Sa e shkurtër mund të jetë java e punës?

04/09/2018 3:11 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Eksperimente në të gjithë botën janë përpjekur të tregojnë përfitimet e të punuarit më pak orë, në emër të një ekuilibri më të mirë jetë profesionale – jetë private. A mund të arrijmë deri në një ditë në javë?

 

Nëse keni një punë me kohë të plotë, probabiliteti është që ju të punoni tetë orë ose më shumë në një ditë, nga e hëna në të premte. Sigurisht, shumë prej nesh punojnë më shumë – në një shkrim në New York Times, Elon Musk ka thënë se punon deri në 120 orë në javë, duke eliminuar çdo mundësi për ekuilibrin mes jetës profesionale dhe asaj personale.

Shumë studime në gjithë botën tregojnë se të punuarit me orare të gjata na bën më të palumtur dhe më pak produktivë.
Në një përpjekje për të përmirësuar ekuilibrin jetë profesionale – jetë personale të punonjësve, kompani dhe qeveri nëpër gjithë botën janë duke eksperimentuar reduktimin e orarit të punës. Bëhet fjalë për një lëvizje që ka ngjallur interes të madh – një studim i fundit nga Zelanda e Re ka zënë titujt e parë të gazetave ndërkombëtare – duke e reduktuar javën e punës nga pesë ditë në katër.
Po përse të ndalemi në katër ditë? Përse të mos punojmë të gjithë tre, dy apo madje edhe gjysmë dite në javë?

Eksperimenti me katër ditë

Perpetual Guardian është një kompani në Zelandë të Re, e cila ka eksperimentuar me eliminimin e një ditë të tërë nga java e punës. Për dy javë në maj, kompania u kërkoi 240 punonjësve të saj të punonin katër ditë në javë, nga tetë orë (punonjësit paguheshin për pesë ditë). Kërkuesit e University of Auckland dhe Auckland University of Technology morën në vëzhgim punonjësit.

Rezultati: 24% e tyre thanë se ekuilibri jetë profesionale – jetë personale ishte përmirësuar, dhe 7% thanë se stresi i tyre ishte zvogëluar. Ndërkohë, leadership i kompanisë nuk ka regjistruar një rënie të produktivitetit.

Edhe shërbimi ndaj klientit u përmirësua, tha Jarrod Haar, drejtues te Burimet Njerëzore dhe profesor menaxhimi te Auckland University of Technology, i cili ndihmoi në mbikëqyrjen e studimit.
“Në këtë eksperiment, drejtuesi tha se nëse punonjësit nuk arrijnë të ruajnë produktivitetin 100 për qind ose pak a shumë në këtë nivel, gjatë katër ditëve, atëherë ai do t’u kthehej javës së punës me pesë ditë. Në këtë mënyrë, punonjësit ishin më të motivuar.

Eksperimente të ngjashme po bëhen edhe në vende të tjera të botës. Në 2016, qeveria e Islandës zbuloi rezultatet e një studimi njëvjeçar, që reduktoi rreth gjysmë ditë punë në javë për punonjësit me kohë të plotë në disa zyra komunash. Eksperimenti tregoi se si kostot edhe produktiviteti qëndruan në të njëjtat nivele, pavarësisht më pak kohë të kaluar në zyrë.

Edhe Suedia bëri diçka të ngjashme, me eksperimente që përfshijnë një sërë punëdhënësish, nga start-up, te shtëpitë për kujdesin social – veçanërisht në Svartedalen – një strukturë për kujdesin ndaj pleqve, ku java e punës është 32 orë në javë.
Në Japoni, ku ekziston një shprehje “vdekje nga mbingarkesa”, qeveria ka prezantuar një masë të quajtur “Shining Mondays” – në të cilën kompanitë mund t’u japin mundësinë punonjësve të vijnë vonë në punë një të hënë në muaj.

Përmirësimi i ekuilibrit jetë profesionale – jetë personale u kursen kompanive para, pasi punonjësit e lumtur kanë më pak mundësi që të largohen nga puna – thotë Jan Emmanuel De Neve, profesor i asociuar i ekonomisë dhe strategjisë te Saïd Business School të Universitetit të Oksfordit. Në studimin e tij, ai gjeti se ekuilibri jetë profesionale – jetë personale qëndron në krye të prioriteteve për kënaqësinë në jetë.

