Rumania rifitoi vlerësimin e besimit të investimeve pas gjashtë vjetësh nga “Standard & Poor”, e cila përmendi suksesin e vendit në reduktimin e borxhit të saj të jashtëm dhe mbajtjen e buxhetit nën kontroll.
Vlerësimi i obligacioneve afatgjatë të vendit u rrit një shkallë në BBB-, vlerësimi më i ulët i investimeve, i cili e vë atë në të njëjtin nivel me Rusinë, Brazilin dhe Spanjën, referoi SP. Perspektiva për vlerësim është e qëndrueshme, e cila “ekuilibron gjasat e programeve fiskale dhe reformave që tejkalojnë pritshmëritë tona, kundrejt mundësisë së rishfaqjes së pabarazive të jashtme”, tha SP.
Rumania është përpjekur të eliminojë vlerësimin e saj të ulët gjatë 5 vitesh e gjysmë, duke u përfshirë në një nga programet më të vështira shtrënguese të Bashkimit Europian në vitin 2010, duke reduktuar rrogat shtetërore 25 për qind dhe duke rritur Tatimin mbi Vlerën e Shtuar me 5 pikë përqindje. Qeveria ngushtoi hendekun e buxhetit për rreth 2.2 për qind të prodhimit ekonomik të këtij viti, nga 7.2 për qind në vitin 2009.
“Përmirësimi pasqyron përparimin e shpejtë të Rumanisë në ecurinë e ekuilibrave të jashtëm të saj dhe thekson pikëpamjen tonë se progresi drejt konsolidimit të llogarive fiskale dhe forcimit të stabilitetit të sektorit financiar do të vazhdojnë”, thanë analistët e S&P, Elliot Hentov dhe Aarti Sakhuja. “Ne besojmë se Rumania do të mbajë një rritje të qëndrueshme ekonomike, mesatarisht 3 për qind gjatë viteve 2014-2017”.
Në fillim të këtij viti, Fitch, Moody, S&P dhe DBRS Inc. duhej të njoftonin oraret e shpalljes për vendimet e vlerësimit në bazë të rregullave të BE-së të aplikuara në prag të krizës së borxhit të rajonit.
Vlerësuesit do të kufizohen në tri aktgjykime në vit për vendet huamarrëse që nuk kanë kërkuar ose paguar për vlerësimin dhe do të duhet të shqyrtojnë renditjet të paktën çdo gjashtë muaj.
Perspektiva e rritjes
Produkti i Brendshëm Bruto i Rumanisë u rrit 3.8 për qind në tremujorin e parë nga një vit më parë, ngadalësuar nga 5.4 për qind në tre muajt e fundit, me ritmet më të shpejta që nga viti 2008.
Rritja ekonomike “është mbi çdo grup rajonal, e cila nënvizon të ardhurat e bazave relativisht të shëndosha, edhe në qoftë se të ardhurat kombëtare të Rumanisë për frymë në vitin 2014 janë ende përafërsisht të barabarta me nivelin e lartë të saj të vitit 2008”, tha S&P.
Vendi ish-komunist ngushtoi deficitin e llogarisë aktuale në 1.1 për qind të PBB-së vitin e kaluar, hendeku më i vogël që nga të paktën viti 2004.
“Ndërsa ne parashikojmë që deficiti ngadalë të dyfishohet në 2.1 për qind deri në vitin 2017, sidoqoftë kjo rritje përfshin deficite strukturore më të ulëta”, tha S&P. “Deficitet më të ulëta të llogarisë rrjedhëse përkthehen gjithashtu në një profil më të shëndetshëm të borxhit të jashtëm, me Investimet e Huaja Direkte neto që tejkalojnë deficitet kryesuese, të paktën deri në vitin 2017”.
Shitja e obligacioneve
Rumania siguroi 1.25 miliardë euro (1.7 miliardë dollarë) më 15 prill në shitjen e saj të dytë ndërkombëtare të obligacioneve këtë vit, në një nivel të ulët rekord të yield-eve prej 3.7 për qind. Ajo shiti një sasi tjetër obligacionesh të denominuara në dollar prej 2 miliardë dollarësh me maturim 30 dhe 10-vjeçare, më 14 janar.
Vendi ka gjasa të jetë i gatshëm të ofrojë obligacione të dominuara në jen në një apo dy vjet, në përpjekje për të diversifikuar burimet e veta të financimit të borxhit, referoi gjatë një interviste Diana Popesku, zëvendësdrejtore në Thesarin e vendit.
“Ne presim që borxhi kombëtar të qëndrojë kryesisht i ‘sheshtë’ gjatë tre viteve të ardhshme”, – tha SP. “Ne nuk parashikojnë ndonjë reduktim në barrën e përgjithshme të interesit të qeverisë, teksa përmirësimet në rritjen e Rumanisë ka të ngjarë të neutralizohen nga trendet globale në rritjen e normave bazë të interesit”.
S&P ka gjasa të rrisë vlerësimin e Rumanisë në varësi të vijueshmërisë së programit të planifikuar të konsolidimit të buxhetit dhe riorganizimit të financave publike dhe “në qoftë se ristrukturimi i ndërmarrjeve publike zbatohet me sukses pa ndryshuar trendet aktuale”.
Reduktimi mund të aplikohet nëse rishfaqen çekuilibrat e jashtëm të vendit, dobësohet stabiliteti në sektorin financiar ose zgjerohen në mënyrë të konsiderueshme deficitet buxhetore, sipas deklaratës.
Rumania, e cila shpreson në marrëveshjen e saj të tretë radhazi me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimin Europian për ta mbrojtur atë nga trazirat e tregut, ka caktuar të mbajë zgjedhjet presidenciale në nëntor.
“Pasiguria politike në vend nuk ka ndikuar kohët e fundit në performancën ekonomike, por ne vazhdojmë ta perceptojmë kuadrin qeverisës të Rumanisë si një dobësi në vlerësim”, – deklaroi S&P.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.