Fitimi i titullit kampion bote për të dytën herë radhazi në Rusi 2018 mund të vlejë shpërblime rekord për Gjermaninë. Federata Gjermane e Futbollit, DFB, ka zyrtarizuar shpërblimet për Botërorin Rusi 2018 për kombëtaren e Joachim Löw, me shifra në rritje krahasuar me katër vite më parë.
Lojtarët nuk do të marrin asnjë shpërblim në fazën e grupeve apo fazën e 1/8-ve. Vetëm pasi të kenë arritur në fazën çerekfinale do të fillojnë shpërblimet. Në fazën çerekfinale, çdo lojtar do të marrë 75.000 euro; në fazën gjysmëfinale 125.000, në rast se Gjermania renditet në vend të tretë 150.000 euro, dhe 200.000 për pjesëmarrjen në finale, që do të luhet në Moskë më 15 korrik 2018. Nëse skuadra e Löw arrin të mbrojë titullin Botëror të fituar në Brazil 2014 dhe bëhet për të pestën herë kampione bote, çdo lojtar do të shpërblehet me 350.000 euro.
Rifitimi i Kupës së Botës do të ishte një ngjarje historike dhe risi për kombëtaren gjermane. Vetëm Italia (1934-1938) dhe Brazili (1958-1962) kanë mundur të fitojnë dy tituj botërorë radhazi. “Ky është një motivim i madh për lojtarët tanë që të jenë kampionë bote dy herë me radhë, për herë të parë në historinë e futbollit gjerman” – ishin fjalët e presidentit të Federatës Gjermane të Futbollit. “Do të ishte një titull i përjetshëm dhe përjetësia meriton një shpërblim të veçantë”.
“Negociatorët me në krye kapitenin Manuel Neuer dhe skuadrën u treguan të qetë dhe të hapur në lidhje me çështjen në fjalë”, – shtoi Friedrich Curtius, sekretar i përgjithshëm i Federatës Gjermane. Oliver Bierhoff, drejtori i përgjithshëm i Die Mannschaft, është shprehur i kënaqur që është arritur kaq shpejt një marrëveshje “në mënyrë që në fillim dhe gjatë turneut, të mund të përqendrohemi ekskluzivisht në çështje sportive”.