Gabimet e Greqisë dhe Europës
Ndërsa pasojat e krizës greke janë zgjeruar edhe përmes efektit domino, tashmë edhe Gjermania e pranon pjesën e saj të fajit në këtë krizë. Profesori gjerman Westerhoff: Greqia nuk i përmbushi asnjëherë kushtet për t’u anëtarësuar
Pas një kohe relativisht të gjatë të krizës së borxhit grek dhe përpjekjeve për ta “shpëtuar” ekonominë greke dhe europiane, ekspertë europianë në fushën e ekonomisë dhe financave po përpiqen të bëjnë një vlerësim të asaj çfarë ndodhi, në mënyrë që të shmanget përsëritja e po këtyre gabimeve në të ardhmen. Në një konferencë të organizuar nga “Tirana Business University”, profesor dr. Horst-Dieter Westerhoff, këshilltar për tre kancelarë gjermanë, shpjegoi shkaqet dhe pasojat e krizës greke. “Kriza e borxhit publik në Greqi është çarja më e thellë në historinë e Bashkimit Europian. Rreziku jashtë kufijve grekë prekte monedhën e përbashkët, tregjet e përbashkëta, si dhe bashkimin politik të Europës”.
Një krizë kaq e thellë, e cila nuk është ende në fundin e saj, ka disa shkaqe, sipas prof. Westerhoff. Në fillim të vitit 2010, niveli i borxhit publik të shtetit grek kapte vlerën rreth 300 miliardë euro, e barabartë kjo me 125% të PBB-së. Në këtë vit, ishin për t’u rifinancuar 20 miliardë euro. “Më 19 maj 2010 Greqia kishte falimentuar dhe në këtë kohë duhej një ristrukturim financiar i një huaje 10-vjeçare. Brenda disa ditësh, norma e interesit (4%) u rrit aq shumë, sa ishte disa herë më e lartë se ajo në Gjermani. Më 9 prill 2010, sigurimi për kreditë e këqija ishte 4.3 euro, ndërsa para krizës ishte vetëm 14 cent/euro”, vlerëson prof. Westerhof, në prezantimin e tij.
Situata në Greqi (2011)
Në Greqi, sot zhvillimi ekonomik është -7.5%
Lejet e ndërtimit -50%
Nr. i të punësuarve ‘09-‘11 -14% (621 mijë)
Nr. i të papunëve +100%
Të ardhurat në sektorin publik -30%
Pensionet -10%.
Sipas prof Westerhoff, pasojat ekonomike ishin të qarta: e para ishte pasiguria e tregut valutor. Pati një “arratisje” të vazhdueshme nga euro. Problemi kryesor, sipas tij, nuk ishte thjesht humbja e pikëve karshi dollarit, por shpejtësia e fenomenit deri në “metodën” shpërbërje të Sistemit Monetar Europian. Në këtë periudhë, kreditorët humbën shpejt besimin në euro. Marrëdhëniet ndërbankare pothuajse reshtën së ekzistuari dhe interesat e depozitave ishin shumë të ulëta. Por, sipas tij, rreziqet ekonomike nuk ndaleshin vetëm tek efektet parësore.Një rrezik i madh ishte efekti domino, që nënkupton përhapjen e problemeve të aftësisë paguese edhe në vende të tjera të BE-së. Kriza mund të zgjerohej edhe në ekonominë botërore dhe në fakt, recesioni u vërejt sikurse edhe në rastin e krizës së bankave. Sikur të mos mungonin këto, pati edhe përpjekje të spekulantëve për të testuar dollarin dhe paundin anglez, shton prof. Westerhoff. Pasojat do të ishin edhe politike. Sipas Institutit Zviceran të Kërkimit, rreziku politik ishte dobësimi i BE-së, si themeli i stabilitetit në Europë, përshpejtimi i rënies afatgjatë globale të Europës, dobësimi i politikës së jashtme dhe të sigurisë, thellimi i hendekut ekonomik e politik mes Veriut e Jugut “Shoqëria me dy klasa”. Të gjitha këto bëjnë që të shtrohet sërish pyetja rreth legjitimitetit të BE-së.
