Ai do të jetë i vetmi konkurrent presidencial që do të marrë qira nga Gucci
Donald Trump, i cili ka shpallur kandidimin për presidencën e SHBA-së është i pasur . Se sa i pasur, ka qenë subjekt debati për dekada të tëra dhe madje edhe subjekt i një padie.
‘Shifra e vërtetë është 10 miliardë dollarë’, – tha Trump për Bloomberg në takimin e 3 qershorit në zyrën e tij në Fifth Avenue, përkulur mbi tryezën e tij plot me letra. Apo është 9 mld dollarë, sikundër thotë ‘Washington Post’ se do të raportojë Trump kur të bëjë publike synimet e tij për 2016-n? Edhe shifra më e ulët, do ta bënte atë personin e 53-të më të pasur në SHBA, sipas indeksit të Miliarderëve të Bloomberg.
Një miliard këtu, një miliard atje. Fakti që vlerësimet e pasurisë së Trump mund ta ndryshojnë atë gjerësisht, thekson se sa e vështirë është të përcaktosh se sa vlen vërtet ai. Vlerësimi i tij për markën Trump, e cila vuloset në hotele, kravata, parfume dhe shishe uji dhe i lejon atij të mbledhë taksa licencimi, është në miliarda. Trump është optimist për të ardhmen e Trump.
“Nëntëdhjetë e nëntë milionë klikime”, -tha ai, duke trokitur mbi monitorin e kompjuterit të një punonjësi teksa tregoi një video ‘YouTube’ të reperit të njohur Mac Miller me Donald Trump, duke luajtur në të. “Tani ajo është një markë”.
Ndryshe nga disa kandidatë të tjerë, ai nuk ka plotësuar kurrë më parë formularin e deklarimit personal financiar. Si një ndërtues dhe promotor i famshëm pronash, ai nuk ka partnerë. Ai tenton t’i përshkruajë të gjitha pasuritë e tij në superlativa: ndërtesa më e madhe, fusha më e mirë e golfit, vendet më të mira. Ai gjithashtu nuk tregon publikisht atë që zotëron drejtpërdrejt dhe pronat që menaxhon, duke vështirësuar përcaktimin e komponentëve të pasurisë së tij.
Dyqani Gucci
Shumica e pasurisë që mban vulën e tij, si Trump Tower në Fifth Avenue në Nju Jork, përbëhet nga njësi dhe elemente të përbashkëta – korridore, ashensorë – që janë shitur dhe nuk kanë më vlerë për Trump.
Ai zotëron të drejtat për hapësira komerciale të ndërtesës, përfshirë dymbëdhjetë kate me zyra dhe një dyqan trekatësh Gucci në katin bazë të ndërtesës. Këto hapësira janë vlerësuar në rreth 400 milionë dollarë, sipas të dhënave të hartuara nga Bloomberg duke përdorur vlerësimet e të ardhurave, fitimit dhe normat e kapitalizimit.
Ai gjithashtu zotëron 30,000 metra katrorë apartament në katin e fundit. Ndërsa shtëpia mund të ketë vlerë premium për madhësinë dhe vendndodhjen e saj, blerësi mund të dëshironte ta rinovonte hapësirën e bollshme.
Trump mori një kredi hipotekore prej 100 milionë dollarësh në vitin 2012, sipas regjistrimeve të pasurisë së Bashkisë të ‘New York’.
Ushtrim i zymtë
Ndërtuesit në lokalitete si Koreja e Jugut, Turqia, Panamaja dhe Hawaii i kanë paguar taksa Trump për të vënë emrin e tij në ndërtesat që ai as i ka ndërtuar dhe as i zotëron, me qëllim që të shesin apartamente dhe dhoma hoteli me çmime më të larta. Të ardhurat plotësojnë operacione të tjera të Trump për të financuar blerje të reja dhe për të paguar borxhin. Është e paqartë se në çfarë shume, nëse ka ndonjë, këto të drejta licencimi mund të kapen në tregun e lirë.
Një tjetër komplikim në këtë ushtrim të errët neto: Trump zotëron prona me qira, por jo të drejtat, për të paktën dy prona në New York City. Ai bleu të drejtën për qiramarrje për 100 vjet në vitin 1979 për 6 East 57th Street, e cila ka një dyqan Niketown, sipas të dhënave të pronës. Marrëveshja gjithashtu i dha atij të drejtat e hapësirës sipër dyqanit, të cilat i përdori për të ndërtuar Trump Tower, pozicionuar pikërisht rreth qoshes.
Ai pagoi një qira vjetore prej 125,000 dollarë për ndërtesën në vitin 2008. Një vit më pas, ai kërceu në 6% të vlerës së tregut të pronës, duke lënë hapësirë që Trump të negociojë qiranë e tij, tha Charles McDowell, pronar i Charles McDowell Property Consultants me bazë në Londër. Një pronë 100-vjeçare me qira do të shitej për të paktën një zbritje me 10% në vlerën e saj, tha McDowell.
