Më shumë se 2,3 milionë, kjo është shifra ndaj kërkesës për bileta në Botërorin që do të zhvillohet vitin e ardhshëm në Rusi.
Aktualisht është duke u zhvilluar faza e shitjes, e cila ka nisur më 5 dhjetor dhe do të përfundojë më 31 janar. Siç bëjnë të ditur burime nga FIFA, në fazën e parë, e cila u mbyll në muajin nëntor, janë shitur 742.760 bileta.
Një pjesë e mirë e kërkesës për bileta vjen nga Rusia, ndërsa shitja e biletave nga vendet e tjera është rritur me 47%. Ndër vendet më aktive janë Shtetet e Bashkuara, Brazili, Gjermania dhe Kina.
Çmimi i biletave për fazën finale të Botërorit, që do të nisë më 14 qershor, me ndeshje që do të zhvillohen në 11 qytete në Rusi, për biletat e shitura jashtë vendit, fillon nga 105 dollarë. Në të kundërt, për qytetarët rusë, çmimi fillestar është 22 dollarë. Të gjithë biletat mund të porositen në faqen zyrtare të FIFA-s.