“Ju dëshironi që njerëzit të qëndrojnë pasi largimi dhe zëvendësimi i punonjësve nga kompania është tmerrësisht i kushtueshëm, thotë De Neve, i cili është edhe redaktor te World Hapiness Report. Ai thekson se në vitin1930, ekonomisti John Maynard Keynes kishte parashikuar se në fund të gjithë do të punojnë vetëm 15 orë në javë, për shkak të përparimit të teknologjisë dhe rritjes së produktivitetit.

Kjo gjë ngre pyetjen…

Deri ku mund të shkojë?

Sa e gjatë mund të bëhet java e punës? 4 orë në javë? Autori Tim Ferris u bë i famshëm thuajse dhjetë vjet më parë me librin e tij ‘The 4-Hour Workweek’, pikërisht për këtë ide.
Ferris shkruan në librin e tij se është e pamundur që një kompani të funksionojë me punonjës që shkojnë në punë vetëm për disa orë në javë. Por reduktimi i orëve të punës mund t’i bëjë njerëzit më produktivë – për shembull te Perpetual Guardian, java e punës më e shkurtër ndryshoi mënyrën se si punonjësit punonin për të përmbushur më shumë detyra në një kohë më të shkurtër. Punonjësit vinin në orar në punë, por nuk largoheshin shpejt dhe duke mos bërë pushime të gjata në drekë (duhet të kujtojmë se kalojmë mesatarisht dy orë në ditë me rrjetet sociale).

Megjithatë, nuk është kaq e thjeshtë…

Nuk është kaq e thjeshtë – thonë ekspertët – ekziston një pikë kur shpenzimet fillojnë të kapërcejnë përfitimet – edhe në një javë pune me katër ditë. Eksperimentet në Suedi dhe Zelandë të Re që përmendëm pak më sipër, vërtet bënë bujë në shumë tituj gazetash – por rrallë dëgjojmë të flitet për pasojat e tyre.

Për shembull, Treehouse, një kompani në SHBA për formimin online në Portland, Oregon, iu rikthye javës së punës “normale” me 40 orë në javë, pasi eksperimentoi javën e punës me katër ditë në javë. Ashtu si shumë kompani, Treehouse u përball me shkurtime të stafit – dhe ideja e pushimit nga puna të disa punonjësve nuk ishte e mirë, ndërkohë që të tjerë punonin katër orë në javë.
Drejtuesi i marketingut te Treehouse, Megan Dorcey, tha për BBC Capital se java standarde me pesë ditë, për tetë orë, nxiti bashkëpunimin më të mirë mes kolegëve. Ndër të tjera, klientët dëshironin të kishin asistencë gjatë orarit standard të punës.

Sa i përket eksperimentit suedez në qendrën e kujdesit në Svartedalen, edhe ky nuk zgjati shumë (mbi të gjitha sepse ishte ideuar për të qenë i përkohshëm, por rezultatet treguan se një skemë e tillë nuk është e qëndrueshme). Henrik Dahlberg, përgjegjës për shtypin në Gothenburg, thonë se i janë rikthyer javës me 40 orë pune.

Pse? Sepse për t’u dhënë mundësinë punonjësve të punonin gjashtë orë në ditë, qendra e kujdesit social u detyrua të punësonte staf të ri, gjë që rriti kostot. Kjo skemë dhe të tjera dëmtuan bilancin e qeverisë lokale. “Duke marrë në konsideratë këtë gjë, nuk këshillohen shkurtime drastike të orarit të punës” thotë Dahlberg.

Profesori i Oksfordit, De Neve, thotë se reduktimi i ditëve apo orëve të punës “do të ketë gjithnjë e më pak ndikim” . Sa i përket kompanisë Perpetual Guardian, një zëdhënës thotë se kompania është para një vendimi, nëse duhet ta bëjë të përhershme javën e punës me katër ditë – bordi është duke parë rezultatet e studimit dhe po e shqyrton çështjen në fjalë.

*Bryan Lufkin
Burimi: BBC

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of