“Qiratë kanë arritur majat në rrugë, dhe kjo qira e vjetër është pothuajse më pak se 500 dollarë për metër katror tani, edhe me rinovime”, – referoi Faith Hope Consolo, kryetar i brokerit të shitjes me pakicë në Dagllas Elliman Real Estate.
Prona me qira ka një vlerë prej të paktën 450 milionë dollarë, sipas të dhënave të hartuara nga Bloomberg.
40 Wall Street
Trump ka edhe një marrëveshje qiramarrje në 40 Wall Street, një kullë me zyra prej 1.3 milionë metra katrorë në distriktin financiar të Nju Jorkut. Ai bleu të drejtën e qiramarrjes, e cila skadon në vitin 2059, për 10 milionë dollarë në vitin 1995, sipas të dhënave të regjistrimit të pasurive. Ai mund ta zgjasë këtë të drejtë deri në vitin 2194.
Metri katror i zyrës në ndërtesë varion për një mesatare prej rreth 45 dollarësh, sipas listimit në faqen e saj në internet. E drejta e qiramarrjes është me vlerë rreth 500 milionë dollarë, sipas të dhënave të hartuara nga Bloomberg. Ai siguroi një kredi hipotekore prej 160 milionë dollarë për pronën në vitin 2010, tregojnë të dhënat.
Taksat e gjelbra
Vendpushimet e Trump dhe 20 fusha golfi në SHBA, Skoci dhe Porto Riko janë gjithashtu të vështira për t’u vlerësuar. Fushat e golfit kanë shumëllojshmëri modelesh të të ardhurave, tha Larry Hirsh, president i Golf Property Analysts, një firmë vlerësimi dhe konsulence. Disa janë dizajnuar për të ndihmuar shitjen e pasurive të patundshme fqinje dhe ka të ngjarë të operojnë me humbje.
Ato nxjerrin të ardhura nga një përzierje e taksave të gjelbra, anëtarësitë dhe ushqimi dhe pijet, secila me marzhe të ndryshme fitimi. Bazuar në të dhënat e hartuara nga Bloomberg, fushat e Trump mund të kenë një vlerë prej më shumë se 450 milionë dollarë.
“Emri Trump nënkupton diçka në golf”, – tha Hirsh. “Ai ka bërë shumë për sportin”.
Trump zotëron 30% të dy ndërtesave me shumicë në pronësi nga Vornado Realty Trust në 555 California Street në San Francisko dhe 1290 Sicth Avenue në Nju Jork – që janë me një vlerë të kombinuar prej 640 milionë dollarësh, sipas të dhënave të hartuara nga Bloomberg.
Klinton, Bush
Projekte të tjera të mëdha kanë ndoshta më pak vlerë. Ai ka ruajtur të drejtat e hapësirave komerciale në Trump Tower në Çikago, dhe në vitin 2014 synoi të zgjerojë lobin e tij të hoteleve në atë që fillimisht ishte menduar të jetë hapësirë për gjenerimin e të ardhurave nga shitjet me pakicë. Dhe ndërtesat e përbashkëta në New York-Palace, Place dhe Plaza-kanë rënë shumë në vlerë pas shitjes së njësive të tyre.
Trump ka 30 ditë afat pas një njoftimi që të paraqesë listimin e aseteve – dhe detyrimeve të tij – ndaj Komisionit Federal të Zgjedhjeve. Ai mund të kërkojë dy zgjatime 45-ditor dhe ato jepen në mënyrë rutinore. Kjo do të thotë se do të jetë mesi i tetorit përpara se Trump të arrijë të publikojë një vështrim në financat e tij personale.
Nëse shmanget, Trump do të jetë në mesin e kandidatëve të cilët nuk kanë publikuar kurrë financat e tyre. Hillary Clinton, Ted Cruz, Rand Paul dhe Rick Perry, të gjithë këta kanë qenë ose zyrtarë federalë ose kandidatë më parë. Të tjerë, përfshirë Jeb Bush, Chris Christie dhe Scott Walker, kanë publikuar disa informacione financiare vullnetarisht ose në bazë të ligjeve të shtetit.
Edhe nëse Trump plotëson një formular personal financiar federal, ai nuk do të zbulojë çdo gjë në lidhje me financat e tij. Asnjë prej shtëpive, makinave, anijeve dhe pronave të tjera personale të tij nuk duhet të listohet, përveçse nëse prodhojnë të ardhura. Ai gjithashtu nuk do të tregojë të ardhurat e tij tatimore ose ndonjë pasuri në emër të fëmijëve të tij të rritur.
Por kush po llogarit?
Bloomberg
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
????????hahahahahahahahah