Sipas FMN-së, deficiti fiskal i Rumanisë nuk do të arrijë objektivin e vendosur si këtë vit dhe vitin e ardhshëm, si pasojë e shkurtimit të taksave dhe rritjes së pagave në dëm të investimeve publike.
Shefi i misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Rumani, Reza Baqir, tha se deficiti parashikohej të arrinte në 3.7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto këtë vit, pa masa shtesë. Kjo normë krahasohet me targetin prej 3% të PBB-së të vendosur nga qeveria socialdemokrate.
“Shkurtimet e njëpasnjëshme të taksave, rritja e lartë e pagave dhe kufizimet në fushën e investimeve publike…janë duke e tkurrur rritjen e potencialit”, u shpreh Baqir në një deklaratë për shtyp. Sipas vlerësimeve paraprake të FMN-së, deficiti pritet që të shkojë në 3.9% të PBB-së, gjatë vitit të ardhshëm. Sipas z. Baqir, që të ulet deficiti, qeveria duhet të ndërmarrë masa të tilla si shkurtimi i shpenzimeve të panevojshme, nxitja e mbledhjes së taksave dhe thithja e fondeve nga BE-ja.
Kjo mund të kërkojë edhe shtyrjen e planifikuar të rritjes së pensioneve për në fund të 2017-s, në një periudhë më të vonë. Por një gjë e tillë, ka shumë pak gjasa të ndodhë, sepse një ndër premtimet më të zjarrta të Partisë Social Demokrate, e cila fitoi zgjedhjet në dhjetor, ishte rritja e standardeve të jetesës. Monedha vendase, Levi, ka qenë e paqëndrueshme gjatë këtij viti, si pasojë e pasigurive politike dhe fiskale. Të premten e kaluar, Levi shënoi nivelin më të ulët kundrejt euros, niveli më i ulët në nëntë muajt e fundit.
Z. Baqir vazhdoi më tej duke thënë se çështjet që kanë të bëjnë me cilësinë e buxhetit janë po aq të rëndësishme sa edhe shifrat. Nëse qeveria aktuale do të bëjë investime të një cilësie të lartë në mënyrë transparente, atëherë nuk do të ketë asnjë problem.
Qeveria planifikon rritje të pagave të sektorit publik me anë të një projektligji të unifikuar, si dhe të shkurtojë më tej taksat gjatë vitit të ardhshëm. Baqir vijoi më tej se me anë të një vlerësimi paraprak, ndikimi neto i rritjes së pagave do të jetë rreth 2.1% e PBB-së nga 2017 në 2020.
Edhe ministri i Financave u shpreh se qeveria do të përpiqet të mbajë normën e deficitit në 3% dhe do të intensifikojë masat për të shkurtuar shpenzimet. Rumania e ka zvogëluar deficitin buxhetor dhe atë të llogarisë aktuale, si pasojë e një serë ndihmash të udhëhequra nga FMN-ja gjatë 2009-2015.
Edhe KE-ja, e shqetësuar
Komisioni Europian është ende i shqetësuar se Rumania do të kalojë nga një prej vendeve me rritjen më të lartë ekonomike, në një prej vendeve me deficitin më të madh buxhetor.
Edhe pse qeveria rumune u përpoq që të bindte Komisionin Europian se nuk kishte asnjë arsye për ta bërë situatën alarmante, shefja ekzekutive që përfaqëson BE-në në Rumani, Angela Cristea, shprehu frikën e përbashkët të institucionit se vendi i Europës Lindore mund të regjistrojë rritjen më të lartë në deficitin buxhetor gjatë këtij viti.
Sipas raportit ekonomik të Rumanisë, ajo regjistroi gjatë 2016, rritjen më të lartë ekonomike në Europë, me 4.9%.
Cristea shpjegoi se Komisioni kishte marrë një garanci nga Bukureshti se deficiti i saj nuk do të kalonte pragun prej 3% të PBB-së, të lejuar nga BE-ja.
Ajo gjithashtu theksoi se përveç varfërisë, vihet re edhe një tendencë në rritje për sa i përket pabarazisë së lartë sociale në Rumani, një trend që vazhdon që prej vitit 2012. Po ky nuk është një fenomen unik vetëm për rastin e Rumanisë, por haset edhe në vende të tjera të BE-së.
Sipas parashikimeve ekonomike të publikuara në mes të shkurtit, deficiti publik i Rumanisë mund të arrijë në 3.6% të PBB-së gjatë 2017, krahasuar me 3.2% që ishte vlerësuar në vjeshtë. Ndërsa në vitin 2018, ekziston frika se ai do të rritet në 3.9% të PBB-së për shkak të një rritje të konsiderueshme të pensioneve.
Gjatë të njëjtit event, ministrja e Financave, Viorel Ștefan, u shpreh se qeveria po konsideron seriozisht marrjen e masave për të ulur shpenzimet në rast se norma e deficitit devijon nga targeti i lejuar nga BE-ja.
Sipas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar të publikuar në tetor, Rumania regjistroi rritjen më të lartë ekonomike në Europë për vitin 2016, e ndjekur nga Irlanda.