Grupet e biznesit kanë reaguar me shqetësim, pasi qeveria e qendrës së majtë njoftoi planet për të aplikuar sistemin e ri të taksave në vitin 2014.
Bizneset rumune kanë kundërshtuar rritjet e reja të planifikuara të taksave, duke thënë se barra në fund do të bjerë mbi konsumatorët, në formën e çmimeve më të larta.
“Rritjet e taksave do të ndikojnë jo vetëm paguesin e drejtpërdrejtë në sektorin energjetik, telekomunikacione, shërbime, transport dhe infrastrukturë, por do të reflektohen në mënyrë të tërthortë në çmime, me pasoja që do të rëndojnë mbi konsumatorët”, tha të hënën Këshilli i Investitorit të Huaj, FIC.
Duke filluar nga viti 2014, do të hyjë në fuqi një taksë e re mbi karburantin dhe një taksë mbi ndërtimet e veçanta, të cilat zbatoheshin kryesisht në sektorët e energjisë dhe telekomit. Autoritetet synojnë të mbledhin rreth 100 milionë euro nga taksat e reja.
Bizneset e vogla janë gjithashtu të shqetësuar. “Taksa e re e akcizës për lëndët djegëse do të ndikojë fuqimisht në aktivitetin tim, teksa do më duhet të shpenzoj më shumë para në gaz dhe transport”, tha Vlad Popescu, pronar i një ëmbëltore online në Bukuresht.
Kryeministri Viktor Ponta ka kundërshtuar kritikat, duke thënë se Rumania nuk mund ta trajtojë deficitin e saj thjesht duke shkurtuar shërbimet publike. Taksat duhet të rriten gjithashtu.
“Rumania nuk mund të jetë një El Dorado për të gjithë, një vend me taksat më të ulëta në Europë … ne kemi taksat më të ulëta me përjashtim të Bullgarisë”, tha Ponta në televizion.
“Ne kemi një përgjegjësi ndaj qytetarëve të këtij vendi, kështu që çfarë më mbetet të bëj? Të reduktoj pensionet dhe pagat dhe të mbyll më shumë spitale?”, shtoi ai.
Mbi të gjitha masat është rënë dakord me Komisionin Europian dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, FMN, vazhdoi kryeministri.
Javën e kaluar, qeveria njoftoi se kishte rënë dakord për buxhetin e vitit 2014 me FMN-në dhe BE-në, me taksat e reja por edhe për një rritje të pagës minimale, duke qenë ndër pikat kryesore.
Rumania po synon për një deficit buxhetor prej 2.2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, PBB, në vitin 2014, i cili është pak më i lartë se sa “hendeku” prej 2.0 për qind i planifikuar më herët.
Nga ana tjetër, qeveria është e angazhuar në rritjen e pagës minimale në dy faza, në 900 lei në muaj (rreth 200 euro), nga paga aktuale prej 800 lei.
Disa punonjës shtetërorë, sikundër janë mësuesit dhe mjekët do të sigurojnë një rritje modeste.
Pensionet shtetërore do të rriten me 3.76 për qind. Qeveria po planifikon të shkurtojë taksën mbi kontributet shoqërore të paguara nga punëdhënësit, një masë që synon nxitjen e investimeve dhe ekonominë.
Rumania e goditur nga recesioni, e cila është duke u mbështetur në një kredi prej 20 miliardë eurosh të FMN-së siguruar në vitin 2009, ka premtuar shkurtime të mëdha të shpenzimeve publike në mënyrë që të mbajë nën kontroll deficitin e saj.
Që nga ardhja në pushtet tre vite më vonë, qeveria “Ponta” ka ndryshuar shkurtimet e pagave të mëparshme. Në të njëjtën kohë, ai ka reduktuar deficitin buxhetor, por të ardhurat nuk kanë qenë dhe aq pozitive këtë vit dhe ekonomia e vendit është ende duke u “përpjekur”.