Rreziku më i madh në Europë është referendumi italian, thotë Gianfelice Rocca, kreu i Assolombarda, Dhoma e Tregtisë së Milanos. Për korporativizmi italian ka shumë në lojë në referendumin për reformën kushtetuese, që do të mbahet më 4 dhjetor. Fitorja për Mateo Renzin, kryeministrin miqësor me biznesin, do të përkthehet në nxitje për firmat e të gjitha madhësive, ndërkohë që humbja do të trondiste të gjithë sistemin, tha zoti Rocca.
Federata Kombëtare e Punëdhënësve, Confindustria, është dakord me të. Nëse fushata e tyre për një votë pro do të besohet, do të pasojë një qeveri më e qëndrueshme, kushte të lehtësuara për investitorët dhe perspektivë më e ndritur ekonomike. Dy çështjet më të rëndësishme për t’u vendosur janë reforma e fuqisë së Senatit, që do të lejojë Dhomën e Ulët që të kalojë ligje edhe kur has kundërshtime prej Senatit, si dhe nëse fuqia vendimmarrëse do të zhvendoset nga qeveritë vendore tek ajo qendrore, shkruan The Economist.
Francesco Starace, drejtori ekzekutiv i Enel, një kompani europiane gjigante për elektricitetin, që është dhe një prej kompanive më të suksesshme italiane, thotë se ndryshimet e propozuara do t’u sjellin përfitime të rëndësishme kompanive, si dhe do të inkurajojë konkurrencën. Vitin e shkuar ligjet mbi punësimin u lehtësuan disi, dhe një ndryshim këtë korrik e bëri më të lehtë që bizneset reja të regjistroheshin tek autoritetet. Zoti Starace shpreson se kjo do të vazhdojë. Ne kemi pritur për këto reforma për 25 vite dhe do të ishte mëkat që të prisnim më gjatë,- tha ai.
Publiku duket se është shumë pak i bindur në meritat e ndryshimeve kushtetuese dhe sondazhet tregojnë se rezultati është i balancuar. Por do të ishte turp që të humbej kjo mundësi, besojnë bizneset. Një rezultat pozitiv, do të dërgojë sinjale pozitive tek investitorët e huaj në Itali, thotë pronari i një prej firmave më të mëdha industriale në vend. Do të tregojë se ne mund të ndryshojmë ligjet që për vite me radhë kanë mbajtur peng produktivitetin,- shtoi ai.
Duke i shtuar fuqitë qeverisë qendrore do të reduktojë kompleksitetin e kushtueshëm për firmat. Sot ka ligje të ndryshme në secilin rajon të Italisë, mbi përdorimin e ujit, riciklimin e mbetjeve, kontrollin e ndotjes dhe të tjera fusha ku autoritetet kërkojnë leje, nënvizon Starace. Është e kushtueshme të menaxhosh, veçanërisht për kompanitë më të vogla.
Një fitore e dytë do të pasojë direkt në Senat. Pronarët mbështetur tek ligjvënësit do të ndihen në gjendje për të pakësuar burokracinë dhe për të përshpejtuar reformën në Drejtësi, sigurisht për të përmirësuar procedurat ligjore administrative. Në renditjen e fundit e “Të Bësh Biznes” nga Banka Botërore, Italia është në vendin e 50-të, në mesin e ekonomive më të këqija në vendet e pasura të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (gjashtë vende më keq se një vit më parë). Kryesisht kjo është rezultat i vështirësive që kanë firmat në pagesën e taksave apo zbatimin e kontratave.
Një ekonomist në Bankën Intesa Sanpaolo, përllogarit se falimenti kërkon mesatarisht shtatë vite për t’u përmbyllur në Itali, krahasuar me dy vite që kërkohen në Francë apo në Gjermani. Sipas Bankës Botërore, procesi administrativ në lejet e ndërtimit i merr një firme italiane mesatarisht 227.5 ditë për t’u zhvilluar, krahasuar me 86 ditë që i duhen një firme britanike. Një shtet i drejtuar më mirë mund të përmirësojë të gjithë këtë.
Nëse Renzi dhe politikanë të tjerë do të vendosnin se do ta shfrytëzonin mandatin e tyre për t’u përballur me grupet lobuese, siç janë drejtuesit e taksive të cilët pothuajse iu është zënë fryma prej kompanisë Uber dhe firmave të tjera të transportit në qytetet e mëdha, përfshirë dhe Milanon, apo që bllokojnë hyrësit e rinj në industrinë farmaceutike, atëherë referendumi do të përkthehej në përmirësime edhe më të mira. Ish-shefja e Uberit në Itali, Benedetta Arese Lucini, ka marrë kërcënime të vazhdueshme kur hodhi shërbimet e saj në treg. Pa ndryshime të mëdha do të jetë marrëzi për firmat e reja që të vendosen në Milano. Por, në ditën që Italia do ta kuptojë që konkurrenca është e mirë, ne mund të konkurrojmë me botën,- shtoi ajo.