Çfarë rëndoi në ekonominë greke
Sipas ekspertëve, shkaqet e borxheve publike e kanë burimin te kriza e sistemit bankar 2008-2009. Westerhoff vëren se, “shtetet blenë borxhet e bankave, duke marrë përsipër riskun e tyre. Shpëtimi i bankave në këtë periudhë ishte shkak për borxhin e lartë të vendeve të Europës Juglindore, ose si të thuash ishin një pasojë e vonë e krizës së sistemit bankar. Sipas një studimi të Bankës Qendrore Europiane, gjatë kapërcimit të krizës së sistemit bankar u rrit risku kreditues i vendit, ndërsa ai i bankave u ul në të njëjtin nivel. Pas falimentimit të bankës së investimeve “Lehman Brothers” (shtator 2008) shumica e vendeve zhvilluan programe gjigante koniunkturash, dhanë garanci të konsiderueshme për bankat dhe injektuan kapital të ri shtetëror. Të gjitha këto u kushtojnë vendeve miliarda euro të financuara me hua.
“Në diskutimet që po organizohen në Gjermani, ky fakt po përdoret shumë politikisht, pasi thuhet që shtetet po u japin kapital bankave, ndërkohë që risqet kalojnë te shtetet. E gjithë kjo shkon kundrejt kritikës së kapitalizmit masiv”, thekson prof. Westerhoff. Por çfarë peshe mban ky shkak? Mekanizmi i financimit të bankave nga shtetet funksionoi në shumë vende të Europës Jugore. Ndaj po të ishte ky i vetmi shkak, pasojat do të ishin ndier edhe në vende të tjera, ndërsa në fakt, janë prekur vetëm vende të caktuara. “Është e vërtetë që prej 40 vitesh shumë prej vendeve europiane jetojnë përtej buxhetit të tyre, duke shtuar nivelin e borxhit. Programet e koniunkturave vetëm sa afruan nga pikëpamja kohore problemet e aftësisë paguese të disa shteteve të dobëta”, thekson Westerhoff. Por, meqenëse borxhi publik është shkaku kryesor i krizës greke na duhet të gjejmë fajet edhe te papërgjegjshmëria e politikave buxhetore të shtetit grek. Prej dekadash vërehet se deficitet financiare nuk mund të mbulohen, pra deficiti strukturor i shtetit rritet vazhdimisht. Shkaqet janë kushtet politike dhe institucionale, si dhe mekanizmat e vendimmarrjes politike. Një shkak i drejtpërdrejtë në Greqi ishte ai i grupeve të interesit. Çdo grup synon të përfitojë sa më shumë nga buxheti i shtetit në formën e transfertave apo shërbimeve.
Sipas Westerhoff, situata aktuale tregon se konsolidimi i financave publike është ende larg. Për të shkuar drejt konsolidimit duhen rritur taksat dhe duhen ulur shpenzimet. Prof. Westerhoff vëren se bëhen përpjekje për t’ia transferuar kostot e përshtatjes palëve të treta. Këta faktorë gjenden qartazi në rastin e Greqisë. Në administratën publike, Greqia ka pasur 5 herë më shumë të punësuar për frymë se Britania e Madhe. Sigurisht që tani situata ka ndryshuar, por aktualisht Greqia ka mbi 1.034 njësi të pushtetit vendor dhe rreth 6 mijë ndërmarrje bashkiake. Që pas hyrjes në Eurozonë, shpenzimet sociale u rritën 3.6% më shpejt se niveli i rritjes ekonomike, vëren prof. Westerhoff, ndërsa niveli i pensioneve pas 15 vitesh punë është 111% i të ardhurave neto të punëmarrësit. Në Gjermani niveli i pensioneve është 61% pas 35 vitesh punë. Në boshllëkun e arkave të shtetit grek “kontribuuan” edhe vetë qytetarët. Sipas një studimi të FMN-së, 8.4 mijë shtetas grekë i detyrohen shtetit më shumë se 20 miliardë euro. Një tjetër arsye ishin normat e ulëta të interesit. Për vendet anëtare më të dobëta, në kuadër të Unionit të ri Monetar, kishte një dhuratë: norma e njehsuar dhe e ulët e kapitalit. Kultura e Bankës Federale të Gjermanisë u bë pjesë e politikës monetare europiane. Ky ishte një terren i frytshëm për rritje ekonomike në vende periferike, që më parë ishin pak të orientuara drejt stabilitetit. Pas anëtarësimit në Eurozonë, në vitin 2001, Greqia u ftua të ndiqte këtë rrugë. Euro bënte gjithçka të mundur: Huatë greke për disa kreditorë u dukën më solide, u zhduk risku i kursit të këmbimit, të paktën brenda për brenda Eurozonës dhe mbi të gjitha, me hyrjen në Unionin Monetar, Greqia përfitoi akses të leverdisshëm e aspak problematik në tregjet ndërkombëtare financiare.
