Me projektet e shumta të autostradës të zvarritura prej kohësh nga paaftësia dhe korrupsioni, qeveria po i kërkon ndihmë Bankës Botërore, me shpresën se ajo mund ta ndihmojë atë të marrë sërish drejtimin e duhur. Kryeministri rumun, Mihai Tudose, i kërkoi javën e shkuar Bankës Botërore që ta ndihmonte në menaxhimin e një projekti të ri, por bazuar mbi një ide të vjetër.
Kohët e fundit, qeveria rumune i është drejtuar Bankës Botërore për ndihmë në lidhje me projektet e shumta të autostradave, të cilat po zvarriten prej kohësh, si nga paaftësia ashtu edhe nga korrupsioni. Ky projekt ka të bëjë me autostradën e planifikuar që do të lidhë kryeqytetin e Bukureshtit me qytetin e Brasov, autostradë që do të kalojë nëpër Malet Karpate.
Autostrada e propozuar është diskutuar për vite me radhë dhe ka qenë një nga projektet më të debatuara gjatë dy dekadave të fundit. Aktualisht, rruga nga Bukureshti në Brasov është një nga më të mbingarkuarat në Rumani, me vetëm dy korsi që operojnë në zonat malore. Pavarësisht rezultateve të studimeve të fizibilitetit, ndërtimi i autostradës së duhur nuk ka filluar.
Për një vend me sipërfaqen e Rumanisë, gjendja e autostradave është si mos më keq. Në fund të 2016, ajo kishte vetëm 685 km, ndërsa Belgjika në kontrast, me një sipërfaqe më të vogël, ka 1,700 km. Mbi dhjetëra projekte kanë filluar, janë lënë në mes, kanë filluar sërish dhe janë lënë sërish pa përfunduar, dhe një prej faktorëve kryesorë për një situatë të tillë është korrupsioni dhe akuzat në këtë drejtim.
Në pranverën e vitit 2016, nga Kompania Kombëtare e Rumanisë për Autostradat dhe Rrugët Kombëtare, me kërkesë të aksionerëve u pushuan nga puna rreth 68 menaxherë, si pasojë e ekzekutimit në mënyrë të ngadaltë të projekteve të autostradës, tejkalim në numrin e personelit të punësuar dhe mbi të gjitha si pasojë e joefikasitetit. Madje disa prej ish-anëtarëve të menaxhimit tëruma kësaj kompanie janë hetuar për korrupsion.
Nga 27 shtetet e Bashkimit Europian, Rumania humbi shumicën e fondeve të BE-së nga Brukseli gjatë periudhës 2007 – 2013, sepse nuk arriti të fillonte ndërtimin e planifikuar të autostradave. Gjatë vizitës së fundit në Bukuresht, komisionerja e Bashkimit Europian për Zhvillimin Rajonal, Corina Cretu, e cila është edhe vetë rumune me origjinë, tha se Bukureshti ka humbur rreth 2 miliardë euro fonde të BE-së, vetëm për shkak të projekteve të dështuara të autostradës. Ajo u tha më tej gazetarëve se kjo situatë është e trishtë, pasi Rumania ka nevojë për përmirësim të infrastrukturës rrugore ashtu siç mund të ketë një vend tjetër nevojë për ujë”.
Projekti aktual më i avancuar në Rumani, në këtë fushë, i cili do të lidhë qytetin Sibiu, të Transilvanisë jugore me qytetin jugor të Piteshtit, është ende vetëm në fazën e studimit të fizibilitetit, vuri ajo në dukje. Në vitin 2016, Kompania Kombëtare e Rumanisë për Autostradat dhe Rrugët Kombëtare u zotua se vendi do të kishte mbi 1.000 kilometra autostrada deri në vitin 2026. Por duhet të kalojë një kohë më e gjatë që ky projekt të realizohet.
A3
Projekti më i madh i infrastrukturës rrugore në Rumani do të lidhë kryeqytetin, Bukureshtin, me kufirin, Hungarinë. E projektuar të jetë rreth 585 km e gjatë, ajo do të kalojë përmes Karpateve Jugore dhe Transilvanisë, deri në Oradea në perëndim dhe në kalimin kufitar të Borsit. Në vitin 2005, projekti u nda në dy pjesë: njëra lidh Bukureshtin me Barasovin në Karpatet Jugore, kurse tjetra lidh Brasovin me Borsin, e njohur si “Autostrada e Transilvanisë”.