Nëse politikanët vërtet do ta vendosin reformën si prioritet të tyre, ata gjithashtu mund të drejtojnë ligje mbi taksimin, të cilët ndëshkojnë kompanitë investitore. Një arsye pse firmat italiane nuk kanë kreditim është sepse normat e larta të taksave favorizojnë më tepër blerësit e obligacioneve qeveritare se sa investitorët në kapitalin privat, për shembull. Italia tërheq një pjesë të vogël parash në kapitalin privat në Europë, ose më pak së një të katërtën e fondeve që tërheq Franca apo një të pestën e fondeve që tërheq Britania (pjesa e parave në raport me PBB-në).
Nino Tronchetti Provera, kreu i Ambienta, një fond privat kapitali, është i mendimit se vota ka më tepër rëndësi për shkak të rrezikut për t’u votuar kundër në referendum. Refuzimi do të thotë kthim në një pasiguri ekstreme politike, duke qenë se Renzi ka thënë se do të dorëhiqet në rast se nuk fiton. Megjithatë është e mundur që të ekzagjerohet përfitimi që do të kenë bizneset për të marrë një votë pro në referendum, ose anasjelltas një ekzagjerim të kostove nëse votuesit refuzojnë planin e Renzit. Kooperativizmi italian lëngon për shumë arsye. Një problem i vështirë është niveli vazhdimisht i ulët i konsumit të brendshëm falë popullsisë që po plaket. Kultura e neverisë ndaj rrezikut dekurajon sipërmarrësit. Dështimi është turp.
“Mamma mia”
Mungesa e kapitalit për bizneset buron prej sistemit problematik bankar, si dhe prej traditës ku familjet financojnë bizneset e tyre, zakonisht të vogla. Bursa italiane mbetet një gjë e rrënuar, krahasuar me tregjet në Paris apo në Londër, nënvizon Claudio Costamagna, kryetar i Cassa Depositi e Prestiti, një bankë e kontrolluar prej shtetit që investon kursimet postare italiane. Rreth 70% e kapitalizmit të tregut të aksioneve përbëhet nga bankat, kompanitë e sigurimeve, shërbimet vendore apo kompanitë energjetike si ENI, një firmë e naftës dhe gazit e kontrolluar prej shtetit. Firmat industriale dhe prodhuese, shtylla kurrizore e ekonomisë, përbëjnë një pjesë të vogël. Referendumi do të bëjë pak për të kanalizuar më shumë para në llojin e fundit të kompanive.
Megjithëse reforma kushtetuese do të ndihmojë, do të dojë pak kohë që të nxisë ekonominë, që kohët e fundit po rritet me vështirësi dhe mbetet me vështirësi në madhësinë që ka qenë dhe një vit më parë. Kompanitë e suksesshme italiane janë ato të cilat eksportojnë në tregjet më të zhvilluara përtej detit, siç janë biznesi i tregtimit të pjesëve të makinave, ushqimeve, modës, produkteve farmaceutike, pjesët e makinave dhe energji.
Shpesh, kompanitë italiane nuk e ndihmojnë veten. Shumë pak kanë ndjekur shembullin e ENEL-it dhe të tjera kompanive lider, që kanë përqafuar me shpejtësi dixhitalizmin për të rritur efikasitetin. Disa kanë mungesë bazike siç është përdorimi i kompjuterit. Një investitor përshkruan vizitën e këtij viti në Italinë e Jugut me një xhiro vjetore prej 50 mln euro se e menaxhojnë inventarin në një tabelë të bardhë në një magazinë.
Kështu përfitimet e ndryshimeve kushtetuese, nëse ndodh, do të jenë të paparashikueshme dhe nuk do të ndihen në mënyrë të barabartë. Bizneset e mëdha janë dëgjuar më shumë për dëshirën që referendumi të jetë pro ndryshimeve, por firmat e mëdha, me kanalet e tyre në tregjet e huaja, do t’ia dalin më së miri në rast refuzimi të ndryshimeve, ato janë mësuar që të përballojë vështirësitë aktuale. Janë bizneset e vogla të orientuar nga tregu i brendshëm që janë më të rrezikuara në rast se nuk do të miratohet reforma. Dhe sikurse pranon Rocca: Përfundimi i këtij filmi është shumë i pasigurt.