Sipas të dhënave të bëra publike nga Zyra e Statistikave të Bashkimit Evropian, Eurostat, Rumania është një nga vendet e BE-së me borxhet më të ulëta publike dhe deficite realisht të vogla buxhetore në 2014, përkundër mesatares në rritje në të gjithë Evropën, në veçanti në Eurozonë. Edhe pse në katër vitet e fundit borxhi shtetëror i Rumanisë është rritur për rreth 16 miliard euro, ai ende mbetet i ulët në krahasim me vendet e tjera të BE. Të dhënat e Eurostat tregojnë se në 2014 borxhi publik i Rumanisë qëndroi nën normën prej 40% të PBB-së, duke përfaqësuar vendin e katërt me borxhin më të ulët pas Estonisë, Luksemburgut dhe Bullgarisë.
Në polin e kundërt qëndron Greqia, me një borxhit që llogaritet në 175% të PBB-së së vendit, pasuar nga Italia dhe Portugalia, të dy me borxhe që tejkalojnë 130% të PBB-ve të tyre. Për sa i përket deficitit buxhetor të Rumanisë, ai u tkurr në mënyrë të konsiderueshme në katër vjet, nga 5.5% të PBB-së në 2011, në 1.5% në 2014. Vitin e kaluar, deficitet më të ulëta buxhetore, të llogaritura si përqindje e prodhimit të brendshëm bruto, u regjistruan në Lituani, Letoni dhe Rumani.