BERZH po siguron një hua prej 25 milionë eurosh për një degë të grupit industrial me bazë në Zvicër, Montana Tech Components AG, i cili po zgjeron prodhimin në Rumani, duke i dhënë në këtë mënyrë një nxitje Investimeve të Huaja Direkte, të cilat do të shoqërohen edhe me krijimin e vendeve të reja të punës.
Fondet e BERZH-it do të financojnë ndërtimin e një fabrike të re efikase nga Alu Menziken SRL, e cila merret me prodhimin dhe përpunimin e materialeve të aluminit, duke nxjerrë produkte përfundimtare të një cilësie të lartë.
Objekti i ri me vlerë prej 44 milionë eurosh në Medieşu Aurit, Rumaninë veriperëndimore, do të ndihmojë kompaninë të përmbushë kërkesat në rritje të klientëve të saj, kryesisht në sektorin e automobilave.
Montana Tech Components AG dhe filialet e saj janë të angazhuar në trajnimin e stafit vendas, duke sjellë me vete profesionalizmin dhe njohuritë më të reja në Rumani. Alu Menziken do të bashkëpunojë me universitetet lokale dhe shkollat profesionale për të ofruar më shumë mundësi punësimi dhe trajnimi për inxhinierët rumunë.
Matteo Patrone, drejtori i BERZH-it, Kreu Rajonal i Rumanisë dhe Bullgarisë, tha se investimi i ri është pjesë e përpjekjeve të BERZH-it për të drejtuar Investimet e Huaja Direkte në Rumani dhe për të rritur konkurrueshmërinë e industrisë vendase, njëkohësisht për të rritur fuqinë punëtore.
Rritja e vazhdueshme e investimeve nga Montana Tech Components AG dëshmon se Rumania po zhvillohet në mënyrë të suksesshme, veçanërisht në sektorin e prodhimit. BERZH shprehet krenar se është pjesë e këtyre përpjekjeve.