Këta faktorë bënë që niveli i interesave të ishte i ulët për situatën greke. Për vite me radhë, Greqia jetoi përtej mundësive të veta ekonomike, në këtë mënyrë, borxhi publik u rrit në nivele të pajustifikueshme nga pikëpamja ekonomike. Në periudhën 2001–2009, volumi i huave publike ndërkombëtare u rrit mesatarisht me 30% – nga 22 miliardë dollarë në 230 miliardë dollarë. Një tjetër arsye ishin dobësitë strukturore të ekonomisë. “Vendet me deficit publik nuk i zgjidhën problemet strukturore të ekonomisë së tyre dhe aspekti mbizotërues është mungesa e aftësisë konkurruese ndërkombëtare”, vëren Westerhoff. Mungesa e pabarazive të mëdha ekonomike është një tjetër element për suksesin e Eurozonës. Këshilltari i kancelares Merkel mendon se, “Europa vërtet pati një monedhë të njehsuar, por nga pikëpamja ekonomike u zhvillua në mënyra krejt të ndryshme. Në fillim të viteve ‘90, askush nuk parashikoi se në tregjet e liberalizuara Unioni Monetar do të sillte pabarazi kaq të mëdha e të qëndrueshme dhe shprehja më e mirë e këtij fakti është saldoja e bilanceve ekonomike të vendeve.
Ekspertët gjermanë të ekonomisë kritikojnë se në këtë situatë, Brukseli nuk reagoi. Që prej vitit ‘99, Komiteti i Ekonomisë dhe i Monedhës përbën një instrument monitorimi dhe drejtimi. Por përzierja në politikën e brendshme të secilit vend nuk shihej me sy të mirë dhe nuk dëshirohej. 70% e ekonomisë greke varet nga konsumi privat. Nuk ka asnjë degë industriale me vlerë ekonomike, që të jetë konkurruese në tregjet ndërkombëtare dhe mungon tërësisht aktiviteti kërkimor për zhvillimin e këtyre produkteve në të ardhmen. Një problem që duhet trajtuar seriozisht, sipas prof. Westerhoff, është korrupsioni. Prej vitesh, “Transparency International” shprehet se sistemi i degraduar shëndetësor dhe zyrat e lejeve të ndërtimit dhe zyrat e tatimeve janë të prekura fort nga korrupsioni. Sipas një studimi të Organizatës për Zhvillim e Bashkëpunim Ekonomik (OECD), shpenzimet e sektorit shëndetësor mund të ishin 30% më të ulëta, nëse do të menaxhohej me transparencë dhe logjikë ekonomike. Asnjë prej 50 rasteve më të rëndësishme të korrupsionit nuk u çua deri në një proces gjyqësor. Instituti i “Washingtonit Brooking” thotë se nëse luftohet korrupsioni dhe ulet niveli i evazionit fiskal, Greqia mund të ulë nivelin e borxhit publik me 8%. Nga ana tjetër, ekspertët vlerësojnë se puna në të zezë kontribuon në rreth 25% të PBB-së së vendit.