Në vitin 2009, 42 km e parë të A3-it, që lidhin Turdan e Transilvanisë me qytetin kryesor të rajonit, Kluzhit, u hapën. Edhe një tjetër projekt prej 10 km u bë funksional vitin e ardhshëm. Në vitin 2012, u hapën edhe 56 km të projektit jugor, por pjesa tjetër e projektit ndaloi për shkak të akuzave për korrupsion. Në vitin 2004, pjesa veriore e projektit për autostradën e Transilvanisë, i kaloi grupit Bechtel me bazë në SHBA.
Megjithatë, pas ndryshimeve të shumta dhe rinegocimeve, marrëveshja me Bechtel u anulua në vitin 2013. Rezultoi se deri atëherë, qeveria i kishte paguar kompanisë 1.4 miliardë euro në dhjetë vjet dhe për vetëm 52 km autostradë të përdorshme. Edhe 64 km të tjerë ishin pothuajse gati në përfundim. Sipërfaqe të tjera të mëdha, që pritej të ndërtoheshin, kishin mbetur pa mbikëqyrje për më shumë se një vit e gjysmë.
Më pas, pjesa e mbetur e projektit u nda në disa projekte më të vogla dhe tenderë publikë, kryesisht të zhvilluara gjatë periudhës 2015-2016, por një pjesë edhe gjatë këtij viti. Pjesa jugore e autostradës, që kalon nga Ploiesti në Braşov, i ka tejkaluar afatet e vendosura. Vetëm pjesa ndërmjet Bukureshtit dhe Ploiestit është e hapur. Ndërtimi për 58 km e mbetur nuk ka filluar. Kryeministri Tudose i ka kërkuar Bankës Botërore të ndihmojë në mbikëqyrjen e projektit, i cili ka ngecur prej shtatë vjetësh, pasi dy konsorciume nuk arritën të grumbullonin 1.8 miliardë eurot e nevojshme.
“Autostrada e turpit”
Edhe autostrada Orastie-Sibiu në jug të Transilvanisë ka pasur pothuajse të njëjtat probleme, madje në një shkallë më të lartë. Në vitin 2016, ajo filloi të etiketohej me pseudonimin “Autostrada e turpit”, pasi autoritetet vendase e bënë përurimin për hapjen e saj dy herë. Pasi shteti i pagoi mbi 130 milionë euro kompanisë italiane, Salini Impregilio, për 22 kilometra autostradë, ai shumë shpejt e mbylli atë për përmirësime të tjera të nevojshme.
Autostrada u mbyll përsëri në mes të vitit 2017, për shkak të problemeve strukturore në një rrugëdalje që përbënte një rrezik të madh për shoferët. Rruga duhej të shkatërrohej një vit pas përurimit të saj. Drejtoria Kombëtare Kundër Korrupsionit ka filluar hetimin e mënyrës se si kompania italiane ka përdorur fondet bazuar mbi kontratën e nënshkruar. Po e njëjta kompani është aktualisht nën hetim edhe në Itali, sepse dyshohet që ka përdorur materiale të një cilësie të dobët në ndërtimin e një autostrade.
Autostrada Malore
Autostrada e cila do të lidhë qytetin Targu Mure të Transilvanisë me disa qytete në Rumaninë Lindore mbi Karpatet Lindore dhe kufirin me Moldavinë, është aktualisht në fazën e projektimit. Megjithatë, në fillim të muajit qershor të këtij viti, prokurorët nisën një hetim edhe ndaj kësaj kompanie, me qëllim uljen e korrupsionit. Ata kanë analizuar mënyrën se si administrata shtetërore e rrugëve e ka kryer tenderin për studimin e fizibilitetit. Ky hetim vjen menjëherë pasi Gjykata e Auditimit të Rumanisë raportoi për parregullsi në procedurë dhe e pezulloi kontratën.
Autostrada Sibiu-Pitesti
Edhe mbi autostradën Sibiu-Pitesti, e cila duhet të kalojë Karpatet Jugore mbi Luginën e Lumit Olt, është ngritur një pikëpyetje e madhe. Kompania shtetërore e autostradës njoftoi në qershor një tender publik për ndërtimin e seksionit të Sibiut dhe Pitesti, por qeveria e ndërpreu kontratën me kompaninë përgjegjëse në fazën e studimit të fizibilitetit. Kontraktuesi e humbi mundësinë për të dorëzuar studimin e fizibilitetit në gusht të këtij viti, ndërkohë që një tender i ri është në rrugë e sipër.