Hapësira e punës ka ndryshuar vërtet vitet e fundit – nga një hapësirë e vogël në një ambient ‘open space’ me kuzhina e mjedise relaksi për punonjësit.
Por sa ndikon hapësira në punë në performancën tonë profesionale? Me sa duket, vërtet shumë.
Hapësira e punës: cilësia e mjedisit
Cilësia dhe një ambient i shëndetshëm janë aspekti i parë që duhet të kemi në konsideratë. Që të punoni në mënyrë efektive, është i nevojshëm ndriçimi i duhur, ajrimi i duhur dhe instrumentet thelbësore që lehtësojnë punën, veçanërisht nga pikëpamja e sigurisë.
Drita është një element që nuk duhet nënvlerësuar. Përdorni një dritë të butë, që të mos jetë neon, i drejtuar nga sytë. Ajo nuk duhet të jetë mbi kokën tuaj, por pas krahëve tuaj, që të ndriçojë ambientin por të mos e bëjë atmosferën verbuese.
Ata që punojnë në një zyrë duhet që të kenë një karrige ergonomike, një tavolinë në lartësinë e duhur dhe një pajisje mbështetëse për laptopin apo tastierën e kompjuterit. Të gjithë këto elemente të vogla, por thelbësore, ndikojnë pozitivisht në performancën profesionale.
Hapësirat e punës: ndryshimi është thelbësor
Sot jemi dëshmitarë të një ndryshimi të madh të hapësirave të punës. Pjesa më e madhe e punëve, veçanërisht ato në zyrë dhe profesionet dixhitale, mund të zhvillohen në vende dhe kontekste të ndryshme. Sot mund të punojmë në shtëpi, nesër në një ‘coworking’ (në një hapësirë të madhe, të përbashkët), pasnesër në zyrë dhe në fundjavë ndoshta pranë një pishine.
Ndryshimi i hapësirave ju ndihmon të luftoni stresin dhe të shmangni të ndierit nën presion dhe është e rëndësishme për të përmirësuar performancën tuaj në punë.
Hapësira e punës: është i rëndësishëm edhe “shoku” (i bankës)
Një shprehje thotë se asnjë njeri nuk është një ishull. Shpesh kur jemi në një zyrë, me ne janë edhe persona të tjerë. Njerëzit me të cilët ndajmë hapësirën në punë mund të ndikojnë pozitivisht ose negativisht në performancën profesionale dhe anasjellas.
“Komshiu” ynë ankohet vazhdimisht? Është gjithnjë i tensionuar? Kërkon të na bëjë të dukemi keq në sytë e të tjerëve? Ndoshta me stil po përpiqet që ne të bëjmë edhe punën e tij? Apo është një person simpatik, i cili zbut tensionet, ndërveprues dhe ndihmues?
Natyrisht ka një ndrysim të madh dhe nëse ndodheni në situatën e parë do të ishte mirë të shndërroheshit në “shokun e bankës” që do të kishit dashur gjithnjë të kishit dhe të ndikonit pozitivisht tek tjetri, ta nxisnit atë dhe pse jo t’ia kthenit të mirën.