Faji, jo vetëm grek
Angazhimi i presidentit francez dhe kancelares gjermane në gjetjen e zgjidhjeve, që kur problemet greke nuk mund të fshiheshin më, nuk janë vetëm për të mbrojtur efektin domino në Eurozonë. Shumë ekspertë e vlerësojnë punën e dy aktorëve më të rëndësishëm në këtë çështje, si një “detyrim moral” për të korrigjuar gabimin e tolerancës së tepërt ndaj Greqisë. Rrënjët e gabimeve më të mëdha, prof. Westerhoff i sheh tek përfshirja e ekonomisë greke në BE. Sipas tij, “anëtarësimi i Greqisë ishte i gabuar”, ndaj shkaqet e krizës së Greqisë nuk duhen kërkuar vetëm në Greqi. Faj kanë edhe vendet e BE-së. Greqia nuk duhej të ishte pranuar kurrë në Eurozonë, pasi kriteret e konvergjencës (kusht për anëtarësimin, të parashikuara qartë në Traktatin e Mastrihtit 1992) nuk janë përmbushur asnjëherë nga Greqia. Këto kushte përfshijnë: çmime të qëndrueshme, kurs këmbimi, norma interesi, borxh të qëndrueshëm publik (niveli i borxhit të brendshëm publik 60% dhe deficiti vjetor 3%). Sipas prof Westerhoff, Greqia është ekonomia që ka problemet më të mëdha strukturore. Në vitin ‘98, Greqia nuk përmbushte asnjë nga kushtet e anëtarësimit dhe dy vjet më vonë u pranua në Eurozonë. Mbështetja erdhi pikërisht nga kancelarja gjermane, Angela Merkel. Një deklaratë e kancelares thoshte se, “në vitin 2000 duhet të jetë marrë së pari vendimi politik në favor të anëtarësimit të Greqisë në Eurozonë”. Por, faji i vendeve të Eurozonës vazhdon më tej me zbutjen e kritereve të stabilitetit. Kriteret e vendosura nuk u respektuan dhe në 2005-n ato u zbutën edhe nga vende të BE-së, ndaj për anëtarësim e Greqisë në BE “Bashkimi Europian e Gjermania janë bashkëpërgjegjëse”, sipas prof. Westerhoff. Duke pranuar se ka pasur kriza të ndryshme dhe se ato janë të pashmangshme, ai vëren se huaja që marrim sot është një taksë e së nesërmes dhe shton se “vendet e Eurozonës janë të bindura që po jetojnë në kurriz të brezave të ardhshëm”.
Kush është profesor dr. Horst-Dieter Westerhoff
Rektor Nderi dhe Anëtar i Bordit Këshillimor Ndërkombëtar të TBU, prof. dr. Westerhoff është një shkencëtar i mirënjohur në fushën e ekonomisë dhe statistikës. Zëvendësdrejtor i përgjithshëm i kabinetit të tre kancelarëve të Qeverisë Federale Gjermane: Helmut Kohl, Gerhard Schröder dhe dr. Angela Merkel gjatë 1989-2006, ai ka dhënë kontribut të çmuar në disa çështje thelbësore të tilla si unifikimi i dy Gjermanive, Bashkimi Monetar Europian, TI-Infrastruktura, Integrimi i Emigrantëve. Ai është aktualisht menaxher i Gesellschaft zum Studium strukturpolitischer Fragen, një organizatë pranë Parlamentit gjerman që sjell së bashku politikanë, shkencëtarë dhe biznese për të diskutuar çështje dhe politika ekonomike. Prof. dr. Westerhoff mori gradën Doktor në Ekonomi në Universitetin e Münster. Ai është lektor për Ekonominë dhe Statistikën në Universitetin Shtetëror të Duisburg- Essen dhe lektor për Ekonominë Politike në Universitetin privat Steinbeis në Berlin. Ai ka publikuar një numër të madh artikujsh shkencorë dhe libra lidhur me ekonominë dhe statistikën.
