Është padyshim një nga destinacionet e preferuara për pushime dhe ndodhet afër qytetit të Sarandës. Mund të jetë zgjidhja juaj në çdo kohë. Nëse do të udhëtoni për arsye biznesi, koha më e mirë është gjatë tetorit, kur mund të keni mundësitë e duhura. Nëse doni të gjeni dhomat më të lira, tavernat më të mira dhe motin më të përshtatshëm, atëherë duhet të udhëtoni gjatë qershorit, për të kaluar verën më të bukur, shkoni gjatë korrikut, gushtit dhe shtatorit, kur plazhet jo vetëm reflektojnë nxehtësinë e diellit, por edhe erërat veriperëndimore që rrahin vendin çdo pasdite.
Përse ky destinacion
Korfuzi dallohet për oazet e qetësisë, por si një vend argëtimi kryesisht për të rinj. Çmimet janë deri-diku të arsyeshme dhe nuk do të hasni në surpriza. Në brendësi, ishulli është i bukur, rrugët janë të mira, edhe pse të ngushta dhe me shumë kthesa.
Ndër plazhet ranore më të mira përmendim: Glyfada, Agios Gordios, Acharavi, Agios Georgios etj. Jeta e natës është e larmishme, pasi në qytet ka shumë disko, pube dhe bare.
Nëse dëshironi që të mos e kaloni të gjithë ditën në ambientet e hotelit apo të resorit, atëherë mund të bëni ekskursione me anije apo autobusë, në ishujt, gjiret dhe fshatrat më të bukur të Korfuzit. Një vizitë në kështjellën e qytetit të vjetër në Palokastrica apo në një nga ishujt e vegjël përreth do t’ua bënte shumë interesante ditën.
Nuk mund të lëmë pa përmendur edhe tavernat e famshme greke që ofrojnë prodhime të freskëta deti, gatime tradicionale vendase e mesdhetare dhe verërat më të njohura. Mund t’ju sugjerojmë një vend, quhet Doukades (mund ta gjeni në hartë) ku mund të shijoni sufllaqet më të mira në të gjithë ishullin.
Ofertat e agjencive për ju
Hotelet dhe resortet ofrojnë për turistët të gjitha shërbimet dhe lehtësirat e nevojshme për të kaluar pushime sa më të këndshme, argëtuese dhe relaksuese në të njëjtën kohë. Parqe me gjelbërim, pishina me ujë deti dhe të ëmbël, kënde lojërash dhe klube argëtimi për fëmijët, ushqime cilësore e të freskëta, bare, lokale, taverna, disko etj.
Union Travel ka një ofertë të larmishme për këtë destinacion. Janë hotele me katër e pesë yje, me shërbim all inclusive.
Pasaporta e udhëtimit
Agjencia: Union Travel
Vendi: Korfuz
Qëndrimi: 7 net
Çmimi: 247-415 euro/person
Transporti: Individual
Datat: Qershor
MTI Travel gjithashtu ka menduar për këtë destinacion për qëndrime në resorte familjare me tre dhe pesë yje, me shërbim all inclusive. Agjencia mund t’ju sigurojë edhe transportin.
Pasaporta e udhëtimit
Agjencia: MTI Travel
Vendi: Korfuz
Qëndrimi: 7 net
Çmimi: 320-585 euro/person
Transporti: Individual ose nga agjencia
Datat: Qershor
ATHS ofron paketa turistike me qëndrime si në hotele (nga 3 deri në 5 yje), por edhe në gjysmë pensioni, me shërbim all inclusive. Nëse dëshironi që transporti të mbulohet nga agjencia, atëherë çmimit të paketës shtojini edhe koston e biletës 55 euro.
Pasaporta e udhëtimit
Agjencia: ATHS
Vendi: Korfuz
Qëndrimi: 7 net
Çmimi: 121-607euro/person
Transporti: Nga agjencia, çmimi 55 euro
Datat: Qershor
Vas Tour, mund të zgjidhni një nga emrat e resorteve me pesë yje, që ofrojnë të gjitha lehtësitë e akomodimit. Për fëmijët nga mosha 1-12 vjeç, çdo gjë është falas. Në këto resorte ju mund të shfrytëzoni edhe dyqanet që gjenden në brendësi, ndërsa për fëmijët, parqet e lojërave. Natyrisht nuk mungojnë miniklubet dhe fushat e tenisit.
Pasaporta e udhëtimit
Agjencia: Vas Tour
Vendi: Korfuz
Qëndrimi: 7 net
Çmimi: 446-1,067 euro/person
Transporti: Individual
Datat: Qershor
Udhëtim “bëje vet”
Natyrisht që mund të pushoni në këtë destinacion edhe sipas një axhende të organizuar nga ju vetë. Ne po ju japim disa informacione që mund t’ju hyjnë në punë.
Korfuzi është i arritshëm në disa mënyra. Nga Saranda me traget, udhëtimi zgjat 30 minuta, për individët bileta kushton 19 euro, ndërsa për makinat, 42 euro. Me autobus me linjë direkte Tiranë-Athinë. Një biletë vajtje-ardhje kushton 60 euro. Edhe nga Igumenica mund të shkoni në Korfuz me traget. Niset çdo një orë dhe udhëtimi zgjat 1 orë e 45 minuta.
Nëse udhëtoni në muajin qershor mund të gjeni oferta 3-4-ditore edhe për 60 euro personi në resortet familjare. Ndërsa në hotele me dy yje mund të gjeni oferta edhe për 10 euro në natë. Bëni një kërkim më të hollësishëm përpara se sa të vendosni se si do ta organizoni udhëtimin tuaj.
sa kushton cmimi per nje person Igumenice Korfuz me traget , muaji shtator