTP Asset Management.
Analistët presin që niveli i tanishëm i normave të referencave të Bankës Qendrore, së bashku me menaxhimin e kujdesshëm të likuiditetit të mbeten njëlloj gjatë këtij viti. Megjithatë, ata shtuan, se në një periudhë afatmesme, mund të jetë e nevojshme një rritje modeste në normën e interesit, në mënyrë që inflacioni të mbahet në objektivin e caktuar.
Politikat fiskale pro-ciklike, si dhe deficiti në rritje i llogarisë rrjedhëse janë treguesit që sinjalizojnë vështirësitë e mundshme të këtij viti. Prandaj, Banka Qendrore duhet që të tregohet shumë vigjilente, u shprehën analistët e OTP Asset Management.
Sipas të dhënave zyrtare të Institutit Kombëtar të Statistikave, inflacioni vjetor i çmimeve të konsumit në Rumani u përshpejtua në 4% në mars, nga 3.8% në muajin paraardhës.
Në fillim të muajit prill, Banka Qendrore e Rumanisë e mbajti normën e politikës monetare në 2.50%.
Hera e fundit që Banka Qendrore e Rumanisë e ka ndryshuar normën e interesit ka qenë në maj të 2018-s, duke e rritur nga 2.25% në 2.50%.