Kriza greke dëmtoi eksportet shqiptare
Efektet e krizës së Eurozonës dhe veçanërisht borxhi publik grek ulën eksportet shqiptare, kreditimin dhe besimin e investitorëve. Efekte pozitive: u rritën depozitat. Bankat vendase pritet të rrisin kreditimin
Flet Stephen Barclay Strauss, ekspert në fushën e menaxhimit
Kriza e Eurozonës, e përbërë nga tri kriza të ndara a) ajo e borxhit publik, b) kriza bankare dhe c) kriza e rritjes ekonomike ka dhënë efekte të ndjeshme edhe në ekonominë shqiptare. Vendet e Eurozonës, me një borxh të paqëndrueshëm publik, duhej të ndërmerrnin masa radikale për të reduktuar borxhin dhe deficitin dhe sigurisht që kjo jep efekte në rritjen ekonomike. Duhet të kemi parasysh se shumë banka të Eurozonës kanë një ekspozim të lartë ndaj bonove të qeverive të këtyre vendeve, çka jep efekt negativ në banka. Për sa i përket krizës së këtyre të fundit, shumë banka të Eurozonës janë të nënkapitalizuara. Kriza bankare po shkakton rënie të kreditimit të bankave në ekonomi. Ekonomitë më të mëdha europiane po rriten ngadalë, duke dobësuar eksportet në Eurozonë. Shqipëria nuk është në Eurozonë, ndaj mund të menaxhojë monedhën e saj. Bankat shqiptare nuk kanë bono të dobëta të Eurozonës në portofolat e tyre. Shqipëria nuk po aplikon ende programe të rrepta. Bankat me kapital nga Eurozona po i nxisin degët në Shqipëri të ulin nivelin e kreditimit dhe bankat në Shqipëri realisht po e bëjnë këtë. Ato po reduktojnë ekspozimin ndaj borxhit publik. Shqipëria është prekur nga kriza e rritjes ekonomike, veçanërisht nga ajo e Greqisë. Efekti është direkt në uljen e eksporteve. Remitancat kanë rënë 30%. Por, gjithsesi ka pasur një anë pozitive nga e gjithë kjo: riatdhesim i fondeve. Depozitat bankare janë rritur, madje edhe grekët po depozitojnë në Shqipëri. Ajo çka shqetëson tregun shqiptar dhe atë europian është se besimi i investitorëve lokalë edhe atyre të huaj po bie, çka sjell dobësim të aktivitetit ekonomik. Investitorët po i shtyjnë projektet e reja për shkak të pasigurive në Eurozonë. Rënia e aktivitetit ekonomik sjell edhe uljen e të ardhurave nga taksat, ndërsa ka edhe ndikime të tjera negative në ekonomi. Një zgjatje e krizës padyshim që do të ndikonte negativisht në ekonominë shqiptare, duke thelluar më tej deficitin fiskal. Pritshmëritë janë që bankat me kapital nga vendet e Eurozonës të shtrëngojnë kreditë në Shqipëri, ndërkohë që bankat me kapital të brendshëm apo të tjera do të rrisin aktivitetin e kreditimit. “Besoj se dobësimi ekonomik i Eurozonës ka ndikim të drejtpërdrejtë në eksportet shqiptare, por disa masa që po ndërmerren në Eurozonë, së bashku me reformat, besoj se po i çojnë tregjet drejt stabilitetit”. Kur do të përfundojë kriza?! Është e vështirë të thuhet nëse kjo do të zgjasë edhe një, dy, apo tre vjet. Ajo që mund të themi tashmë është fakti se vendet e BE-së kanë vendosur bazat për të përmirësuar buxhetet publike.
Kush është Stephen Barclay Strauss
Anëtar i Bordit Ndërkombëtar Këshillimor të TBU, ai është menaxher me përvojë në veprimtari biznesi e bankare në Europën Juglindore, Europën Perëndimore dhe në SHBA. Ai ka mbajtur pozicione të rëndësishme, mes të cilave: anëtar i Bordit dhe drejtor i Drejtorisë së Financës dhe Vlerësimit të Riskut në “Raiffeisen Bank” në Shqipëri, drejtor i përgjithshëm i “Emporiki Bank” në Bullgari, zv.president i “City Bank” në Europë dhe në Nju Jork. Z. Strauss ka dhënë kontribut thelbësor në ngritjen e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit si ekspert ndërkombëtar i projektit të USAID-it në Shqipëri. Aktualisht zhvillon aktivitet këshillimor në fushën e financimit të investimeve për disa nga bizneset më të mëdha të huaja dhe vendase në Shqipëri.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.